Arsim dhe KulturëDiaspora DibraneDibër të MadheGuida dhe guiderHistori dhe TregimePërditshmëriPersonaliteteRajoniVisit Diber

Dibra e Madhe… Sheheri i Dibrës..

Share

Dibra e Madhe… Sheheri i Dibrës..

Kur i thua këto dy fjalë të trazohen ndjenjat dhe bie në mendime. Sa lot. psherëtima, dhimbje, dashuri të patreguar kanë pasur këto fjalë për dibranët e shpërndarë këtej e matanë kufirit. Se nuk shihej motra me motrën, nuk shihej vëllai me vëllanë, se me emrin në gojë të njerëzve të shpirtit të vet, por të paparë, mbyllnin sytë pleq e plaka. Ja kishte harruar nena fytyrën dhe zërin e fëmijës së vet. Djali dhe vajza e mbanin mend něnën e babën si nëpër mjegull. Nuk e dinte asnjëra palë si ronte, si rropatej në punë e në jetë, si shkonte me nusen. me vjehrrën. Bijtë e bijat e përmalluara se të Sheherit të shkretë, të shpërndara si zogjtë në Peshkopi, Tiranë, Durrës, Elbasan e kudo, nuk kishin ku të shkonin një natë mikesha, nuk mund të gëzonin me njerëzit e gjakut të vet, nuk shkonin për ngushëllime te vëllai e motra, nuk kishin ku të ndërronin një groshë. Çdo lajm, çdo fjalë, çdo gjë që thuhej për ta e besonin se ishin bija të gjegme, se ishin nëna të përvëlueme, se e kishin shpirtin zeher për fémijtë e tyre. Bijtë e bijat e tyre kujtonin rrugicat, kujtonin gjakun, shoqet e shokët, shakatë e lojnat, kujtonin zakonet e ritet, kujtonin dhe gurët e kalldrëmit, e atij kalldrëmi të pjasun, ku kishin kaluar fëmijërinë e vet. Dhe kjo dhimbje vinte vetëm nga dashuria për Sheherin. Ishte dhimbje e krenari bashkë. Se ishin krenarë për Dibrën e tyre. Se Sheheri ishte i besës e i pushkës, se nuk e kishte duruar kurrë hasmin në vatër sheherlinjtë qenë djegur e vrarë e prapë luftën nuk e rreshtën, se ishin punëtorë e familjarë të mirë e të ndershëm, se ishin edhe të qejfit e të këngës, se ishin atdhetarë me kuptimin e vërtetë të fjalës.

Dibra e Madhe, sa mbahet mend. quhet edhe Sheher, apo Shehri Dibrës. Fjala Sheher dihet se ka kuptimin qytet. Kjo tregon se, në gjithë krahinën e Dibrës, madje edhe më gjerë, ka qenë i vetmi qytet. Është e vështirë të shkruash për Dibrën se ajo nuk është si çdo qytet tjetër. Dibra e Madhe ka qenë e njohur në histori që në kohrat më të hershme dhe se historia kombëtare nuk mund të bëjë pa të. Ajo është veçuar gjithmonë për bujari, besnikëri, trimëri e pasuri. Është ndoshta troja me më shumë histori se çdo vend tjetër. Sa e sa ngjarje me rëndësi kombëtare e jetike fillimin e përfundimin e tyre e kanë në Dibrën e Madhe, ose të tjera kanë pasur si protagonistë dibranët, ngjarje të tilla tronditëse e marramendëse që kishin të bënin me fatin e Atdheut. Çdo ngjarje e saj ka hyrë në histori dhe i është imponuar asaj me peshën e veçantë, kur dihet se historia e gjeritanishme i ka mjaft borxhe Dibrës. Ky libër besoj se do t’iu vlejë të gjithë dibranëve dhe dashamirëve të tyre, që janë të shumtë si numër, ashtu edhe në dashuri për vendin e të parëve. Pas tubimeve të organizuara për jetën sociale, politike. etnografike, lignuistike, arkeologjike, për ritet e zakonet e Dibrës mendoj se ky botim, mbase, do t’ju shërbejë disa moshave. Pasditeve kur të ulen per të pushuar, apo pasdarke kur të mblidhen, veç televizorit, le t’i hedhin nje sy këtij libri dhe aty do të gjejnë të parët e tyre. Të moshuarit do të ndjellin kujtimet e hershme, të tjerëve do t’ju kujtohen ato që iu kanë thënë njerëzit e prindërit e tyre. Të rinjtë do të dijnë më shumë për Dibrën e për njerëzit e saj të nderuar, do të dijnë se me çfarë të krenohen për origjinën e tyre, për atë vitalitet që s’i ka munguar trevës së tyre. Ky botim vjen pas publikimit të librit dinjitoz me dy vëllime “Dibra dhe etnokultura e saj”, të cilin e kam shfrytëzuar mjaft dhe qe organanizatorët e simpoziumit dhe hulumtuesit e historisë së Dibrës meritojnë lëvdata e nderime. Duke u nisur nga këto konsiderata. qëllimisht, desha të dilte në pah puna e madhe dhe e lavdërueshme që po bëhet prej vetë dibranëve dhe përfshirja në këtë punë edhe e autoriteteve shkencore më të njohura në rang kombëtar.
Ky shkrim nuk u drejtohet vetëm studjuesve, por të gjithë njerëzve të edo moshe e profesioni, sepse aty do të gjejnë një gur nga sokaqet, një copë trualli nga ara. livadhi e vreshta, një pikë ujë nga Radika e do të njohin luftrat e përpjekjet e tyre ndaj sulmeve të invadorëve të huaj të markave të ndryshme për të mbijetuar. Shpresoj që njerëzit do të gjejnë paraardhësit dhe vetveten. Është e nevojshme të theksoj edhe një fakt domethënës : Dibra e Madhe (e Sipërmja) nuk ka bërë asgjë pa Dibrën e Vogël (të Poshtmen). Është e rëndësishme të dalë në pah se krerët e të dy anëve të Dibrës. pashallarë, bejlerë, agallarë, pasanikë e të tjerë, kur bëhej fjalë për kombin e fatet e tij. zinin pozicion kundër pushtuesve dhe luftonin me tërbim. Ata mblidhnin e drejtonin popullin, prandaj edhe dibranët e thjeshtë, atdhetar e liridashës ngriheshin së bashku me ta. Kur sheherlijtë kishin mosmarrveshje me autoritet sunduese, populli mblidhej në kuvend. Kuvendi vendoste sipas vullnetit të tij dhe paraqiste kërkesën në qeveri. Kur qeveria nuk pranonte kërkesat e popullit, pezullohej çdo lloj aktiviteti. Atëherë ai ngjishte armët dhe njëkohësisht thirrej në ndihmë malësia, që i përgjigjej kushtrimit. Dhe në rastet kur pas kushtrimit mungonte marrëveshja, çështjen e zgjidhte lufta.

Edhe sheherlinjtë e Dibrës së Madhe janë rradhitur krahas luftëtarëve të Dibrës së Poshtme. Sa herë lëshohej kushtrimi ata vraponin në ndihmë të malësorëve besatues. Dhe shumë trima janë vrarë nga të dy anët. Zambakët e bardhë nderojnë kujtimin e tyre. Dëshmorët e Atdheut janë në qendër të këngëve dhe të vargjeve që populli u ka thurrur trimave të tij. Dibra e Madhe dhe e Vogël kanë pasur dhe kanë lidhje miqësore e
krushqie me njera-tjetrën e sidomos ajo ka qenë e theksuar në mes zonash që ishin afër. E ndjej të nevojshme të shënoj se libri mund të ketë edhe ndonjë pasaktësi e ngjarje të përshkruar jo me hollësi. Lexuesit, cilidoqoftë ai, i lutem të ndihmojë me shënime apo fotografi, të cilat, në rast të ndonjë ribotimi të mundshëm të kësaj monografie, të gjejnë vendin e tyre dhe të publikohen edhe ato.

Në qoftë se ia kam arritur qëllimit tim dhe ju shpreheni mirë për këtë shkrim e ndjej se kam shlyer një detyrim ndaj vendit të të parëve të mij, prandaj – Ju faleminderit të gjithëve!

Shkruar nga Prof.Dr. Arian Kadiu

Një kafe nga ju!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button