BulqizëLajme nga DibraLajmi i funditPërditshmëri

Bulqizë, OSHEE i ndërpret energjinë elektrike xhamisë së qytetit

Share

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, këtë të premte i ka ndërprerë energjinë elektrike xhamisë së Bulqizës.

Ndërprerja e energjisë elektrike, ka ndodhur fill pas faljes së namazit të xhumasë.

Kjo është e disata herë që xhamisë i ndërpritet energjia elektrike, lidhur me një debi ndaj OSHEE në vitet 2010-2011.

Në vitin 2010 banorët e një pallati në Lagjen e Re në Bulqizë, që në atë kohë sipas institucioneve shtetërore rrezikonte shembjen, për një periudhë 18 mujore janë akomoduar në ambientet e kësaj xhamie. Pallati që rrezikonte shembjen, pak muaj më vonë u privatizua nga Bashkia Bulqizë.

Familjet e akomoduara në ambientet e xhamisë, konsumuan energji elektrike me vlerë 600, 000 lekë, që sot bashkë me kamatat, debia ndaj OSHEE është dyfishuar.

Myftiu i Bulqizës, Sejdin Strazimiri i tha Bulqizaime.al se ky borxh për energjinë elektrike të konsumuar nga familjet e strehuara në ambientet e xhamisë, duhej të paguhej nga bashkia, kjo sipas një kontrate verbale të bërë në atë kohë publikisht edhe në media.

“Në takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e xhamisë dhe Myftinisë Bulqizë dhe Dibër, ish-Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, u shpreh se çdo detyrim për akomodimin e këtyre banorëve në lidhje me energjinë, ujin apo dëme të tjera do të merrej përsipër nga bashkia.” shprehet Strazimiri.

Për Strazimirin, është e pa pranueshme që energjia elektrike për një xhami të ndërpritet ditën e premte, në kohën kur besimtarët luten në xhami.

“Ne si Myftini shprehim indinjatë ndaj bashkisë Bulqizë dhe ndaj OSHEE. Ka disa herë që na i presin dritat për një borxh që në fakt nuk është i xhamisë por i bashkisë. Të bësh mirë në këtë vend qenka shumë e vështirë. Ne strehuam 13 familje, bashkia premtoi publikisht që do të paguante çdo shpenzim mirëpo asnjëherë nuk u përgjigj.” tha ai.

Aktualisht një pjesë e familjeve që më parë strehoheshin në ambientet e Xhamisë Bulqizë, janë vendosur në ish-fjetoret e minatorëve, por xhamia po vuan pasojat, duke mbetur për të disatën herë pa energji elektrike.

Huazuar nga  Bulqiza ime

Një kafe nga ju!

Back to top button