AktualitetAktualitet i ditësNë PeshkopiPersonalitete

Ndahet nga jeta dibrani 101 vjeçar, XHETAN PRENÇI

HOMAZH PËR MBISHEKULLORIN QË PROVOI MONARKINË, KOMUNIZMIN DHE EDEMOKRACINË
NDAHET NGA JETA 101 VJEÇARI XHETAN PRENÇI, ISH-PARTIZAN I BRIGADËS 18 S
Jetoi mbi një shekull për të provuar tri kohët: monarkinë, komunizmin dhe demokracinë.
Mbishekullori Xhetan Prençi, i cili ndërroi jetë dje, zyrtarisht mbante ditëlindjen 5 prill 1920 në Muhurr të Dibrës, por siç pohonte sa qe gjallë ishte edhe më i hershëm (i vitlindjes 1916).
Ish-partizani i Brigadës së 18-të S dhe kryetari i pare i Kooperativës bujqësore Muhurr, Dibër, Xhetan Prençi më 23 gusht priste të festonte 77 vjetorin e Çlirimit të Peshkopisë nga pushtuesi nazifashist, por sot ai përcillet me të gjitha nderimet për në botën e përtejme.
Zoti i fali këtë jetëgjatësi këtij burri trim e të mençur, simbol i urtësisë dhe i njeriut me shpirt sakrifice e humanizmi, që nderon Muhurrin e gjithë Dibrën.
Ai mbahet mend nga bashkëmoshatarët për një fëmjëri të mbarë dhe dëshirë per arsimim. Xhetani kishte mbaruar arsimin 5-vjeçar dhe kuptonte shumë mirë zhvillimet e kohës. Në vitin 1943 bëhet aktiv i lëvizjes Nacional- Çlirimtare dhe në gusht 1944 bëhet pjesë e Brigadës së 18-Sulmuese që u formua në Sllatinë, Diber.
Xhetan Prençi ka luftuar me armë në dorë për 30 muaj nga gushti 1944 deri ne Janar 1947, kohë kur u shpërnda Brigada e 18-Sulmuese, ku ai bënte pjesë. Ai ka qenë në vijën e parë të frontit në betejat që Brigada e 18-Sulmuese ka zhvilluar në zonën e Prizrenit dhe Kosovës, deri në kufi me Serbinë.
Në vlerësim të kontributit të tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, më 1 Nentor 1951, Xhetan Zenel Prençi, është dekoruar me “Medaljen e Çlirimit” nga presidenti i kohës Omer Nishani.
Pas vitit 1947, Xhetan Prençi ka punuar si teknik pyjesh dhe si drejtues i pushtetit popullor.
Në vitin 1967 deri ne vitin 1969, do t’i ngarkohej detyra e Kryetarit të Kooperativës Bujqesore Muhurr dhe kështu do të ishte kryetari i parë i kooperatives, pas kolektivizimit të bujqësisë nga prona private në pronë kolektive.
Në këtë funksion të vështirë, Xhetani do të dallohej për vullnetin dhe dëshirën për të punuar dhe për të drejtuar në mbarvajtjen e punëve në kooperativën Bujqesore të Muhurrit, me qëllim përmirësimin e jetesës së muhurrakëve, duke ngritur vlerën e ditës së punës. Për këtë Ai ishte kërkues ndaj punonjësve muhurrakë, por edhe në instancat e larta të partisë dhe pushtetit në rrethin e Dibrës.
SI I SHPËTOI BURGUT PAS “INCIDENTIT”
ME ISH KRYEMINISTRIN MEHMET SHEHU
Në vitin 1969, Muhurrin e viziton ish kryeministri i kohës Mehmet Shehu dhe Xhetani do të ishte padyshim njeriu që do e priste bashkë me popullin e Muhurrit. Në takim e sipër Xhetani, në rolin e kryetarit të kooperatives do ti drejtohej kryeministrit Mehmet Shehu, duke i kërkuar ndihmë për hapjen e kanalit të madh që merrte ujin në “Gjurrën e Kumullës” në Rrasë të Bardhë afer lumit Murra që do të përshkonte gjithë Muhurrin, duke futur nën ujë e vaditje mbi 450 hektar tokë në Fush-Muhurr dhe Vajmdhej. Kështu ky kanal do të ndikonte në rritjen e prodhimit dhe kultivimin e disa kulturave bujqësore. Kryeministri Shehu, duke parë pozicionin gjeografik të Muhurrit mes dy lumenjeve dhe të rrethuar me male tha: “Muhurri duhet të ishte ‘Myzeqe për Dibrën’ se i ka të gjitha kushtet klimatike për bujqësinë dhe blegtorinë, por duhet të punoni vetë e njëkohësisht dhe kanalin duhet ta hapni vetë. Po të isha unë kryetar i kooperatives bujqësore Muhurr, nga 50 lek për ditë pune do e kisha ngritur në 200 lekë, por ju kërkoni vetëm partia dhe qeveria”..!
I gjendur përpara këtij presioni të kryeministrit, Shehu, kryetari i kooperativës bujqësore Muhurr Xhetan Prençi, mendoi se zgjidhjen do e gjente te alegoria dibrane, ndaj i drejtohet kryeministrit duke i thënë: “Shoku kryeministër! Unë nuk e kam fuqinë dhe koompetencat tuaja se kanali ka nevojë për lëndë eksplozive dhe punë të specialistëve, pasi mbi 5 km është shumë shkëmborë, ndësa ne nuk i disponojmë”. Pastaj shtoi një alegori dibrane se “edhe pula u mundua ta bëje vezën sa pata, por i plasi bytha”. Kur kryeministri dëgjoi alegorinë, menjëherë urdhëroi arrestimin e kryetarit të kooperativës Xhetan Prençi dhe dërgimin në Peshkopi. Pastaj kryeministri Shehu ju drejtua popullit të Muhurrit se kanali do të hapej nga Partia dhe do jetë dhuratë e Partisë për popullin punëtor të Muhurrit.
Për lirimin nga arrestimi të Xhetanit ndërhyri Haxhi Lleshi që shoqëronte Kryeministrin, duke argumentuar se Xhetani, kishte qenë partizan dhe ishte nga një familje e mirë që kontribonte në bujqësi e blegtori. Disa ditë me vonë filloj puna për hapjen e kanalit dhe shumë shpejt e gjithë toka bujqësore në Muhurr u fut nën ujë dhe në sistemin vaditës.
PUNOI SI TEKNIK PYJESH DERI SA DOLI NË PENSION
Xhetan Prençi u lirua brenda ditës nga Dega e Brendshme, por kryeministri kishte urdhëruar se nuk do kthehej më kryetar kooperative. Nga ajo ditë ka punuar si Teknik Pyjesh, deri sa doli në pension në vitin 1985. Gjurmët e punës së tij janë në qindra ha pyje, gjer majë Runjës sidhe bregut të Drinit, nga Zalli i Sinës, Vajmdhej e deri në Katund të ri, ku ai ideoi dhe drejtori punimet për shtimin dhe përmirësimin e tyre. Ai ishte njeri i punës dhe i aksionit, por dhe i mençurisë së rrallë dibrane dhe si i tillë do kujtohet brez pas brezi nga familja, miqtë e të afërmit, në Dibër, Tiranë e në gjithë Shqipërinë.
Ne pasardhësit e tij, krenohemi me jetën dhe veprën e këtij vigani, luftëtar e patriot, pjesëmarrës me armë në dorë në Luftën e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, guximtar e i pathyeshëm në kohën kur drejtonte kooperativën bujqësore, duke u ndeshur ballazi me ish kryeministrin Mehmet Shehu e duke vuajtur pasojat e rebelimit të tij në dobi të prosperitetit të Muhurrit…dhe më vonë për vite të tëra si kontributor shembullor për zhvillimin e pyjëve e kullotave. Pikërisht për këtë kontribut të çmuar Ai do të frymëzojë brezat e sotëm e të ardhshëm.
May be an image of 1 person, standing and outdoors

Admini webit

Menaxher i rrjeteve sociale në Dibër dhe jo vetëm ! Guider turistik Fotograf i lirë ...! Bloger

Related Articles

Back to top button
Translate »
%d bloggers like this: