Aktualitet i ditësGuida në DibërHostele dhe BujtinaProdukte DibreShqipëriaTurizëm dhe TraditëVizito Dibrën

Njihuni me 13 destinacionet kryesore turistike ne Diber.

Nga Besnik Alku

1- Mali Korabit

Mali i Korabit është maja më e lartë në Shqipëri, në lartësi
2,764m mbi nivelin e detit. Mali i Korabit eshte pjese
Parku Natyror Korab-Koritnik (kategoria e V-se e IUCN). Maja e Korabit është shumë tërheqëse për vizitorët që kane mundur te ngjisin majen me te larte, dhe ku mund te gjejne bukurite natyrore te rralla si fusha e Korabit, bejshka e Shehut, liqeni i zi, gropa e panairit, dhe ku mundesohen aktivitete te larmishme per amatoret e ecjeve dhe ngjitjeve ne mal, vende per kampingje, xhiro me kuaj, stanet dhe jetesen baritore. Rreze malit të Korabi-it eshte edhe fshati turistik i Radomires (i zgjedhur si një prej
100 fshatrave turistikë në Shqipëri) i njohur për stanet dhe kopete e deleve rude.

2- Banjat Termale në Peshkopi

Kurimi dhe Shërimi në ujërat termale të qytetit të Peshkopisë, është atraksioni me i
famshem turistik turistik ne Diber. Zona e Dibrës është e pasur me
ujërat termo-minerale, të cilat ndodhen vetëm 1 km në rrethinat e qytetit te
Peshkopise, ku ndodhet nje qender Balnerare curative me shume sherbime qe nga banjë ne ujra te nxehta, balte, vizite mjeksore, trajtim me fizoterapi dhe shume akomodime hotelerie. Shumë njerëz besojne dhe frekuetojne ujërat termale per t’u kuruar nga disa lloje semundjesh si per te lehtësuar simptomat e artritit, reumatizmes, ftohjes, semundjet e lekures dhe
sëmundje të tjera. Harmonizimi i vlerave kurative me mjedisin e bukur perreth e ben kete zone nje destinacion turistik, me burime ujore te shumta te nxehta dhe te ftohta, pyje, vendbanime historike qe pelqehen nga amatoret e ecjeve ne natyre, dhe nga ku kjo zone njihet edhe si Lugina e Sherimit.

3 – Njëzet e një liqene akullnajore në Lurë dhe Kacni.

Liqenet akullnajore të Lurës dhe Kacni janë një grup prej 21 liqene dhe shtrihen në pjesën veriore të Dibrës. Ato janë në mënyrë amfiteatrike te vendosura në cirqe akullnajore të vargmaleve të Lurës, veçanërisht Mali i Dejës. Ato janë të vendosura midis 2,200 dhe 2,475 metra mbi nivelin e detit. Brigjet e tyre janë të pjerrëta dhe shkëmbore, te rrethuara pyjet e pishave dhe ahut qe rriten rreth liqeneve për shkak të lartësisë së madhe. Shumica e liqeneve janë pjesë e Parkut Kombëtare Lures, i cili shquhet si një zonë me vlera shumë të larta te biodiversitetit.

4 – Lumi Drini i Zi

Drini i Zi është një degë e lumit më të gjatë në Shqipëri dhe është një nga destinacionet turistike me tërheqese të vendit tone për pasionantet e peshkimit dhe sporteve ujore.
Drini i Zi pergjate gjithe lugines se tij është zonë e bukur e cila mbetet mahnitese ne cdo ane te saj, me brigjet e gjera, ngushticat dhe kodrinat përreth. Kanionet e Drinit të Zi, dhe larmishmeria e rrjedhes se lumit janë fantastike per sportin e aventures se rafting ku padyshim mund te themi nga më të mirët në Shqipëri. Qytetarët e Peshkopisë janë me fat të kenë shtepite e tyre pranë brigjeve të këtij lumi, te cilin e shfrytezojne per peshkim dhe për plazhe të mrekullueshëm.

5 – Mali dhe bjeshka e Grames, ose “Perla e Dibrës”

Mali dhe bjeshka e Grames janë pjesë e vargmalit te Korabit dhe shtrihet me një lartësi prej 2,345 metrash, me kullotat e pafundme, pyjet alpine dhe një liqen i bukur malor ne mes te bjeshkes. Ne grame janë disa monumente natyrore Karsti i malit te Bardhe i formuar nga gipsi, Pasqyrat Grames te formuara nga depozitat selenium që pasqyrojnë rrezet e diellit, bjeshka e Zonjave që sipas legjendës mendohet se ishte pronë e familjes se Kastrioteve dhe përdorej për pelegrinazh gjate muajve te verës, “Shllinasi” i Vrenjtit i cili eshte nje masiv Shkëmbi me kripe dhe shpatet e të cilit frekuentohen nga kafshet e egra dhe sidmos nga dhitë. Grama ka shume stane dhe nje vend i pershtatshem per kampingje, te cilat jane ndertuar keto vitet e fundit.

6 – Rabdishti, fshati i gurtë.

Fshati Rabdisht është një nga 100 fshatrat turistikë në Shqipëri. I ndodhur ne nje pejsazh malore, i ndertuar me shtepi tradicionale me gurë, catite prej rase guri, si dhe rrugët me kalldrëm i japin pamje te vecante dhe unike duke u njohur “fshati i gurte”. Rabdishti shtrihet në majën e lugines se Shërimit e cila ka marrë emrin e saj nga vetitë kuruese të burimeve termale të Peshkopisë dhe nga pjesa malore
të Kullotës së bjeshkes së Rabdishtit, dhe malit me te njejtin emer te vargmalit Deshat-Korab. Vizitorët e shumte qe frekuentojne kete fshat pëlqejnë jetën tipike të fshatit, bujtinat tradicionale ne Rabdisht, ku mikpritja dhe gatimet tradicionale shijohen si askund ne rajonin e Dibrës.

7 – Fshati Kërçisht, Ballkoni i Maqellares

Kërçisht i Epërm është një fshat afër Maqellarës. Ai ndodhet afër në kufirin e Maqedonisë së Veriut, në malin e Kërçin, i cili është pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik. Fshati ka disa monumente natyrore si guri Kërçinit, ujëvara Pocestit, dhe kullotat dhe burimet ujore te Kërçinit. Ky fshat eshte shume i shquar jo vetem per bukurite e natyres por edhe një kombinim i mirë i bukurisë natyrore me monumentet e kulturs qe lidhen me pesë kishat byzantine të cilat janë një nga pasurite e trashëgimnise sone kulturore. Ne kete destinacion nderthuren bukur monumentet e cultures se kalase se Grezhdanit, xhamia e Allebegise dhe kishat e Kercishtit duke e bere nje destinacion sa kulturor aq edhe natyror.

8 – Muzeu i Dibrës

Muzeu është në qendër të Peshkopisë, rreth 30 metra nga bulevardi kryesor. Ekspozitat e muzeut përbëhen nga pavioni i historise, arkeologji dhe etnografise, e cila përshkruan tërë materialin shpirtëror dhe historik te Dibrës nga periudha e hershme neolitike e deri më sot ditët tona. Në ekspozitën arkeologjike, ka një koleksion të vogël e armeve prej bronzi dhe hekuri te periudhes ilire. Ky ekspozitë muze me rreth 2,000 objekte me shumë vlerë, disa prej të cilave janë shumë te rrallë, duke filluar nga objekte arkeologjike siç janë enë balte të ndryshme, armë zjarri, shpata, sende personale të
figura historike dhe një pasuri e madhe etnografike me llojet e ndryshme të veshjeve dhe kostumeve nga të gjithë treva e Dibrës. Rreth 80% të materialeve qe ekspozohen te stedat e muzeut janë origjinale.

9 – Muzeu i Skënderbeut, familjes se Kastrioteve dhe kanioni i Setes

Dibra është vendlindja e Skënderbeut, heroi kombetare i Shqiptareve. Muzeu i Skënderbeut dhe familjes se Kastrioteve ndodhet në fshatin Sinë. Ku jane pasqyruar betejat e shumta te periudhes se Skenderbeut, tradita e familjes dhe legjendat qe lidhen me familjen e Kastrioteve, nga ku ka marre emrin edhe krahina qe shtrihet perreth. Muzeu është ndërtuar në vitin 1985, që përshkruan me dokumente dhe fotografi historinë e familjes Kastrioti. Në hyrje të muzeut jane bustet e Palit, Gjonit dhe Gjergj Kastriotit. Ka disa armë luftarake nga Periudha e Skënderbeut, si dhe ne stenda shfaqen të gjitha betejat e zhvilluara nga Skënderbeu ne zonen e Dibres. Vizitorët mund të shohin “sekretet” e pazbuluara nga vendlindja e familjes Kastrioti, legjendat, dhe toponimet e shumta te lidhura me heroin tone kombetare. Gjithashtu, ata mund të vizitojne kanionin Setes, një nga vendet me te bukura në Dibër, ku ndodhet ujevara e Sopanikes, burime te shumta ujore, shpella dhe kanionet shkembore deri tek Gjallicat dhe Gure Lura.

10 – Agro-parku i Begjunecit

Peshkopia është i njohur ne Shqiperi per plantacionet e frutave dhe për agro-produktet e tyre. Në kodrat përreth Peshkopisë, ka shumë plantacione frutore të ndryshme që nga qershite, kumbullat, mollat dhe dardha. Fshati Begjunec, që ndodhet vetëm pak larg qytetit te Peshkopisë është shumë i njohur për pemët frutore, perimet dhe fermat e blektorise per qumësht kryesisht. Te pasionuarit e ecjeve ne natyre mund te shfrytezojne bukurite e agro-parkut te Begjunecit per ecje, shetitje duke filluar nga lagja e vjeter e Peshkopise deri tek liqeni në kodrat e larta te Begjunecit (1.400m mbi nivelin e detit), vizitorët shijojne pamjen e mrekullueshme te Luginës së Drinit të Zi dhe qytetit te Peshkopisë me fshatrat perreth. Gjate ketij itinerary ju do te shikoni dhe rrenojat e “Gradishtës se Begjunecit” qe është një nga monumentet e cultures, qe lidhen me rrënojat e qendres se Peshkopeve te kishes ortodokse, nga ku ka marre emrin edhe Peshkopia.

11 – Bjeshka e Hinoskes

Bjeshka e Hinoskes është pjesë e destinacionit më të afërt malor nga qyteti i Peshkopise, vetëm 6 km larg me rruge te aksesueshme. Bjeshka eshtë pjesë e malit te Velivarit (2.369m), e cila karakterizohet nga kullota të gjera malore dhe zona më të vogla shkëmbore silikate. Gjate veres kjo zonë është e populluar nga banorët vendas që grumbullojne bime mjeksore si boronica, çaji malit, manaferra, etj. Turiste te shumte e vizitojnë dhe qëndrojnë në stanet dhe shtëpite pritese te Fidallareve per verim dhe per kurim te semundjeve azmatike. Ne kete destinacion jane disa fshatra tipike si Melani, Trepca dhe Ilnica qe shquhen per mikpritjen, ndertimet tradicionale dhe ne fshatin Ilnice ndodhet edhe nje teqe qe frekuentohet nga vizitoret per peligrinazh fetare.

12 – Fshati Zimur, “Catia e Peshkopisë”

Fshati Zimur, i vendosur ne lartesine rreth 1.400 metra mbi niveli i detit njihet si “Kulmi i Peshkopisë” por mund te themi edhe fshati me i larte ne Shqiperi. Fshati ndodhet 4 km larg Peshkopisë dhe së bashku me 3 fshatrat e tjerë Bahute, Shimcan dhe Staravec njihen si katundet e Epërme të Peshkopisë. Këto fshatra shquhen për pamjen e bukur te tokave te punuara, kultivimin e patates dhe mallet me lajthi qe krijojne nje pejsazh te bukur kodrinor dhe malore, pjesë e Parku Natyror Korabi -Koritnik. Vendi ofron toponime dhe rrenoja me legjenda te pasura per qytetarime te hershme si për kodrat e manastireve shëruese të Staravecit dhe rrënojat antike të një qyteti në Bahute. Ky destinacion te krijon
mundësi për vizitorët qe nga Peshkopia te shikojne per 1 ore pamjen me te bukur dhe me piktoreske te vargmalit te Korabit, nga mja e Llapshnikut (deri 2.200 m), ku shikohet si amfiteater bjeshka e Grames, Skerteci, lugina e Drinit te Zi, Radika, Lugina e Sherimit dhe Parku i Lures, duke qene nje destinacion lehtesisht i arritshem me ecje ne kembe, makine dhe dhe biçikleta malore.

13 – Qyteti i Peshkopisë

Peshkopia është qendra administrative e Bashkisë Dibër. Mendohet se emri i Peshkopisë ka të bëjë me ekzistencën e “Episkopatës së Stefanikës”, që nga viti 1020. Peshkopia është qendër urbane ku qyteti i ri kombinohet me qytetin e vjetër, nga nje stil automan me një stil të ri të qytetit te periudhës komuniste. Qyteti i Peshkopise është i famshëm për “Bulevardin e Blinave”, i cili mbulohet pergjate gjithe gjatesise se tij nga druret dekorative te blineve, dhe ku jane te ndertuara te gjitha godinat administrative, dyqanet dhe Pallati i Kulturës « Haki Stermilli », ku mbahen koncerte të ndryshme, përfshirë edhe festivalin foklorik te “Odes Dibrane” me pjesëmarrje nga grupet artistike të gjitha trevave shqiptare, dhe Festa e te Vjelave e produkteve bujqesore te zones. Ne Peshkopi ka shumë bare dhe restorante ku vizitorët mund të shijojnë një kafe, pije te frutave te Dibres, te provojnë raki kumbulle dhe gatimet e mrekullueshme tradicionale të Dibres, si pula me jufka dhe sheqerpare.

Ky material informues eshte pregaditur nga Besnik Alku (ekspert zhvillimi), pjese e guides turistike te Dibres.

Ejani ne Diber sepse si Dibra s’ka tjeter!

 

Admini webit

Menaxher i rrjeteve sociale në Dibër dhe jo vetëm ! Guider turistik Fotograf i lirë ...! Bloger

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close
Close
%d bloggers like this: