Aktualitet i ditësShqipëria

Detaje/ Nga martesa për letra te historia e dashurisë

Klinton Pira, 26-vjeçari që vrau këtë të shtunë në Tiranë të dashurën e tij ganeze, Jawsackie Jaboah, dhe më pas u hodh nga kati i 8-të i pallatit duke gjetur vdekjen e menjëhershme, kishte rreth 2 muaj që kishte ardhur në Shqipëri.

I riu me origjinë nga Dibra jetonte në Angli prej tre vitesh, ku ishte njohur dhe me 31-vjeçaren nga Gana.

Mësohet se Pira kishte kaluar me kamion në ishull në mënyrë të paligjshme, ndërsa kishte bërë lidhje martesore me Jawsackie Jaboah fillimisht për dokumente, por më pas historia e tyre u kthye edhe në një histori dashurie. Gjë e cila provohet lehtësisht edhe nga postimet në rrjetet sociale ku dy të rinjtë i dedikonin mesazhe dashurie njëri-tjetrit.

“Falenderoj Zotin çdo ditë që të solli në jetën time dhe të dua shumë bukuroshe”, shkruante Klintoni në një fotografi ku shfaqej pranë të dashurës së huaj. Ndërsa në një fotografi tjetër, ai ka shkruar: “Premtoj të mbaj zemrën tënde me kujdes dhe ta trajtoj me dashuri.”

Fatkeqësia në familje
Tre vite më parë Klintoni humbi babain. Zyrtarisht u njoftua si vetëvrasje, por që familjarët dyshuan se ishte vrarë.

Ai ishte në hasmëri me një familje tjetër në rrethana ende të panjohura. Genci Pira, babai i 26-vjeçarit u njoftua nga policia se ishte gjetur i vetëvarur në zonën e Korçës.

Ai ishte nisur përmes kufirit të gjelbër të kalonte në mënyrë të paligjshme në Greqi, ku kryente punë sezonale.

Madje edhe i biri para se të shkonte në Angli, udhëtonte drejt Greqisë me të atin ku punonin kryesisht në bujqësi.

Familja Pira me origjinë nga Dibra jetonin prej rreth 30 vitesh në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, ku tanimë qëndron vetëm e ëma, pasi edhe vëllezërit e tij jetojnë jashtë vendit.

Jeboah mbërriti sot në Tiranë
Jawsackie Jaboah kishte mbërritur mesditën e sotme në Tiranë. Klinton Pira e kishte pritur atë në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që e dashura e tij 31-vjeçare kishte rezervuar në booking një apartament me qira ditore në kryeqytet.

Takimi në këtë banesë nuk rezultoi si një ‘strofull pasioni’ por skena e një krimi të rëndë pasioni.

Sherri në dhomë
Pas një sherri të momentit në dhomë, 26-vjeçari ka marrë thikën dhe ka goditur disa herë në gjoks të dashurën e tij, e cila e plagosur rëndë ka mundur të zbresë poshtë 8 kate për të kërkuar ndihmë dhe ka gjetur vdekjen më pas në spital.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:00 në bulevardin “Gjergj Fishta”, në një banesë që çifti e kishin marrë me qera ditore.

Arsyet e këtij krimi makabër mbeten për t’u zbardhur nga hetimet, të cilat i ka marrë në detyrë Prokuroria e Tiranës dhe ka nisur tashmë punën në terren. Ndërkohë që poshtë dhomës të marrë në qira nga çifti u dëgjuan në fund vetëm klithmat e një nëne e cila ashtu mes lotësh dhe ulërimash thërriti: “O Zot, ç’ka ndodhur kështu o shpirt i mamit?”

© SYRI.net

Admini webit

Menaxher i rrjeteve sociale në Dibër dhe jo vetëm ! Guider turistik Fotograf i lirë ...! Bloger

Related Articles

Back to top button
Open chat
%d bloggers like this: