Arsim dhe KulturëDiaspora DibranePersonalitete dhe ShowBiz

Haki Stërmilli, një jetë në shërbim të Atdheut e kombit shqiptar

(Mesazhe atdhetarie nga romani “Kalorësi i Skënderbeut”)

Në historinë e letërsisë shqiptare,Haki Stërmilli përfaqëson shkrimtarin demokrat, jeta dhe veprimtaria e të cilit, u lidh ngushtë me fatet e atdheut dhe të luftës së forcave partiotike e revolucionare për një Shqipëri të lirë të bashkuar dhe të përparuar. Haki Stërmillit përjetoi pasojat e ngjarjeve më dramatike në historinë e popullit shqiptar, e në veçanti të Dibrës,vendlindjes së tij, e që në momente të veçanta, i’u vu në pikëpyetje edhe mbijetesa; por këto vite qenë edhe vitet e qëndresës së pashembullt të luftës heroike të popullit shqiptar për ruajtjen nga copëtimi të trojeve shqiptare, si dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar,e çlirimit të vendit.
Traditat patriotike dhe jeta e pasur zakonore në vendlindjen e tij,atmosfera që krijuan në Dibër zhvillimet e vrullshme të lëvizjes patriotike të atdhetarëve të shquar dibranë, Hoxh Voka, Dervish Hima Josif Bageri e të tjerë, si dhe rënia e Dibrës nën robërinë e pushtuesve serbë dhe pasojat e tmerrshme që i sollën vendit, masakrat me egërsi shtazore të kryera mbi popullsinë e pafajshme, qenë atmosfera ku i riu Haki Stërmilli, u rrit u shkollua dhe u formua për të marrë përsipër detyrën e vështirë të dalëzotësit ndaj vendit e njerëzve të tij. Sapo mbaroi gjimnazin në Manastir ku ishte dërguar me ndihmën e interesimin e patriotit Dervish Hima, bëhet një prej drejtuesve kryesorë të shoqërisë “Djelmënia Dibrane”, ku zhvilloi një veprimtari të guximshme patriotike mes vëllezërve të vendlindjes.
Pas Kongresit të Lushnjes, Haki Stërmilli vendoset në Tiranë,në administratën e shtetit të ri, dhe merr anën e lëvizjes rinore përparimtare në luftën e ashpër mes forcave politike që zhvillohej në atë kohë.

Haki Stërmilli,u bë një nga militantët më të shquar të lëvizjes demokratike të rinisë dhe si drejtues i shoqërisë “Bashkimi”mori pjesë me armë në dorë në ngjarjet e Revolucionit të Qershorit 1924,për të sjellë në fuqi një qeveri demokratike. Pas rënies së qeverisë Fan Nolit, Haki Stërmilli, si shumë patriotë demokratë,u detyrua të emigronte në disa shtete të Europës, dhe duke qenë edhe anëtar i “KONARE-së”nuk e ndërpreu asnjëherë veprimtarinë e tij patriotike revolucionare në interes të atdheut u kombit..
Në vitin 1929, me ndërhyrjen e Ahmet Zogut, qeveria Jugosllave ktheu në Tiranë Haki Stërmillin dhe Zogu e burgosi duke mos marrë në konsideratë as protestën e “KONARE-s”të nënshkruar edhe nga , si shkrimtari Henri Barbys,fizikanti Ajnshtajn, Sen Katajama, e shumë deputet e profesor nga katër anët e botës. Pushtimin fashist të vendit , të cilin e kishte parashikuar në një artikull të botuar në gazetën “Liria Kombëtare”,Haki Stërmilli e priti me shumë trishtim.”Okupacioni fashist , shkruan ai më egërsoi tepër ….Deri në Konferencën e Pezës punova ashtu si ma muer mendja se mund t’i shërbejsha popullit e atdheut. Mbas Konferencës u rreshtova në Kampin e Frontit Nacional Çlirimtar”.Dhe ashtu veproi :Megjithëse e kishte kaluar moshën e veprimeve të guximshme,në verën e vitit 1943 u hodh në radhët e luftës partizane duke përballuar vështirësi, rreziqe e beteja deri në ditën e çlirimit të vendit. Dhe ja ç’farë shkruan në ditarin e tij më 28 nëndor 1944 luftëtari i shquar,shkrimtari demokrat, Haki Stërmilli: ”

Në këtë ditë feste,dy herë historike,sytë e zemrave të popullit tonë drejtohen kah vorret e mija dëshmorëve që siguruen fitoren,dhe me gjakun e tyre të pastër shkruen nji epope të madhnueshme”, dhe pasi përshkruan aktivitetet e zhvilluara të kësaj dite ,dy herë historike,duke filluar që nga ora 10e30, me daljen e Komandantit Enver Hoxha me Qeverinë Demokratike, ku, nga tribuna e ngritur para Hotel “Dajti”,përshëndeti parakalimin e 15 mijë djem e vajzave të brigadave partizane.”
Ditarin e kësaj dite feste e përfundon me fjalinë.”Festa vazhdon”! Citova fletë ditarin e kësaj dite dy herë historike pasqyruar në “Ditarin Partizan”të Haki Stërmillit, për dy arsye.
Së pari, se e gjithë veprimtaria e tij,si shkrimtar dhe si luftëtar me armë në dorë, lidhet me këto dy sihariqe: Shpalljen e Pavarësisë dhe Çlirimin e vendit nga okupacioni fashist.
Së dyti, Kremtimi i 28 nëntorit 1944,si “ditë dy herë historike”, dita e shpalljes Pavarësisë dhe dita e çlirimit vendit nga okupacioni fashist, të pasqyruara në këtë fletë ditari, nga historiani dhe shkrimtari Haki Stërmilli, ëshë një dokument i vërtetë shkencor për histori shkruarjen.
Rruga e jetës së Haki Stërmillit ishte rruga e jetës së një luftëtari të shquar, i cili tërë qenien e tij fizike e shpirtërore, tërë aftësitë kulturore e talentin e tij i vuri në shërbim të luftës për çlirimin e vendit,për ruajtjen e forcimin e identitetit kombëtar, si dhe për demokratizimin dhe prosperitetin e tij. Pjesë e kësaj lufte, madje edhe më e rëndësishmja ,që e veçon Haki Stërmillin, si shqiponjën që nuk ësht bërë për të fluturuar në turmë,është vepra letrare e tij.
Një ndër veçoritë më të spikatura në veprën letrare të Haki Stërmillit, të cilën edhe unë e kamë më për zemër për ta trajtuar është, lëvrimi i temës patriotike. Duke qenë nën përshtypjen e ngjarjeve tragjike të zhvilluara në vendlindjen e tij, dhe duke i përjetuar ato edhe personalisht, si dhe duke i gërshetuar këto me ngjarje e probleme etike të jetës zakonore, si njohës i thellë i tyre, Haki Stërmilli jo vetëm që na ka dhënë vepra dinjitoze me vlera të veçantë ideo-artistike në forma të ndryshme të gjinive letrare por na ka lënë edhe një arkiv vlerash me të vërteta historike për njohjen e jetës dhe zhvillimeve të kësaj periudhe.
Si studiues në fushën e histori-shkruarjes, në këtë trajtim të shkurtër, dua të veçoj disa nga vlerat e romanit historik “Kalorësi i Skenderbeut”, jo vetëm pse është shkruar më pak për të, por më intrigon edhe fakti : Përse Haki Stërmilli,shkrimin e këtij romani e ndërpreu në vitin 1939, dhe filloi përsëri ta shkruajë në vitin 1952.

Romani” Kalorësi i Skënderbeut”është ndërtuar mbi sfondin e ngjarjeve të vërteta historike të viteve 1451- 1456 , ku populli shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut luftonte trimërisht për mbrojtjen e tokave të shtetit shqiptar dhe për çlirimin e viseve të tjera të trojeve arbërore të pushtuara nga turku, siç ishte edhe Kalaja e Sfetigradit. Duke hyrë në rrjedhën e ngjarjeve të kohës nëpërmjet të dhënave historike dhe traditës popullore,autori i këtij romani, Haki Stërmilli, ka arritur të na pasqyrojë atmosferën heroike të atyre viteve duke na treguar se ndërgjegjësimi patriotik i popullit ishte elementi thelbësor i sjelljes së kësaj atmosfere. Malësorët e thjeshtë trima e fisnikë ishin ata që përbënin ushtrinë e Skënderbeut e cila përballon me sukses hordhitë osmane. Këta malësor trima janë edhe mbartësit e traditës dhe zakoneve të tyre fisnike,pjesë e jetës së tyre të përditshme,që i transmetojnë nga brezi në brez, i aplikojnë në jetën e tyre të përditshme, dhe i ruajnë me fanatizëm si pasurinë e tyre më të shtrenjtë. Protagonistët kryesorë të romanit nuk janë marrë nga figura historike por nga bijtë e popullit patriot. Të tillë janë: Mark Spani (Kalori i Bukur),protagonisti kryesor i romanit, pjesëtar i Gardës Pretorjane të Skënderbeut,i cili mishëron veti e virtyte të luftëtarëve të kësaj epoke: trim e besnik, kalorës fisnik,dashnor zemër zjarr e kavalier, luftëtar i devotshëm i kauzës së shenjtë të atdheut. Mira Mireshi, e bija e luftëtarit të paepur të lirisë Zef Mireshit,vajza fytyrë hënë me zemër të bardhë, besnike e dashurisë së pastër e të sinqertë me Kalorësin e Bukur,por edhe luftëtare e pa trembur dhe e vendosur në mbrojtje të lirisë e jetës së kryetrimit, mbretit të shqiptarëve Skënderbeut..
Këto figura e të tjera, si ajo e Hil Veshkuqit, e Qerimit dhe motrës së tij e të tjera, të ndërthurura me ngjarje e situata ku pasqyrohet atmosfera patriotike që rrethon popullin e ngritur në luftë ;tregojnë edhe fatin e të rijve dibranë, fati i të cilëve ishte pleksur me fatet e Dibrës dhe të gjithë vendit.
Figurën e Skënderbeut në roman,për mendimin tim,shkrimtari Haki Srërmilli na e ka dhënë mbi modelin e shkrimeve të kryera për profetin Muhamed. Ndonëse është një figurë episodike, ai ndjehet në të gjithë romanin. Shkrimtari nuk e ka trazuar kryezotin me intrigat e aventurat dashurore që ndodhin në trajtesën e romanit. Populli e quan atë diell që ngroh çdo zemër shqiptare Në roman nënvizohet jo vetëm misioni historik i Skënderbeut në luftë për tu bërë ballë agresorëve,por edhe për të krijuar një shtet të përqendruar shqiptar. Në romanin “Kalorësi i Skënderbeut”,pasqyrohen edhe tendencat seperatiste të kohës, të cilët kanë gjetur shprehje në trajtimin e dy figurave historike të kohës,Moisi Golemi dhe e shoqja e tij, princeshë Zafina. Duke pohuar të vërtetën historike të tradhëtisë e pendimit të princit të Dibrës Moisi Golemit, dhe rolin intrigues të princeshës Zafina në këtë tradhti, autori jep mesazhin për të patur kujdes, se shkak i joshjes drejt seperatizmit e tradhtisë ndaj interesave të atdheut janë po ato elementë e faktorë, që i kanë sjellë zhvillimet historike, që nga agimet e shoqërisë njerëzore.
Dua të ndaj me ju, mendimin tim në dhënien përgjigje të pyetjes, se përse shkrimtari Haki Stërmilli, romanin “Kalorësi i Skënderbeut”, që kishte nisë ta shkruante në vitet 1937-38, e ndërpreu në vitin 1939, dhe filloi ta shkruaj përsëri, pas luftës, dhe e përfundoi në vitin 1952.
Haki Stërmilli ishte burrë me vizion të largët politik dhe njohës i shkëlqyer i gjeopolitikës, veçanërisht asaj në Ballkan. Vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha për copëtimin e tokave shqiptare, ku përfshihej edhe ndarja e Dibrës në dy pjesë dhe lënia e Dibrës Madhe me trojet tjera shqiptare jashtë kufirit të shtetit shqiptar, vendosur më 1913, ashtu si të gjith popullin shqiptar,tronditën pa masë edhe zemrën e shkrimtarit patriot. Pritmëria se me përfundimin e Luftës parë Botërore do të rregullohej kjo padrejtësi, jo vetëm që nuk solli zgjidhje por mbylli dhe shpresat. Kjo bëri që detyrat e shtetit dhe shoqërisë shqiptare të ishin po ato të viteve 1451-1456, me ndryshimin e vetëm, atë të pushtuesit, nga turk në sllav. Ndaj në vitet 1937-38, Haki Stërmilli, filloi të shkruajë romanin historik” Kalorësi i Skënderbeut”, shkrimin e të cilit e ndërpreu me fillimin e Luftës Nacionalçlirimtare dhe konkretisht pas prillit të vitit 1941, kur u realizua bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të vetëm me qendër në Tiranë. Haki Stërmilli shkruan në ditarin e tij: “Mbas Konferencës së Pezës u rreshtova në kampin e Frontit Nacionalçlirimtar me besimin se kohët kishin ndryshuar dhe kjo luftë do të çlironte vendin nga fashizmi dhe do të realizohej edhe bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin amë”. Besimi i tij se do të realizohej kjo zgjidhje shprehet edhe në fletën e ditarit të datës 29 nëntor 1944, ku thotë:”Divizionet tona çliruan Prishtinën dhe po marshojnë drejt Kosovës”..Por, edhe lufta Nacionalçlirimtare nuk i realizoi pritmëritë e luftëtarit patriot ashtu si dhe të gjithë popullit shqiptar, pasi dy të tretat e trojeve shqiptare ku bënte pjesë edhe Dibra e Madhe mbetën përsëri jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Kjo ishte dhimbja më e madhe e këti luftëtari të paepur. Por me gjithë këtë dhimbje,me gjithë rëndimin e viteve e lodhjes që i solli lufta tre vjeçare në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, shkrimtari patriot nuk dorëzohet. Ai i rikthehet shkrimit të romanit, e përfundon atë,duke na bërë me dije se detyra nuk kishte mbaruar,dhe do të sugjeronte, me gjuhën e Dibrës, edhe rrugët për realizimin e saj;që do të ishte,në radhë të parë ndërgjegjësimi patriotik i masave popullore, që të vihen në lëvizje për të realizuar bashkimin e trojeve shqiptare.

Nuk ndaj të njëjtin mendim edhe për kritikën që i bëhet veprës së Haki Stërmillit, sidomos asaj të viteve të mbretërisë, ku thuhet se kufizimet botëkuptimore nuk e kanë lejuar shkrimtarin që në krijimtarinë e tij të shtrojë nevojën e përmbysjes së rendit shoqëror ekzistues, por kufizohet vetëm në mohimin e disa normave të moralit dhe mentalitetit sundues të kohës.
Unë mendoj se nuk janë kufizimet botëkuptimore, por vizioni dhe symprehtësia e shkrimtarit, që i lexonte në thellësi zhvillimet gjeopolitike të kohës, për të mos përdorë “grushtet migjeniane” për rrëzimin e Monarkisë. Shkrimtari patriot e kishte të qartë se në vitet tridhjetë, kur të gjitha shtetet e Ballkanit ishin monarki dhe kur synimet e tyre grabitqare ishin në rend të ditës, rrëzimi i monarkisë do të ishte një rrezik real për copëtimin e plotë të tokave shqiptare. Ai e kishte të qartë gjithashtu, se Monarkia do të ishte një siguri më e madhe për ruajtjen e pavarësisë se shtetit të ri shqiptar , Haki Stërmilli, kur viheshin në rrezik interesat e atdheut e kombit, për të cilat kishte luftuar gjithë jetën,me gjithë kundërshtitë që kishte me mbretin Zog, dhe persekutimin që ai i kishte bërë, nuk do t’ia lejonte vetes kurrë që veprimtaria e tij të cenonte interesat madhore të kombit.. .
Le të jetë ky shkrim modest një lule kujtimi e mirënjohje për veprën e shkrimtarit patriot –demokrat Haki Stërmillit, në shërbim të atdheut e të kombit shqiptar.

Nga Beqir Ajet SHEHU

Tags

Admini webit

Menaxher i rrjeteve sociale në Dibër dhe jo vetëm ! Guider turistik Fotograf i lirë ...! Bloger

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close
Close
%d bloggers like this: