Aktualitet dhe LajmeLajme nga DibraLajmi i funditPërditshmëriPersonalitete

Argumentat Kunder Ndertimit te Skavices

Tiranë, më 22. 02. 2022

Profesor Doktor Adem BUNGURI

Argumentet kundër SKAVICËS

Çështja e ndërtimit të HEC-it të Skavicës, është sot çështja më e rëndësishme për dibranët dhe jo vetëm, pasi vë në rrezik thelbin e qenjes, të ekzistencës së Dibrës dhe të dibranëve, dhe i vendos ata para dilemës hamletiane “to be or not to be!” (të jeshë apo të mos jeshë!”). Për pasojat e rënda që do të ketë për Dibrën, ndërtimi i HC të Skavicës, ky problem nuk mund dhe nuk duhet të kalohet në heshtje.

Më poshtë po parqesim reagimin tonë të fortë kundër këtij projekti, për arsyet e mëposhtme:

  • Për arësye gjeografike dhe ekologjike

Skavica përfaqëson një prag të lartë shkëmbor që ngrihet midis fshatrave Qafë-Draj të Reçit të Dibrës në jug dhe Ujmisht të zonës së Lumës së Kukësit në veri, dhe që në kuptimin gjeografik, ndan pellgun e Peshkopisë nga ai Bicaj-Kukës.

Në gjeomorfologjinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, lugina e Drinit të Zi, përfaqëson padyshim një nga koridoret më të rëndësishme lumore. Pellgu ujëmbledhës i Drinit të Zi me sipërfaqe 5885km2 përbën bazën e një eko-sistemi mijëvjeçarë. Në rajonin e Dibrës shtrihet rrjedha e mesme e luginës së këtij lumi, me një gjatësi prej 75 km, duke filluar nga gryka e Jabllanicës ku ndahet me Strugën në jug deri në pragun e Skavicës në Qafë Draj në veri. Në këtë luginë lumore, si askund tjetër, alternohen pellgjet dhe pragjet lumorë, në një harmonizim të përsosur gjeomorfologjik. Këtu vargmalet lindore e ato perëndimore herë largohen duke të shpalosur para syve fusha të bukura e pjellore, siç ndodh në pellgun e Dibrës dhe në atë të Peshkopisë, dhe herë afrohen dhe të detyrojnë të ngjitesh në qafat kufizuese apo pragjet malorë, siç ndodh në qafën e Qenokut dhe pragun e Dovalanit në jug, apo qafën e Draj-Reçit dhe pragun e Skavicës në veri[1].

Me luginën e tij gjatësore, ky lum ka krijuar që në lashtësi jo vetem një vend tërheqës për banim, por edhe  një arterie të rëndësishme natyrore, që lidh Shqipërinë Lindore me Maqedoninë Perëndimore, Kosovën. si dhe viset fqinje dhe ato më të largëta.  Ne rajonin ne shqyrtim, Drini i Zi formon dy pellgjet  me te  medha te tij, atë të Dibrës (15 x 9 km) me lartësi 400-450 m mbi nivelin e detit dhe atë të Peshkopisë (8 x 6 km) me lartësi 300-350 m, të ndarë nga pragu i Dovolanit dhe qafa e Qenokut. Falë aluvioneve dhe sedimenteve pjellore te shtresezuara në shekuj, keto pellgje jane mjaft të begatë, dhe përbëjnë zonat më të rëndesishme bujqesore dhe ekonomike të ketij rajoni. Lugina e mesme e Drinit të Zi, është jo vetëm lugina lumore më e bukur dhe më e begatë në Shqipëri, por ndër më të bukurat në botë! Populli i Dibrës nuk do të lejojë përmbytjen e kësaj pasurie të çmuar për asnjë çmim!

  • Për arsye ekonomike dhe demografike

Territori i rrethit të Dibrës ka këtë strukturë tokash: fushat lumore me lartësi 300-600m zënë 13.7% te sipërfaqes, zona kodrinore paramalore me lartësi 600-1000m zë 30% e saj, malet me lartësi 1000-2000m zënë 53.5% të territorit, ndërsa pjesa tjetër (2.8%) zihet nga malet  e larta mbi 2000m. Këto të dhëna janë për pjesën e Dibrës që shtrihet në Republikën e Shqipërisë[2]Pra tokat më të mira të këtij rajoni, të tipit aluvional, me strukturë pedologjike mjaft pjellore, gjenden anash shtratit të Drinit të Zi, dhe do të asgjësoheshin përgjithmonë nga realizimi i këtij projekti. Ndërtimi i HC të Skavicës, pavarësisht nga numri i digave, do të sillte mjaft pasoja negative social-ekonomike dhe kulturore, por mbi të gjitha ai do të përmbyste përjetësisht një nga zonat më të rëndësishme të Shqipërisë Lindore, siç është pellgu i Dibrës.

Së pari, asgjësimi përfundimtar i pjesës më pjellore të tokës së Dibrës, do t’i hiqte asaj bazën e nevojshme ekonomike që e ka mbajtur popullsinë dibrane aty prej më shumë se 8000 vjetësh. Fusha e Dibrës historikisht ka qenë hambar për Malet e Dibrës, dhe të dy këto njësi të saj kanë qenë përherë në mardhënje komplementësie ekonomike njera me tjetrën. Fusha e Dibrës e furnizonte Malësinë me drithra buke dhe merrte prej saj prodhime drusore e blektorale etj. Në vitet më të vështira të krizës së bukës gjatë luftës I botërore, përkatësisht kohën e pushtimit serb (1913-1921) dhe atij austro-hungarez (1915-1916), hambarët e Dibrës nuk u thanë nga drithi, përveçëse u dogjën nga hasmi. T’i heqësh Dibrës këtë pjesë organike të saj, ta gjymtosh atë, është sikur t’i presësh gjymtyrët trupit të njeriut. Dhe unë besoj se qeveria do ta rishqyrtojë këtë çështje jetike për Dibrën. Dibra nuk mund të flijohet dhe të sakrifikohet për të shpëtuar të tjerët, edhe pse ajo i ka ndihmuar gjithnjë të tjerët, kur ata kanë pasur nevojë. Në këtë kontekst mjafton të kujtojmë se vetëm dibranët qëndruan përkrah shkodranëve, kur Shkodra ishte rrethuar nga pushtuesit malazez në vitin 1912-1913 (10 tetor1912-22 prill 1913)! Ideja e përmbytjes së Dibrës për të shpëtuar Shkodrën, mizore dhe neveritëse në vetvete, të kujton “këshillat” e Dr. Adhamudhit, që për të shpëtuar njerin sy duhej të nxirrej tjetri!

Së dyti, duhet të kujtojmë se fusha e Dibrës nuk është tokë e krijuar nga tharjet e kënetave apo moçaleve, as me punë angari të të burgosurve politikë. Ajo nuk përfshihet në këto kategori. Ajo është trashëguar brez pas brezi, dhe është blerë e shitur me flori. Kjo është arsyeja që në Dibër nuk u zbatua dhe as që mund të zbatohej ligji bolshevik  nr. 7501 i vitit 1991.

Së treti, përmbytja e Dibrës do të provokonte një lëvizje të madhe demografike dhe do të sillte probleme të mëdha sociale për këtë brez dhe për brezat e ardhshëm.

  • Për arsye arkeologjike

 Si arkeolog më duhet të mos heshtë! Si arkeolog kam shkelur në çdo fshat të Dibrës! Si arkeolog i them me bindje JO SKAVICËS! E them këtë pasi nëntoka e Dibrës ruan në gjirin e saj vlera të jashtëzakonshme arkeologjike, të cilat sapo kanë filluar të zbulohen e të studiohen. Në bazë të studimeve të derisotme, rezulton se ky është një ndër rajonet më të përshtatshëm gjeografiko-topografik, me kushte jetësore optimale për jetesë, gjë që ka përcaktuar edhe hershmërinë e banimit të tij nga njerëzit që në prehistorinë e largët. Lugina e mesme e Drinit të Zi, territorialisht e lidhur me këtë rajon, përfaqëson zonën ku janë evidentuar gjurmët më të hershme të qytetërimit neolitik në Shqipëri, kronologjikisht të lidhur me gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të VII para Kr. Fshatrat më të hershëm neolitikë të këtij rajoni dhe ndër më të hershmit në Shqipëri janë Burimi, Cetushi, Kronëzat (Fushë-Alie), prej të cilave, dy të fundit përfshihen brenda kuotave të përmbytjes, pasi janë shumë afër bregut të djathtë të Drinit të Zi.

Nëpër këtë luginë kalonte degëzimi verior i Egnatias antike, që bashkonte dy tranversalet më të mëdha tranballkanike, atë Egantia në jug (Ohër) dhe atë Lissis-Naissus në veri (Kukës). Në zonën e përfshirë nga harta e liqenit të HC të Skavicës do të përmbyteshin përgjithmonë, pa u prekur nga arkeologët, një arkiv i vërtetë vlerash dhe artefaktesh arkeologjike, që gjenden në këtë hapësirë. Duke filluar nga Skavica, pra nga veriu, e duke u ulur në drejtim të jugut, mund të përmendim sitet arkeologjikë të rrezikuara nga përmbytja:

  • Zona tumulare e Draj-Reçit e periudhës së Hekurit (tek Trocet)
  • Zona tumulare e e periudhës së Hekurit e Zall-Dardhës (Meja e Qytetit)
  • Vendbanimi eneolitik “Kodra e qytetit” (Zall-Sinë)
  • Vendbanimi i Neolitit të Hershëm në Kronëza (Fushë-Alie)
  • Stacioni rrugor romak në “Xhirret e Përnezhe” (Fushë-Alie)
  • Vendbanimi prehistorik në “Rrokoçele të Kutës”, Blliçe (Fushë-Alie)
  • Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Ferrës” në Blliçe (Fushë-Alie)
  • Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Pareve” në Blliçe (Fushë-Alie)
  • Venbanimi prehistorik i Cetushit (Cetush)
  • Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Ballës” në Muhur
  • Vedbanimet prehistorike dhe antike të Ushtelenzës
  • Vendbanimi prehistorik i Bronzit të Hershëm në Selane
  • Kisha mesjetare në Katund të Ri
  • Vendbanimi antik dhe mesjetar i Gradecit (Gradec)
  • Vendbanimi prehistorik dhe antik i Topojanit
  • Vendbanimi prehistorik “Tuma e Zojcës” (Mazhicë)
  • Nekropoli i periudhës romake në Gjoricë të Poshtme
  • Kalaja ilire e Tuçepit ose Lladomericës etj.

Kjo do t’i shkaktonte një dëm të madh shkecës sonë arkeologjike. Nga ana tjetër ajo do të plotësonte dëmin e krijuar në pjesën lindore të Dibrës, që shtrihet në territorin e FYROM,  ku në vitin 1968 u përmbyt përjetësisht fusha e Udovës, më e madhja dhe më pjellorja e pellgut të Dibrës. U krye me atë rast një gërmim i vogël shpëtimi, sa për të thënë, dhe u varrosën nën ujë vlera të pallogaritshme arkeologjike. U përmbytën përjetësisht vlerat e një qytetërimi të lashtë ilir. Vendbanimi i periudhës urbane gjendej reth 2km në lindje të qytetit të Dibrës, poshtë rrugës së dikurshme Dibër-Shkup, në krahun e djathtë të lumit të Radikës. Para se kjo fushë e madhe të përmbytej nga ujrat e liqenit të hidrocentralit të Spilesë (Dibër) (1964–1968), gjatë gërmimeve të shpëtimit të kryera aty, arkeologia V. Bitrakova-Groždanova jep informacionin e parë dhe të fundit arkeologjik. Sipas saj, “aty janë zbuluar mjaft objekte arkeologjike të periudhës  së hekurit dhe asaj urbane, si dhe themele banesash e vilash rustica, të ndërtuara me gurë e llaç, pitosa qeramike si dhe 14 varre të ndërtuara me tulla të tiptit “çati dyujëshe” të periudhës së sundimit romak (shek.III-IV pas Kr.)”. Në interpretim të këtij materiali, ajo arrin në përfundimin se “në Udovë gjendet një vendbanim i madh me kontuinitet nga koha e hekurit deri në mesjetë”[3].

Pikërisht në këtë vend, e mendojmë edhe lokalizimin e qytetit ilir të Oaeneas, qytetit më të fortifikuar penest, pranë lumit Artatus (Radicis) dhe një mali të mezikalueshëm (Kërçini-pjesë e “Scardus mons”), një nga tre qytetet më të zhvilluara peneste, krahas kryeqendrës së Penestisë-Uskana (Kërçovë), dhe Draudakut (Gradec-Gostivar). Burimet antike (Polibi, Livi) pëmendin krahas tyre edhe 11 qyteza peneste në këtë rajon. Ato  dëshmojnë se qyteti i Oaeneas luajti një rol të rëndësishëm në luftrat mbrojtëse si kundër Perseut të Maqedonisë ashtu edhe konsullit Ap Claudi të Republikës së Romës në vitin 169 para Kr., në përpjekje për të ndaluar kthimin e Adriatikut në një “mare nostro”.

  • Për arsye historike

Është theksuar shumë kohë më parë roli i rëndësishëm i Dibrës dhe kontributi i saj i veçantë në historinë nacionale, në të gjitha etapat e zhvillimit historik e shoqëror. Përmbytja e saj do të thotë përmbytje e të gjithë kësaj historie. Një moment i lavdishëm i saj është padyshim epopeja Skënderbejane e mesit të shek. XV, dhe luftërat e tij fitimtare, atdheu historik i të cilave, është vetë Dibra, ku Skënderbeu zhvilloi 19 nga 24 betejat e tij. Pikërisht kjo Dibër tani rrezikohet nga përmbytja! Me këtë veprim të nxituar, zhduket ose përmbytet përjetësisht një pjesë e territorit hapësinor të kësaj epopeje!

Urrejtja ndaj Dibrës e dibranëve u shfaq sidomos gjatë luftërave për pushtimin e Dibrës në vitet 1912-1921. Ofensiva serbe e tetorit 1913 dhe ajo e vitit 1918,  nuk lanë fshat të Dibrës pa djegur dy e tri herë. Pushtuesit serbë me sadizmin e pashoq dhe taktikën e “tokës së djegur”, kryen në këtë hapësirë masakra nga më të tmerrshmet, që mund të imagjinohen nga mendja njerëzore. Nuk ka pëllëmbë të tokës dibrane që nuk u skuq nga gjaku i bijëve të saj, në mbrojtje të vatanit! Këto janë të dokumentuara në arkivat e kohës, në memorien popullore, por edhe në toponimet e shumta të kësaj periudhe si “vorret e vrame”, “vorret e serbit”, “vorri i gruas”, “vorri i nuses”, “vorret e cullve” etj, që tani duam t’i mbysim përjetësisht nën ujrat e liqenit dhe t’i fshijmë nga kujtesa historike. Ndërsa shkruaj me nervozizëm këto radhë, më vjen në mendje postulati therrës:Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshishë kujtesën e tij historike. Shkatëroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëhere vini dikë të shkruaj libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harroj se çfarë është dhe çfarë qe!”.

  • Për arsye gjeo-strategjike

Është vështirë të mendohet, por përmbytja e Dibrës të duket si një plan i hartuar jo në Tiranë, por në kancelaritë e Serbisë që donin ta përfshinin Dibrën brenda kufijve të tyre dhe që kërkonin të vinin kufirin e tyre përgjatë Drinit, ose në vargun e maleve perëndimore të Dibrës, ndërsa qëllimi i tyre strategjik ishte dalja në Durrës!. Mjaft të sjellim ndër mend faktin se “Naçertania”famëkeqe e I. Garashaninit (1844), parashikonte edhe “aneksimin e trojeve shqiptare të Vilajetit të Kosovës si dhe të pjesëve veriore dhe qëndrore të Shqipërisë”. Një pjesë e këtij plani ogurzi realizohet në vitin 1913, kur thika e ftohtë e diplomacisë evropiane ndante trupin e Dibrës me qetësinë e ndarjes së një torte në tavolinën e ngrënies, dhe i shkëpuste atij qytetin e Dibrës me rrethinë, Rekën, Radikën, Udovën, Kosovrastin, Zhupën dhe tokat më pjellore të pellgut të Dibrës!

Është e tepërt të kujtoj se për kontributin e çmuar në historinë tonë nacionale gjatë të gjithë periudhave historike, Dibra Lindore, politikisht e përfshirë në FYROM, gjatë shekullit të fundit është trajtuar me urrejtje nga qeveritë sllavo-ortodokse të Beogradit dhe të Shkupit!. Të gjitha veprimet e kryera atje janë pjesë e një plani tërësor dhe të mirëorganizuar nën frymën çubriloviçiane për shpopullimin dhe shkombtarizimin e Dibrës. Është e tepërt të kujtoj se me këto qëllime të mbrapshta ishte përmbytur nga pushteti sllavo-maqedonas edhe pjesa lindore e Dibrës dmth fusha e madhe e Udovës në Dibrën e Madhe (FYROM) me sipërfaqe 1340ha, me pretekst të ndërtimit të HC të Spilesë!. Me përmbytjen e kësaj fushe të bekuar nga qarqet nacional-shoviniste të Beogradit u thuhej dibranëve të Dibrës së Madhe të iknin nga të donin, vetëm në Dibër të mos rrinin, se Dibra u duhej atyre, të pavatanëve, ardhacakëve të stepave!

Pyetja që shtrohet në këtë kontekst social-historik është: përmbytja e sotme e Dibrës së mbetur londineze, me ose pa dashje, a nuk duket se i ngjan, qoftë edhe formalisht, këtyre planeve antishqiptare?! Çfarë do t’u thuhet dibranëve të Dibrës Perëndimore?! Të iknin edhe ata, nga sytë këmbët, se tokat e tyre do të t’i përpijë liqeni i alogjizmave të ekonomisë!

Në fund një sugjerim: përse nuk studiohen mundësitë e prodhimit alternativ të energjisë, siç është p.sh energjia diellore apo ajo e erës, dhe të ndiqet modeli gjerman apo austriak i shfrytëzimit të saj?! Me pak investim fillestar, qoftë edhe me konçension, por pa humbur asnjë mtokë dhe pa asnjë pasojë ekologjike?!

Për arsye klimatike

 Tek arsyet klimatike vetëm do të përmendja prishjen e ekosistemit natyror si dhe faktin se rritja e sipërfaqes së pasqyrës ujore do të rriste menjëherë lagështirën absolute dhe relative të ajrit, e cila do të ndikonte drejtpërdrejtë në ritjen e sëmundjeve reumatizmale dhe artriteve tek popullata aktive për punë, ajo e re dhe e mesme, madje dhe tek fëmijët, që sapo të dilnin në rrugë do të ndesheshin me mjegullën dhe ajrin e lagësht që do të vinte nga pasqyra e liqenit të stërmadh të HC të Skavicës. Nga një sondazh i kryer në Llixhat e Peshkopisë, rezulton se mbi 80% e të shtruarëve, vijnë nga zonat e Shkodrës, Kukësit, Tropojës dhe Pukës, ku sipërfaqja e pasqyrës ujore për shkak të HEC-eve të ndërtuar, është relativisht e madhe, dhe për rrjedhojë, lagështia e ajrit është po kaq e madhe.

  • Për arsye juridike

Në të gjithë botën e qytetëruar, para se të merren vendime të tilla që ndikojnë drejtpërdrejtë në ekosistemin e një rajoni të dhënë dhe në jetën e mijëra banorëve, organizohen referendume popullore. Pasi një qeveri e përgjegjshme, punon për interesat themelore të qytetarëve të vet. Atëherë, përse të mos bëhet një referendum me banorët e Dibrës dhe pastaj të vendoset, pro ose kundër?! Të gjithë e dimë mirë se në pikëpamje juridike, sikur qoftë edhe një pronar i vetëm i zonës së përmbytur, të mos jap pëlqimin e tij, asnjë HC nuk mund të ndërtohet! Dhe meqë jemi tek binomi qytetarë-qeveri, më vjen në mendje postulati i gazetarit të njohur amerikan Eduard R. Murrow A nation of sheep will beget a government of wolves”. Përkthimin e saj në shqip unë nuk do ta bëj, pasi sot anglishten e njohin pjesa dërmuese e brezit të ri dhe e intelektualëve, dhe ky përkthim praktikisht është i panevojshëm.

  • Rrugë alternative për prodhimin e energjisë

Teknologjia e sotme mundëson prodhimin e energjisë elektrike, pa dëmtuar asnjë cmtokë. Prej tyre përmendim energjinë diellore dhe atë të erës. Shqipëria është ndër vendet me ndriçim më të lartë diellor në Ballkan. Rrezatimi diellor, me një mesatare vjetore mbi 2200 orë/vit, gërsheton karakterin subtropikal dhe atë kontinental të klimës, duke u ulur nga perëndimi në lindje dhe nga jugu në veri. Kështu nga 2374 orë/vit në bregdetin e Adriatikut (Vlorë) ai ulet në 2530 orë/vit në prapatokën e tij (Tiranë) deri në 2355 orë/vit dhe 2000 orë/vit në brendësinë kontinentale të vendit, përkatësisht në Korçë, Peshkopi dhe Kukës[4].

Po kështu specialistët mund të shkruajnë edhe për energjinë e erës, që Europa e ka vënë në shfrytëzim prej më se 50 vitesh.

Argumentet që u sollën më lart, dhe shumë argumente të tjera që janë sjellë nga kolegë të tjerë, na bindin se bëhet fjalë thjesht për “nevoja energjitike”. Ka plot burime të tjera alternative për këtë. Vendimi i qeverisë aktuale, shkon në kundërshtim me interesat jetike të Dibrës, dhe si i tillë do të kundërshtohet fuqishëm nga dibranët. Çfarë duhet të bëjmë? Së pari të kuptojmë cinizmin dhe dinakërinë e qeverisë, që në vend që të mbrojë interesat e vendit dhe të popullit, del hapur kundër tyre. Jo vetëm kaq, por përdor edhe standarte të dyfishta. Të gjithë e kemi dëgjuar dhe e kemi përshëndetur vendimin e qeverisë që anuloi HEC-in e Kalivaçit mbi Vjosë. Po nuk mundemi të kuptojmë se përse qeveria vepron me dy standarte të kundërta brenda territorit të vendit tonë, sipas parimit “njeri i nënës e tjetri i njerkës”!

Të dashur vëllezër dibran:

Rreziku i përmbytjes së Dibrës është ante portas! “Dërzhavistët” tanë e kanë mbledhur mendjen për të përmbytur Dibrën! Jo vetëm e kanë ndarë mendjen, por ata vetë dhe kalemxhinjtë e tyre, pa u skuqur dhe pa u zverdhur, deklarojnë me cinizëm se “kush e ndërton HEC-in e Skavicës, do të mbetet në histori” Kjo është e barabartë me asgjësimin fizik të luginës së mesme të Drinit të Zi, që përbën thelbin hapësinor të Dibrës londineze. A do ta pranojë Dibra të bëhet “kurban” i “dërzhavistëve” tanë të dështuar?! Absolutisht jo!

Edhe pse e kanë ndarë mendjen, qeveritarët tanë kanë harruar një detaj thelbësor: ata më parë duhet të kishin marrë pëlqimin juridik të banorëve të të gjithë Dibrës! Të atyre që përfshihen brenda zonës së parashikuar për tu përmbytur dhe të banorëve të tjerë dibranë, jashtë zonës së përmbytjes, që jetojnë në Dibër ose jashtë saj, në Tiranë, në Durrës, në Amerikë e kudo tjetër. Kështu që juridikisht, vendimet e qeverisë mbi këtë çështje janë të pavlefshme! Sepse vetëm në diktaturë, qeveria mund të marrë vendime të tilla, pa marrë në konsideratë vullnetin juridik të popullatës! Kështu ka ndodhur në kohën e diktaturës, kur u ndërtuan HEC-et në Vaun e Dejës, në Fierzë, në Koman etj. Ndërsa në një sistem demokratik, kjo nuk mund të ndodhë! Meqë Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese, çështja e HEC-it të Skavicës do të shkojë për gjykim në Gjykatën Europiane!

Duhet mbrojtur me çdo kusht Dibra, vendi që të parët na e lanë amanet! Është luftë për mbrojtjen e familjes, të pragut të vatrës, të vatanit, të atdheut, të truallit të të parëve, të varreve të gjyshërve, të trashëgimisë sonë arkeologjike e kulturore, të kujtesës sonë historike! Nëse gjyshërit tanë e mbrojtën Dibrën me armë në dorë nga Serbia, ne duhet ta mbrojmë sot me rrugë demokratike nga qeveria! Është detyra dhe përgjegjësia jonë. Nuk ka rrugë tjetër! Unë besoj se të gjithë bashkë do ta fitojmë këtë betejë. Sepse mbrojmë të drejtën tonë, mbrojmë vatanin tonë. Që nesër të mos skuqemi dhe askush të mos mund të thotë “Na ishte njëherë lugina e Drinit të Zi!”,“Na ishte njëherë Dibra”! Pasi nuk duam të bredhin nëpër Shqipëri, si çifutët në shkretëtirë, në kërkim të “Itakës” së humbur!

Source link stopskavica.org

 

Admini webit

Menaxher i rrjeteve sociale në Dibër dhe jo vetëm ! Guider turistik Fotograf i lirë ...! Bloger

Related Articles

Back to top button
%d bloggers like this: