Aktualitet dhe LajmeDiaspora DibraneDibër të MadhePërditshmëriPersonalitete

Artisti Haxhi Maqellara i Dibrës së Madhe “Nderi i Kulturës”

Share

Artisti i shquar Haxhi Maqellara  ka lindur në Dibrën e Madhe. Të gjithë e njohim si një figurë të spikatur të historisë së muzikës së pastër shqipe. Veprimtaria artistike më e shkëlqyer e tij, pasqyron periudhën e viteve të ’80-ta, kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov për çlirimin e Kosovës, prandaj dhe motivi patriotik merr me këngët e tij një tingëllim kushtrues e aktual. Nga ana tjetër, në repertorin e tij gjeti shprehje atmosfera e dasmës dibrane, përshkrimi i dashurisë rinore, mbi të gjitha malli i mërgimtarëve. Haxhiu, me veprimtarinë e tij artistike, konsiderohet themeluesi i një rryme të re muzikore, e cila sot e kurdoherë gjen vend në vatrat arbërore. Ai jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka kënduar më shumë se 40 vjet vetëm këngën folklorike dhe popullore atë, që si thotë ai, të pastër dhe me taban shqiptar. Haxhiu, është këngëtari që ka marrë deri tani, dhjetëra çmime dhe mirënjohje nga Kosova, Dibra e Madhe, Peshkopia, Tirana dhe shqiptarët e Amerikës.

E ka filluar karrierën në qytetin e lindjes, si anëtar në Shoqërinë Kulturore Artistike “Liman Kaba”, më pas për të vazhduar në Ansamblin “Ibe Palikuqi”, Shkup. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë, një djalë dhe dy vajza. Ka realizuar disa albume:

  • “Të falemnderit moj Tiranë”
  • “Vitet ’80”
  • “Jam Arshik” 2008
  • “Nana ime” 2013 etj.

Haxhi Maqellara, vite më parë u kthye nga vendlindja, ku vizita kësaj rradhe thotë ai ishte e ngarkuar me emocione të papërshkruara. Mbasi, nuk ishte thjesht çmallja me Dibrën dhe Tiranën, shprehet ai, por edhe supriza që më bënë Tirana dhe dibranët.

“Natyrisht, këtë nuk mundet ta fsheh”, thotë ai, në një mbasdite në shtëpinë e tij, në Staten Island “ishullin e dibranëve” në Nju Jork, duke shtuar se: “Përjetova kënaqësinë më të madhe në karrierën time artistike 40 vjeçare, si këngëtar dhe kompozitor. Ishte Bashkia e Tiranës, atëhere me kryetar z. Lulëzim Basha, që me miratimin unanim të Këshillit të Bashkisë, më akordoi titullin “Mirënjohje e qytetit të Tiranës” me propozimin të Shoqatës “Tirana”, dhe të kryetarit të saj z. Arben Tafaj, të cilin e falenderoj jashtë mase.

“Se kisha pritur kurrë tregon Maqellara, që urimet të “rridhnin lumë’, të më vinin nga të gjitha anët, prej nga Tirana, Kosova, Peshkopia, Dibra e Madhe dhe diaspora – shqiptaro amerikane, bashkëkombasit e mi këtu në Amerikë. Gëzimi, ishte tepër i madh dhe i papërceptuar, thotë ai sepse, ky titull më vinte në vigjiljen e 60 vjetorit të lindjes dhe të 40 vjetorit të aktivitetit tim artistik.”

Kështuqë, mezi prisja të shkoja në Tiranë dhe të merrja titullin e madh – në atë Tiranë zemër madhe bujare dhe fisnike, e cila para 100 vjetëve na hapi dyert ne dibranëve muhaxhirë, të cilët ikën dhe lanë shtëpitë e tyre, si rezultat i spastrimit të paparë dhe barab sllavo – serb, thotë bilbili i këngës Dibrane, Haxhi Maqellara, i emocionuar.

Tirana kryeqyteti ynë nderoi kështu Haxhi Maqellarën në 40 vjetorin e ngjitjes në skenë, duke organizuar edhe një mbrëmje Gala në Tiranë, ku morën pjesë artistë të elitës nga Tirana, Dibra e Madhe, Peshkopia, Kosova dhe Diaspora, shqiptarët e Amerikës Shoqata Atdhetare Dibra, dhe ish kryetari i saj z.Musa Paçuku. Organizimi ishte i jashtëzakonëshëm pohon ai. Mbasi dy artistë të dalluar, Behar Mera dhe i ndjeri Veli Rada, i dhanë sharm spektaklit ndërsa “Mjeshtri i madh” i skenës Bujar Kapexhiu, ishte udhëheqësi i kësaj mbrëmje.

Haxhiu, risjell kujtimet e tij më tej, duke treguar se: “Në odat Dibrane, gjithmonë është folur për mikëpritjen e zemërbardhësinë e Tiranës, për bujarinë dhe fisnikërinë, që tironasit, treguan gjatë ikjes së dibranëve në eksodin tragjik të viti 1913, kur u kryen masakrat serbe mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare. Dibranët, tregon ai gjetën strehë në Tiranë, dhe kjo kurrë nuk është harruar sidomos nga dibranët kudo që janë.

Ai rrëfen se si i dëgjonte këto biseda nga goja e më të moshuarave nëpër oda në raste dasmash a mortesh, dhe gjithmonë e kishte mëndjen të bënte një këngë për atë pritjen bujare. “Dhe, momenti erdhi, thot ai, kur autori i njohur i teksteve të këngëve, Jorgo Papingji dhe kompozitori Edi Balili, krijuan këngën prekëse dhe kuptimplotë “Faleminderit moj Tiranë”.

Në vitin 1988, vetë Haxhi Maqellara e la Dibrën, që e deshte aq shumë, dhe i kishte dhënë aq shumë, me kolegët e tij me artin e tij të bukur dhe mori rrugën e mërgimit për tu vendosur “përjetësisht” në vendin kampion të lirisë dhe demokracisë në botë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendin e ëndrrave të të gjithë njerëzimit dhe të artistëve të botës.

Ai u kthye nga SHBA, në vendlindje mbasi kishte kënduar gjatë viti 1987 për rreth 8 muaj. Atëherë, vendlindja e tij ishte nën sundimin e Beogradit në të ashtuquajturën “Jugosllavi”. Në vitin 1988 – Haxhiu, mori rrugën e mërgimit, mbasi kushtet në vendlindje ishin ashpërsuar; kultura dhe arsimi kalonin çaste tepër të vështira, ishte koha kur represioni serb po arrinte kulmin. Ishte koha kur Kosova me lëvizjet e saj mbarë popullore, kishte nisur e para rrugën e shpërbërjes së “Jugosllavisë” që nuk egziston më mbas shkërrmoqjes së saj.

Në atë kohë edhe pse i ofruan prap një vend në skenë, Haxhi Maqellara, nuk pranoi duke u solidarizuar me popullin e vet. “Si mund të këndoja në mort, kur qelitë ishin mbushur plot, me shqiptarë të pafajshëm dhe askush nuk e ndjente veten të lirë?”, na tha ai.

Nuk këndoi, por ndërkohë që emri i tij ishte gjendur në listën e zezë të 215 intelektulave, që policia sekrete serbe, po merrte masat për t’i burgosur ata si shkatarë të trazirave të asaj kohe kundër rregjimit të Beogradit.

Haxhi Maqellara është këngëtari dhe kompozitori që u ka kushtuar këngë simboleve kombëtare dhe heroinave shqiptare. Ai është i pari kompozitor shqiptar, që i ka kushtuar këngë bijës shqiptare Nëna Terezës, nobelistes shqiptare, bamirëses së madhe. Por, këngët e tij gjithmonë evokojnë patriotizëm dhe atdhedashuri nëpërmjet notave të shpirtit të këngëtarit. Ai i këndoi Ganimete Terbeshit, Ibe Plaikuqit, Shote Galicës, Kosovës, Dibrës dhe Tiranës, i këndoi plagës së pashërueshme kurbetit, por edhe nënës shqiptare.

Ky ishte momenti që ai e la vendlindjen dhe erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Nju Jork për të bërë realitet ëndrrat e tij. Në shtëpinë e tij në ishullin e “dibranëve” Staten Island, ai ka një familje që me të vërtet ka sepse mburret. Ai gruaja Fatbardha,  tre fëmijët nusja e djalit dhe nipi i tij jetojnë së bashku, dhe janë shëmbullorë, me miq e dashamirë, gjithë komunitetin, dibran dhe familje të tjera shqiptare. Në vijim do lexoni intervistat e realizuara të këngëtarit Haxhi Maqellara me gazetarët Beqir SIna, Nju Jork dhe Arsim Kolari.

Ç’ përshtypje ruani nga fëmijëria juaj ?  Si fëmi i vogël këndoja shpesh nëpër shtëpi, ndërsa për herë të parë kam kënduar në sallën e kinemasë së vjetër të Dibrës, në moshën 7 vjeçare. Mësuesi im i parë, i ndjeri, Skënder Daci, më mori nga fusha e Udovës dhe më çoi drejt e në sallë. Ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm, sepse për herë të parë këndoja para publikut. E kam thënë edhe në një intervistë tjetër: njeriu përmes kujtimeve, kujton të kaluarën e tij të pakthyeshme. Si fëmijëria, ashtu edhe rinia, për njeriun janë pjesë e paharruar e jetës së tij. Fëmijëria jonë ishte shumë më e mirë se kjo e sodit, edhe pse na mungonin lodrat.

Na thoni, si u kyçët në ansamblin “Liman Kaba” dhe më pas në “Ibe Palikuqi”? Në Sh.K.A. “Liman Kaba” jam antarësuar në vitin 1968, ku isha anëtari më i ri i kësaj shoqërie në atë kohë. Ndërsa, në Sh.K.A. “Ibe Palikuqi” të Shkupit, në vitin 1982. Jam krenar për të dy shoqëritë, sepse në të dyja kam lënë gjurmë si këngëtar, kompozitor e koreograf.

Në të vërtetë, ishin vite të arta ato kur i këndonit Dibrës dhe Kosovës me mall? Ishin me të vërtetë të arta, të tilla do të mbeten, sepse janë të papërsëritshme.

Nëse do t’ju pyes për të dyja kohët, cilën do të zgjidhnit? Patjetër që do të zgjidhja kohën time, sepse këndonim me shpirt dhe zemër, edhe pse e kishim të ndaluar. Ne ngritëm popullin në këmbë përmes këngëve patriotike që i këndonim.

Bashkëpunëtorët tuaj? Janë shumë  dhe do të kem edhe më shumë. Nuk do të ndalem deri sa të vdes. Jam krenar që kam bashkëpunuar me kompozitorët më të mëdhenj shqiptar, që nga i ndjeri dhe i madhi Musa Piperku, Fahri Beqiri, Edi Balili, Përparim Tomçini, Sajmir Çili, Edmond Zhulali, e të tjerë, duke mos harruar dhe mësuesin tim të parë të muzikës, zotëri Atli Qormemetin. Gjithashtu, dua të përmend edhe poetët Jorgo Papingji, Agim Doçi, e të tjerë.

A mbani mend ndonjë moment të veçantë nga jeta dhe publiku? Kam shumë momente të bukura gjatë koncerteve të mija në Kosovën “martire”. Sallat e sporteve mbusheshin plot e përplot, ndërsa mua më duhej që me përcjelljen e 6 policëve të futem në sallë. Të paharruara do më mbeten, sidomos koncertet në Prishtinë, Pejë, e veçmas në Gjakovë.

Jeni edhe kantautor. Na thoni cilat këngë i keni punuar personalisht? Tekstin dhe muzikën e hitit shekullor “Lulkuqja e Gjakovës”, e kam shkruar unë. Po ashtu, “Nusja e maleve kreshnike”, është “Kënga e Shotë Galicës” dhe “Kaçanikut i raftë pika”. Që të gjitha kanë tekstin dhe muzikën time, pa harruar këtu këngën e kurbetit, “Më ka marrë malli për nanën time” apo siç njihet në publik “Seç m’u dogj kjo zemër e shkreta” dhe “Malli për Dibrën time”, kushtuar qytetit të lindjes.

Keni mall për Dibrën? E kush nuk ka mall për vendlindjen? Mallin për Dibrën e kam pasqyruar edhe në këngën e sipërpërmendur.

Si ju duket fakti që po ju interviston një i ri si unë? Fakti që ju po më intervistoni, tregon se populli ynë ka vlera të pamohueshme edhe tek brezi i ri. Këto vlera i keni edhe ju dhe unë, sinqerisht ju përgëzoj për këtë.

Nga artistët e kohës sonë, cilin do veçonit? Do veçoja miken time të ngushtë Shkurte Fejzën, Arif Vladin, Vera Laçin e Lirie Rashën. Kuptohet, dhe shumë këngëtarë të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova, por këta janë të preferuarit e mi.

Fjala juaj për këngën dibrane? Fatmirësisht, kënga dibrane mbetet e njëjtë dhe unike. Nuk ka ndryshuar dhe besoj se nuk do ndryshojë.

Si lindi ideja për realizimin e këngës kushtuar Rekës? Ideja për realizimin e këngës “Unë jam Zot mbi këtë dhe”, kushtuar shqiptarëve të Rekës, lindi nga dibrani Fanol Cami, që jeton në Çikago. Ai, në bashkëpunim me vëllezërit Mentor e Gazmend Lleshi,Ylber Pilku, Agim Lleshi, Salaudin Erbeli dhe unë kontribuam në aspektin financiar. Për tekstin e këngës u përkujdes mjeshtri i pendës Agim Doçi, ndërkaq muzika dhe orkestrimi u bë nga i madhi Edmond Zhulali.

Gjatë gjithë karrjerës suaj keni marrë shumë çmime, dhe çertifikata mirënjohje, vlerësime të ndryshme, por më së fundi ju u vlerësuat edhe nga bashkëqytetarët e tu – komuniteti dibran në Amerikë. Pra, si e vlerësoni ju këtë çmim nga dibranët në Amerikë – SHAD? Edhe ky çmim si gjithë të tjerët, është një mirënjohje të cilën unë pas atij çmimi që më dha Tirana, do ta “mbaj si syt e ballit” i themi ne shqiptarët. Ky është një vlerësim nga bashkëpatriotët e mi dibranë në Amerikë, që unë mbas kaq vjetësh që jam larguar nga Dibra, ua kushtojë prindërve të mi, të dashur dhe të ndjerë të cilët më lindën dhe më edukuan në frymën tonë kombëtare. Gjithashtu, këtë mirënjohje si gjithë të tjerat, ia kushtojë edhe familjes time të ngushtë bashkëshortes time Fatbardha, fëmijëve Burimit, Mimozës dhe Goxhes, nuses së djalit Mirelës dhe nipit tim të dashur Eduartid.

Të them të drejtën më pelqeu shumë sesi “Shoqata Atdhetare Dibrane”, më në fund po i trajton dhe jep atë që meritojnë njerëzit që kanë merita dhe kanë dhënë kontribut në komunitetin dibran, si në qytetin tonë edhe në SHBA. Andaj, mendoj, që kjo traditë të vazhdojë, që të gjithë ata që kanë bërë për Dibrën dhe dibranët, kombin shqiptarë të marrin “Mirënjohjen qytetare Dibrane” që u takon. Të nderohen në festa të tilla edhe dibranë të tjerë, me qëllim që të nxirren në pah vlerat e dibranëve dhe kontributi i tyre, ndërsa të tjerë të nxiten për të bërë edhe më shumë, për Dibrën dhe çështjen kombëtare.

Meqënëse, jemi tek çmimet nuk mund të rrimë pa përmendur edhe atë të Këshillit Bashkiak i Tiranës dhe Bashkia e Tiranës, kur kryetar ishte zotit Luzim Basha, që u ka nderuar  me titullin “Mirënjohje e qytetit të Tiranës”. Si keni arritur ju të ruani dhe kultivoni këtë muzikë folklorike, dibrane dhe tiranase, sa që të merrni një nderim të këtillë? Pyetje shumë e bukur kjo! Nga kushtet e “egra” të emigracionit, kam qenë gjithmonë i prirë të bëj vetëm muzikë folklorike me tabanin popullor të asaj krahine, që i përkas Dibrës por edhe Tiranës, ku dibranët kanë qenë pjesë e saj, këtu e 100 vjet më parë. Gjithashtu, kam punuar shumë me grupin muzikor “Fisnikët” në Nju Jork, të ruajmë dhe të kultivojmë muzikën e pastër dibrane, Dhe, kjo për vetë faktin – mendoj unë se edhe muzika shqiptare në diasporë mund të ruhet e kultivohet në breza tek shqiptarët, nëpërmjet dasmave, festave dhe gazmendeve të ndryshme që kemi ne shqiptarët e Amerikës.

Pra, duke interpretuar muzikë me taban popullor, duke u ikur atyre dukurive dhe veseve të huaja që janë futur “kot më kot” në muzikën tonë të bukur popullore. Sepse, ajo nuk na nderon edhe si komb ne në diasporë, por përkundrazi ajo na “deformon” ne si komb!

Duke pasur parasysh se jemi në Amerikë, vendin kampion të demokracisë lirisë dhe të drejtave të njeriut, vendin e mundësive të mëdha, ne jemi të priviligjuar. Kur dihet se në vende të tjera, emigracioni është i “egër” si thatë ju për të asmiluar lehtë. Këtu, është shumë më lehtë të ruash dhe kultivosh kulturën tënde, nëse dëshiron askush nuk të pengon. Gjithashtu, ne kemi televizione, radio dhe gazeta të komunitetit, që na mbajnë gjallë me frymën kombëtare shqiptare. Duke pasur si i thonë një “Shqipëri të vogël” këtu në Amerikë, ne shqiptarët kemi shumë mundësi të ruajmë dhe kultivojmë muzikën, kulturën dhe traditën shqiptare kudo.
A mendoni se aktivitetet kulturore dhe artistike të shqiptarëve të Amerikës janë në përputhje me numërin kaq të madh të shqiptarëve që janë në SHBA dhe kulturës e traditës së tyre popullore? Jo, nuk është aspak. Pasi jemi aq shumë sa duhet të kemi edhe më shumë aktivitete dhe veprimtari kulturore e artistike, shqiptare. Më shumë koncerte e festivale, takime me artistë e këngëtarë, promovime librash e artistësh të rinj, e të reja këngëtarësh, shkrimtarë, artistë dhe libra, si dhe pjesë të tjera teatrale, filma e të tjera e të tjera, aktivitete e veprimtari kulturore e sportive në komunitetin shqiptar.

Duke shkuar në të njëjtën linjë me kërkesat e disaporës shqiptare në Amerikë, që janë shumë të mëdha. E them këtë, sepse kemi rënë si “viktimë” e biznesve, ku çdo veprimtari dhe aktivitet apo edhe festë kombëtare, po shfrytëzohet vetëm për të bërë biznes, pa parë anën cilësore dhe profesionale, ruajtjen e kultivimin e kulturës dhe artit shqiptarë.

Do të ishte mirë duke parë se kemi kaq shumë këngëtarë dhe artistë në komunitet, mbrëmjet, dasmat, gazmendet, festivalet dhe festat kombëtare, koncertet, t’ju lihen komunitetit të arstitëve shqiptarë, atyre që janë profesionist dhe dijnë të bëjnë art dhe jo një DJ-je që ia humb vlerat muzikës shqiptare. Çdo mbrëmje mendoj duhet që t’i jepet një karakter tjetër, ai totalisht artistik dhe kombëtar dhe jo vetëm për të bërë biznes.

Çfarë mendimi keni për brezin e ri të këngëtarëve të muzikës popullore në komunitet, a po rritet ai dhe kultivohet si duhet muzika popullore dhe tradicionale shqiptare? Çdo komunitet jo vetëm ne shqiptarët në diasporë, bërthamën e tyre e kanë tek të rinjtë e të rejat, këngëtarët të cilit lindin nga komuniteti. Ata duhen të përkrahen dhe mbështeten vazhdimisht me të gjitha mënyrat edhe nga ne që jemi me eksperiencë dhe profesionist. Ti inkurajojmë dhe t’ju “hapim rrugë” atyre nëpër koncerte, dasma, gazmende dhe festivale të ndryshme.

Gjithmonë, unë personalisht kam qenë mbështetës i tyre dhe kam insistuar që në vazhdimësi të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Sepse, vetëm në atë mënyrë mund të mbërrijnë dhe mund të trashëgojnë nga brezat e vjetër në komunitet, atë çka është me taban dhe e pastër shqiptare.

Dhe jam i entuziazmuar që kemi plotë të rinjë e të reja këngëtare në komunitet, duke u uruar atyre suksese. Një ndër ta është edhe nipi im, djali i vëllait Agronit, Bledar Maqellara, një bariton i talentuar dhe me prespektivë të madhe, për në skenën e Operas së Nju Jorkut. Një solist i kompletur me të gjitha elementet që kërkohen, por që do më shumë përkrahje dhe mbështetjen tonë të gjithëve për të arritur në majat e suksesit. Por më vjen keq se kemi shumë pak ose aspak talente të reja të muzikës popullore, në komunitet. Çka lë shumë për tu dëshpëruar, Pse? kështu!

A janë “pjekur” kushtet dhe ka ardhur koha të kemi një festival të muzikës popullore me këngëtar të komunitetit në Amerikë, që ndoshta edhe të zbulohen talentet e reja? Mendoj se edhe më përpara kemi pasur kushte dhe kohë, por ka munguar “vullneti” i ynë i të gjithëve pa përjashtim, pra, e motivuar edhe nga ana finaciare. Megjithëse, kemi një festival të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, që duhet lavdëruar për punën që bën, por kurrësesi ai mund të mbush atë boshëllëkun që kemi të bëjmë një festival të mirëfilltë të këngës e valles popullore, për zbulimin e nxjerrjen e talenteve të reja. Ai është një festival i këngës së kënduar dhe veprave të interpretuara, që ruan e kultivon me mënyrën e vet diçka shqiptare në diasporë. Ndërsa, çdo festival tjetër, siç janë ata për fëmijët, kanë karakter tjetër, ka atë të pruarjes së këngës dhe valles së re popullore atë burimore folklorike shqiptare, jo atë të zbulimit ose nxjerrjes së talenteve të reja. Kemi kaq vjet dhe nuk kemi një rast, që nga ky apo ai festival të ketë dalë një talent i ri në komunitet.

Në se do të kishit një mesazh për kolegët e tu, muzikantët dhe adhuruesit e tu, cili do të ishte? Mesazhi im  për të gjithë kolegët e mi, muzikantë këngëtarë e kompozitorë është, që të kultivojnë sa më shumë muzikën folklorike dhe popullore me taban shqiptar. Ndërsa fansave të mi u dëshirojë të dëgjojnë sa më shumë muzikë popullore dhe folklorike, vetëm të pastër shqiptare. Duke ruajtur dhe kultivuar atë ne do të jemi më krenar me qenë shqiptar. Se kështu mendojë se do t’i shpëtojmë edhe atij “asmilimit të egër të emigracionit” dhe do të njifemi më shumë si komb shqiptar kudo që të jemi me vlera të mëdha që i kemi dhe nuk duhet t’i humbim.

Cilat janë Mirënjohjet më të fundit të Haxhi Maqellarës? Në mbrëmjen Gala mora atëherë titullin e nderit të Tiranës:”Unë dua që ti faleminderoja shokët e miqtë e mi. Në rradhë të parë z. Lulëzim Masha President i Institutit arsimor Willson në Tiranë, i cili ka sakrifikuar për dhjetë vitet e fundit, jashtëzakonisht shumë së bashku me familjen e tij dhe shokët e tij, për shoqatën dhe unë e faleminderoj jashtë mase, dhe uroj që perëndia dhe Zoti i madh të lëshojë bekimin ndaj tij dhe familjes së tij.

Gjithashtu, dua të faleminderoj dy miqtë e mi të shtrejtë poetin e madh Jorgo Papingji edhe kompozitorin Edi Balili si dhe kompozitorin Saimir Çili sepse edhe puna e tyre, profesionale dhe e mirëfilltë më çuan deri tek marrja e këtij titulli të lart.

Njëkohësisht, dua të faleminderoj edhe kryetarin e “Shoqatës Tirana”, z. Arben Tafaj, i cili pati mirësinë të më ftoj në “Sofrën e Tiranës 2007″, ku më dhanë mirënjohjen e asaj shoqate. Dhe, duke dhënë propozimin nga ana e shoqatës në Këshillin e Bashkisë së Tiranës, për marrjen e titullit:”Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, shfrytëzoj rastin t’ju shpreh edhe një herë atyre faleminderimet për këtë mirënjohje, që ish Kryetari i Këshillit të Bashkisë së Tiranës zotin Njazi Kosovrasti dhe të gjithë anëtarët që votuan unanimisht në marrjen e titullit.

Një falemnderim të veçantë ruaj në zemrën time dhe të familjes time për “Shoqatën Atdhetare Dibra”, për vlerësimin që më bënë  çertifikatën “MIRËNJOHJE DIBRANE”.
Por, një falemindierim të posaçëm me këtë rast rezervoj edhe për kryetarin e Bashkisë së Dibrës së Madhe, magjistër Ruzhdi Lata, ka qenë ai që më ka përkrahur dhe mbështetur gjithmonë, por jo vetëm mua por edhe të gjithë artsitët dibranë. Këtu në Amerikë faleminderimet e para i takojnë familjes sime të ngushtë bashkëshortes sime Fatbardhës, dhe fëmijëve, nuses dhe nipit tim Eduartid të cilët më kanë përkrahur vazhdimisht.

Dëshiroj të faleminderoj gjithashtu edhe një nga bashkëpunëtorët e mi të ngushtë këtu në Amerikë, artistin e madh Edi Xhani, me të cilin kam bashkëpunuar një kohë shumë të gjatë dhe instrumentistët e Grupit Fisnikët. Si dhe Shoqatën Atdhetare “Dibra” e cila më ka sjellur një kënaqësi të veçantë”.

Çmimet & Motivacionet 

  • Në nëntor 2007 Shoqata “Votra Dibrane” në Dibër të Madhe i ka dhënë mirënjohjen këngëtarit Haxhi Maqellara si solist dhe kompozitor i këngës popullore me motivicionin: “Për kontributin e dhënë dhe që vazhdon të japë në intepretimin, kultivimin dhe afrimin e këngës popullore shqiptare – veçanërisht asaj Dibrane”.
  • Në tetor 2008 Njësia e vetë administrimit lokal Komuna Dibër e Madhe, Kryetari i saj Agëtim Fida, nderoi zotin Haxhi Maqellara këngëtar dhe kompozitor me rastin e 35 vjetorit të aktivitetit të tij artistik dhe për merita të veçanta në promovimin e vlerave të muzikës popullore nga të gjitha trevat shqiptare, posaçërisht asaj Dibrane.
  • Këshilli i Bashkisë së qytetit të Peshkopisë me vendim të posaçëm mbështetur në Ligjin për organizmin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore me nismën e Komisionit të Historianëve të rrethit Dibër dhe propozimin e Zyrës A.K.R.S. pranë Bashkisë së Peshkopisë, Këshilli i Bashkisë vendosi dhënien e titullit ”Nderi i Kulturës” për këngëtarin Haxhi Maqellara me motivacionin: ”Për kontributin të shquar në krijimin e interpretimin dhe ruajtjen e vlerave të këngës Dibrane, veçanërisht në Amerikë”.
  • Shoqata Tirana këshilli drejtues i shoqatës Tirana, nderon me çmimin “Mirënjohje Tiranase” zotin Haxhi Maqellara me këtë motivacion: ” Për pasqyrim nëpërmjet këngës të lidhjes historike të Dibranëve me Tiranën”
  • Në emër të qytetarëve të Tiranës – ish Kryetari i Bashkisë së Tiranës zoti Lulëzim Basha dhe kryetari i Këshillit të Bashkisë së Tiranës zoti Njazi Kosovrasti, nderuan me këtë çmim me motivacionin:”Me titullin “Mirënjohje e lartë Tiranëse” artistin e mirënjohur të folklorit shqiptar, në ruajtjen e vlerave kombëtare, integrimin kulturor të folklorit shqiptar në botë, si dhe për kultivimin e artit dhe muzikës tradicionale të qytetit të Tiranës.” Kam përvilegjin që në emër të qytetarëve të Tiranës t’ju ofrojë këtë titull dhe t’ju ofrojë të gjitha të drejta e patjetërsueshme që burojnë prej këtij titulli.
  • Me rastin e 101 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, “Shoqata Atdhetare Dibra” në Nju Jork, bashkëqytetarët e tij në Amerikë, në shenjë respekti dhe nderi i dhanë më 28 Nëntor 2013, Çmimin “MIRËNJOHJE DIBRANE”, këngëtarit dibran Haxhi Maqellara me motivacionin: “Këngëtar me vlera të mëdha kombëtare, dhe artistike, i shquar edhe si veprimtarë i dalluar i çështjes kombëtare, njëri prej themeluesve të “Shoqatës Atdhetare Dibra” në SHBA. Bilibili i këngës Dibrane, këngëtari i njohur në Shqipëri, Kosovë e mbarë trojet shqiptare, këngëtari që ngriti peshë Kosovën dhe tokat shqiptare, me këngët e tij patriotike!”

Disa këngë nga albumet e artistit Haxhi Maqellara 

Burimi:www.botasot.info nga Beqir Sina/ www.teksteshqip.com/ www.dibraime.com nga Arsim Kolari/ Përshtati për ALVA: Manjola Perja

Huazuar nga https://alva.al/

Një kafe nga ju!

Back to top button