Aktualitet i ditësDiaspora DibraneLajme nga DibraNë Dibër të MadhePersonaliteteShqipëria

Edhe Dibra e Madhe e pret Rrugën e Arbrit

NGA:NDUE DEDAJ

Dibra e Vogël dhe Dibra e Madhe. Një shoqërim idesh të mbërthen sapo nisesh për atje. Korabi. Banjat e famshme termale. Alegoria dibrane. Nëntë Malet e Dibrës. Prijësit popullorë Elez Isufi dhe Isuf Xhelili, misionarët e dijes Said Najdeni (Hoxhë Voka) dhe Josif Bageri, Vehbi Dibra, Zija Dibra, Haki Stërmilli e të tjera figura atdhetare të kohëve të shkuara.

Tani nuk përmendet, por emri më i njohur dibran në shtetin shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX ishte ai i Haxhi Lleshit, luftëtar antifashist, komandant i çetës së Dibrës. Vijnë pastaj emra të mëvonë e deri të ditëve të sotme, nga bota kulturore, si Hazis Ndreu, Nuri Abdiu, Xhezair Abazi, Xhafer Martini, Shaban Sinani, Agron Tufa, etj., që ke pasur rastin t’i njohësh, t’i lexosh e ca prej tyre t’i kesh dhe miq. Dibra nuk janë vetëm emrat e saj në zë, por dhe kalatë si ajo e Grezhdanit, Kanuni i Dibrës dhe kryemjeshtria dibrane e ndërtuesit. Rajoni i Dibrës kaherë është në kërkim të një rruge bashkëkohore në standarde. Rrugës së Arbrit.

Nuk ka fushatë elektorale që nuk hapet e mbyllet në Dibër pa e pasur atë kryefjalë. Kryeministri Rama e ripremtoi dhe në fushatën e fundit Rrugën e Arbrit, duke deklaruar se ajo do të fillonte këtë vjeshtë. Nga urimi apo lutja e moçme “shtoi o Zot vallet!” qenë krijuar shtojzovallet, kurse sot që Dibra të bëhet një “shtojzovalle” e zhvillimit urban, lutja e parë do të ishte “shtoi o Zot rrugët!” për në rajonin verilindor të Korabit, pasi Peshkopia, Dibra e Madhe, Bulqiza, Martaneshi etj. janë ende larg Tiranës. Dhe të mendosh që Dibra e Madhe në mesjetë përshkohej nga “Egnatia”, duke qenë ndër nyjet kryesore tregtare mes Durrësit dhe Shkupit.

Por shkëputja nga trungu amë, Dibrën e Madhe, nga kryeqendër e atyre anëve e ktheu në një xhep të vogël të shtetit jugosllav, mbretëror apo federativ. Nga një kryevend që kishte qenë, tashmë ishte një periferi skajore e Republikës Jugosllave të Maqedonisë ku përfshihej, që do ta linte pasdore, në kufijtë e mbijetesës, dhe pse një trevë emërmadhe. Pas kësaj dibranët, në vend që të merrnin udhët perëndimore, duhej t’ia mbanin nga lindja. Do të mbetej si një kujtim i largët “Rruga e Dibrës” në Tiranë, që dikur e nxirrte Dibrën në metropol dhe porte. Përndryshe, ky ishte dhe “zvogëlimi” i parë i Dibrës së Madhe, mënjanimi dhe izolimi i saj.

Kjo ishte strategjia sllave ndaj shqiptarëve. Ndoshta do ta kishim shmangur këtë gjuhë në dukje retorike, të ishte thjesht për të bërë histori, por problemi është se ende Dibra e Madhe nuk e ka fituar “mëvetësinë” e saj, edhe pse shumë mure e gardhe politike kanë rënë. Ishim pas dy vitesh në Dibër të Madhe dhe njerëzit ndiheshin më mirë me zhvillimet e fundit politike, parlamentare e qeveritare në Maqedoni, duke qenë pak nga pak vijon nga faqja 1 në shtetin e vet dhe jo në atë të “huaj” për ta. Ky do të ishte dhe kuptimi europian i bashkëjetesës multietnike – nuk ka dhe aq rëndësi atdheu i origjinës kur shteti ku je të bëhet “atdhe”. Nga ana tjetër, nuk është e lehtë që një qytet deri dje oriental ta gjejë udhën në zhvillimet europiane.

Është një sistem tjetër administrimi dhe punësimi nga i djeshmi. Në regjimin e kaluar Dibra e Madhe kishte 5000 punëtorë, kurse tani ka vetëm 500 të punësuar në shtet, pra dhjetë herë më pak. Njerëzve u duhet ta gjejnë vetë rrugën e jetesës, edhe pse pasuritë natyrore janë po ato. Dje kishte disa ndërmarrje prodhuese, si fabrika e gipsit, e plastikës, punishtja e qilimave, kombinati ushqimor etj., që nuk janë më, ndaj banorët janë dhënë pas tregtisë etj. Por Dibra e Madhe do të kishte dhe një tjetër “zvogëlim” drastik, prej emigracionit masiv pas viteve ’90, aq sa, siç na thonë, është krijuar dhe një “Dibër e Madhe” në Amerikë e dibranë të shumtë gjenden dhe në Itali, Gjermani etj. Megjithatë, qyteti prej 20 mijë banorësh bashkë më rrethinat gjallin.

Pedonalja e ndërtuar kohët e fundit i ka dhënë pamje bashkëkohore qytetit, por dhe ndërhyrje të tjera në infrastrukturën e tij. Është ndjesi e veçantë të pozosh para shtatores së Heroit tonë Kombëtar në qendër, si dhe busteve të arsimpërhapësve të vjetër, Said Najdeni e Josif Bageri, njerëz të elitës rilindase. Dibra e Madhe është e përmendur dhe për Kongresin e saj të vitit 1909 për mësimin e gjuhës shqipe brenda Perandorisë Osmane. Mirë lavdia e së shkuarës, thua, po si i bëhet dhe për ca rilindës të sotëm, pasi sillesh rreth e rrotull “Skënderbeut” dhe nuk gjen një librari me libra shqip të Tiranës, Prishtinës, Tetovës? Ndërkohë banorët tregojnë se janë rikthyer marrëdhëniet e ndërprera me Peshkopinë, si me thënë, me gjysmën tjetër të vetes. Dje po të kalonin bagëtitë në anën tjetër të Drinit, nuk ishin më të tuat, si të kishin kaluar “diversantët”.

Në vitin 1988 në fshatin Majtarë, ku kufiri ishte një hap, i zoti i shtëpisë, mësues në shkollën e fshatit, na tregonte se ata andej, kushërinjtë e ndaluar, kishin vetura private të sjella nga Zvicra, makineri bujqë- sore, çka gjithsesi ishte pak për ekonominë e tyre nën vetadministrimin jugosllav. Dibra e Madhe nuk mund të mendohet pa llixhat e saj, që banorët i quajnë “Banjat”. Ato gjenden 6 kilometra në verilindje të qytetit, në fshatin Kosovrast, ku ka hotele të mëdha të vjetra dhe të reja në ndërtim, por dhe në krahun tjetër në Banjisht. Njëri nga banorët, një 75-vjeçar, na tregon se vijnë për t’u kuruar nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria etj.

Janë ujërat termo-minerale më të përmendura në Europë dhe ndikojnë në shërimin e disa sëmundjeve, reumatizmës, veshkave, diabetit etj. Toka dibrane këto ujëra i ka pasurinë e saj më të vlefshme, pasi po aq të përmendura janë dhe llixhat e Peshkopisë. Liqeni artificial është gjithashtu një pasuri e Dibrës së Madhe, duke ia shtuar hijeshinë dhe bukurinë qytetit. Ai është ndërtuar mbi lumin e Radikës që zbret nga malet dhe bashkohet me Drinin e Zi. U ndodhëm te llixhat për t’i vizituar ato kur po asfaltohej rruga prej dhjetë kilometrash. Çdo përmirësim në infrastrukturë e bën mjedisin rural më të urbanizuar. Ama duhen ruajtur fort ato urat e vjetra me harqe që ndokund i kanë mbuluar ferrat, ngaqë nuk përdorën më, ashtu dhe burimet, puset, çezmat e vjetra të qytetit që i japin identitet atij. Fundja, nëse banorët i kanë “mërzitur” një jetë puset, fut e nxirr kova me litarë, për turistët do të ishte një magji të pinin ujë nga këto puse.

Trumbat e qyteteve tona sikur janë harruar, ujësjellësit modernë i kanë nxjerrë jashtë modës, por kjo nuk është arsye për t’i humbur qoftë dhe si relikte në Dibër të Madhe e kudo tjetër. Ngado që vete do të kthehesh prapë te rruga e munguar. Edhe në fushatën elektorale që sapo kaloi, Rruga e Arbrit ishte thembra e Akilit e ligjërimit politik të të gjitha palëve.

Jo vetëm simbolikisht ajo nis nga “Rruga e Dibrës” në Tiranë. Pse jo, nga selia e qeverisë! Qeverisë së re, që, thënë dibrançe, do të jetë ajo që ishte, ndonëse “Rama 2”. Kryeministri e vuri theksin dhe këto ditë, pas fushatës, te Rruga e Arbrit. Për më tepër që dhe deputetja e re 21- vjeçare, që fitoi në Dibër me siglën e PDIUsë, duke iu bashkuar qeverisë, tha se do ta griste mandatin nëse Rruga e Arbrit nuk fillon këtë vit! Të shpresojmë që mandati i saj dhe sidomos ai i qeverisë kësaj here nuk do të “griset”! Që Dibra e “Nëntë Maleve” të mos mbetet si Doruntina përtej nëntë malesh…! /mattv.al/

Admini webit

Menaxher i rrjeteve sociale në Dibër dhe jo vetëm ! Guider turistik Fotograf i lirë ...! Bloger

Related Articles

Back to top button
Open chat
%d bloggers like this: