Aktualitet i ditësSocial kulturoreSpiritualitetTurizëm dhe TraditëVizito Dibrën

DASMA DIBRANE SOT

Me kalimin e shekujve, përveç të tjerave, edhe koncepti i fisit kaloi në konceptin e individit. Kjo do të thotë që funksionin kryesor në organizimin e vjetër shoqëror e kishte fisi, vëllazëria. Pra familja e madhe në tërësi. individi nuk kishte asnjë lloj funksioni të mëvetësishëm përveçse në bashkësi. Me kalimin e kohërave, kur filloi shpërbërja e familjeve të mëdha, kalimi i tyre në familje të vogla, (respektivisht një kurorë) burrë, grua dhe fëmijët e tyre, atëherë koncepti i fisit kaloi në atë të individit. Sigurisht shumë zakone e humbën kuptimin fillestar të tyre dhe filluan të përdoren si lodra apo ceremoni zbavitëse.
Megjithatë, dasma si ngjarja më festive, jo vetëm e vetë embrionit të shoqërisë tradicionale – fisit, por edhe për vetë individin, manifestonte kulmin e ritualeve dhe vlerat etnokulturore të trevës së Dibrës. Me lëvizjet demografike, emigrimin dhe migrimin e popullsisë, shumë rite u sheshuan, duke e humbur rëndësinë e tyre.
Kështu duke qenë produkt i shumë shekujve dhe i shumë brezave, ceremoniali i dasmës ka pësuar shumë ndryshime. Megjithatë duhet të pohojmë se në këto ceremoni të dasmave dibrane sot, dallon gjurmë zakonesh e ritesh të vjetra, edhe pse ato po kryhen sipas traditës së e vendit ku çifti ka kaluar pjesën më të madhe të jetës dhe janë të ndikuara nga emigracioni dhe ekonomia e familjes.
Duhet të pranojmë se sot dasma dibrane zgjat shumë më pak se dasma tradicionale. Në një farë mase ato janë “globalizuar me dasmat e tjera shqiptare dhe ato evropiane apo më gjerë. Tani po përdoren “formula klishe”
si në dasmën në shtëpinë e djalit edhe në atë të vajzës.
Tani vajza nuk bëhet më nuse në shtëpi, por në parukeri zbukurohet.
Veshja tradicionale i ka lënë vendin vellos së bardhë, megjithatë aty – këtu përdoret (sidomos nga emigrantët), për të fiksuar momente përpara kameras që të mbeten si kujtim i kësaj dite.
Kameramani është bërë pjesë e pandashme e dasmës, duke ndjekur deri në imtësi çdo detaj të ceremonialit, për të fokusuar në objektivin e tij, të gjitha momentet e kësaj ngjarjeje.
Dreka ose darka e dasmës, preferohet nga të dyja palët, të shërbehet në lokale të mëdha, ku zbukurimet për këtë eveniment janë të pranishme, por duhet thënë se të gjitha këto janë artificiale, mungon natyrshmëria dhe prezenca origjinale e natyrës.
Sot dasmat dibrane janë të prirura të jenë më të kufizuara sa i përket numrit të të ftuarve. Vendin e lodrave dhe të culave përgjithësisht e kanë zënë dixhej ose orkestrat me foni, të cilat shpeshherë duke qenë në një ambjent të mbyllur shpesh kthehen në zhurma të lodhshme.
Muzika që ato përcjellin është nga më e larmishmja. Nuk luhet shpesh vetëm muzika e traditës, tani ajo ka ” kapërcyer” kufinjtë dhe është huazuar muzikë nga vise të ndryshme të botës. Edhe vallet tradicionale (me praktikime të pakta), po ia lënë vendin kërcimeve moderne dhe klasike të huazuara nga jashtë.
Menuja nuk bazohet më në gatimet tradicionale, pasi i ka lënë vendin gatimeve të kuzhinave të ndryshme evropiane. Pothuajse në gjithë dasmat serviret i njëjti gatim, të njëjtat pije (me gaz dhe pa gaz) alkolike, verërat etj. Shpeshherë dasmat po kryhen edhe në formën e ceremonive të thjeshta, vetëm me koktejle. Vargu i pafundi makinave që shoqërojnë nusen është kthyer në tendencë sot. Makinat të zbukuruara me lule dhe me objekte të ndryshme, janë në një farë mënyre një version modern i zbukurimit të kalit të nuses, në dasmën tradicionale.
Po ashtu edhe shoqërueset e nuses, sot përgjithësisht janë një vazhdim i traditës së shoqërimit të nuses nga shtëpia e saj për në shtëpinë e dhëndrit.
Ndoshta dikur, mungesa e institucioneve të mirëfillta artistike dhe jetës së gjallë kulturore, mungesa e medias elektronike, e rriste karakterin spektakolar të dasmës. Pra ndaj mund të na duket se sot me revolucionin e teknologjisë, dasma tradicionale mund të tingëllojë pak anakronike, por jemi të bindur se çdo kohë sjell ndryshimet e veta. Një rit i vjetër zhduket një tjetër i ri vihet në përdorim. Për një gjë duhet të jemi të qartë. Dibrani e ka respektuar dhe e respekton lidhjeneshenjtë të martesës. Me gjithë ndryshimet e pësuara në traditën e dasmës tradicionale thelbi i saj ruhet në mënyrë mjaft fanatike. Respekti ndaj kurorës, respekti dhe dashuria ndërmjet të rinjve që lidhen në martesë, respekti ndaj mikut dhe të ftuarit. Këto i kanë rrënjët shumë të thella, bazuar në traditë dhe duke u transmetuar brez pas brezi, nuk e kanë humbur fizionominë e tyre.
Ky informacion eshte huazuar nga libri Dasma Tradicionale Dibrane te autores Mimoza Shqefni

Admini webit

Menaxher i rrjeteve sociale në Dibër dhe jo vetëm ! Guider turistik Fotograf i lirë ...! Bloger

Related Articles

Back to top button
Close
Close
%d bloggers like this: