LOKALEPersonaliteteVisit Diber

EDHE ME NJË, EDHE ME DY, EDHE ME TRI DIGA… DIBRA MBYTET

Nga Abdurahim Ashiku

Share

EDHE ME NJË, EDHE ME DY, EDHE ME TRI DIGA… DIBRA MBYTE

Bisedë shoqërore me Vesel Hoxhën, senator i Universitetit Politeknik.

Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës dhe hidrocentralit të Shpiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet pos humbjes të rreth 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane.
Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria
maqedone që nuk do të ja dijë nëse këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën.

Argëtim Fida, Kryetar i Komunës së Dibrës, Maqedoni

* * *

E kisha lënë penën në faqen 276 të librit tim “PO DIBRËS! JO SKAVICËS! tek ftoja…
Kjo faqe është për ty lexues, dibran apo jo, shqiptar apo edhe i huaj.
Shkruaj, bëju krah, bëju pjesë e “Furtunës Dibrane” kundër “Digës së Skavicës”, kundër liqenit mbytës të gjithçkaje dibrane…
E kisha lënë me mendimin se intelektualët dibranë do ta merrnin dhe do të plotësonin pikat në vazhdim për vete dhe për të tjerë…
Më duhet ta marr përsëri penën në dorë, edhe pse e shoh se është paksa e ngrënë. Ani, edhe kështu shkruan…
Dhjetori, si Janari i të njëjtit vit, 2010, erdhi me përmbytje masive të Shkodrës, përmbytje që i kaloi çdo kufi mbajmendje njerëzore. “Dhjetori”, në krahasim me “Janarin”, akuzoi liqenin dhe Bunën, akuzoi “çmendurinë” lumore e liqenore, siç e cilësuan në “vetëmbrojtje” politikanët.
Në Janar Skavica u lakua në të gjitha rasat, nga të djathtë në pushtet e të majtë në opozitë. Të gjithë thanë se Shkodra është përmbytur sepse nuk ishte ndërtuar Skavica, se nuk ishte mbytur Dibra. Hapakrahësh të gjithë deklaruan se që të mos përmbytet Shkodra duhet të ndërtohet Skavica, duhet të mbyten përgjithnjë 65 kilometra katrore tokë e të shpërngulen mbi dyzetmijë banorë…
Në dhjetor Skavica u lakua nja 2-3 herë vetëm nga kryetari i qeverisë. Dhe kjo si pjesë e “planit afatgjatë”. Arsyeja ishte sepse kësaj radhe Shkodra ishte përmbytur nga të tjerë faktorë.
Çuditërisht kësaj radhe nuk u fol as për “Hidrocentralin e Bushatit” as për “hyrjen në ujë” të tij nën emrin “Hidrocentralit të Ashtës”, ndërtimi i të cilit dikur cilësohej si faktor bazë në mospërmbytjen e Shkodrës, madje edhe për përftimin e qindra hektarëve tokë në anën shqiptare dhe atë malazeze.
Le t’ia lëmë Shkodrën shkodranëve dhe zgjidhjen e tragjedisë së saj një tryeze shkencore intelektualësh të “pa parti”.

* * *

Për prodhimin e energjisë elektrike si dhe për disiplinimin e rrjedhës së fortë të Drinit, janë ngritur gjashtë diga, tri prej të cilave në territorin e Republikës së Shqipërisë (Vau i Dejës, Fierza dhe Komani) dhe tri jashtë kufijve zyrtarë të saj (por brenda kufijve etnikë), përkatësisht në “shtrungë” të liqenit të Ohrit në Strugë, në Glloboçicë dhe në Spile të Dibrës së Madhe. Për tri digat e tjera çuditërisht, si të mos jemi pjesë e planetit nuk kam dëgjuar të flitet pothuajse fare, përjashtuar janarin 2010 kur portat e liqenit të Ohrit, Glloboçicës dhe Spiles u hapën…
Këtyre “gjashtë digave” pritet tu shtohet një e shtatë, Skavica, dhe dy të tjera (Kodra e Bitrit – maja e Thekanushit dhe ajo mbi Katundin e Ri) ide e shtruar nga z. Vesel Hoxha.
Dua ta përshëndes miqësisht mikun tim të vjetër Vesel Hoxha për prononcimin e tij publik në “Rruga e Arbërit” duke e cilësuar si vlerë intelektuale pavarësisht se ndonjë rezervë e lidhur me profesionin tim nuk derdh asnjë pikë ujë, as mbi Skavicën dhe as mbi “Tri Skavicat”.
Veselit i liroj kryet e vendit për njohjen e Dibrës, të maleve dhe të luginës, të kuotave gjeodezike e të rrugëve e rrugicave ku këmba e tij ka shkelur më shumë se e kujtdo intelektuali dibran.
Unë kam mbaruar agronominë dhe si agronom kryet e vendit ia lë njerëzve të mëdhenj që për një moment e shndërruan luginën e Dibrës në
një truall prodhues me njohje evropiane për mollët e Kastriotit, Zdojanit, Gjarajcës, Pasmarit, Ostushit, Zall Sinës…
Ua lëshoj vendin Xhavit Hysës, Mehmet Hajrullait, Xhetan Xhikës, Idriz Lalës, Jovan Popit, Met Ramizit, Haki Kolës…një brezi “të vjetërish” dhe “të rinjsh” që punuan me përkushtim për krijimin e blloqeve të mëdhenj frutorë në Dibër.
Ua lëshoj vendin Gani Tuçepit, Beqir Kalisë dhe të tjerëve që morën ujërat e Setës dhe të lumenjve të tjerë malorë dhe i përcollën në tërë luginën e Drinit.
Përpara tyre unë e quaj veten nxënës, një nxënës që e ka për detyrë intelektuale e shpirtërore të mbrojë veprën e mësuesve të tij. Në ndërtimin e Skavicës duhet të pyeten Ata (vepra e tyre jeton edhe kur disa nga ata kanë ikur). Duhet të pyetet bujku dibran që atë tokë e ka ujitur me djersë dhe me gjak në kohë të vjetra synimesh të egra sërbe, e në kohë diktature pune vullnetare bashkuar në “12 mijë” vetë si atë natë të 14 dhjetorit 1969.
Por, duke i kërkuar ndjesë z. Vesel, dëshiroj të futem paksa në “arat e tijë, jo vetëm, por me njerëz që para afro pesëdhjetë vjetësh e kanë rrahur me këmbë Drinin dhe guxuan të ndërtojnë e ta rradhisin Shqipërinë midis vendeve që kan ndërtuar digat më të larta në botë.
“Në janar 1961 krijohet Instituti i Studimit, Projektimit dhe Ndërtimit të veprave hidroenergjetike, shkruan Emin Musliu në një shkrim të dhjetorit 2010 me titull “Fierza edhe sot është e sigurt”. Unë emërohem drejtor, Petrit Radovicka, kryeinxhinier, i caktuar nga qeveria, për hartimin e shkallës së shfrytëzimit të Drinit. Gjatë 3 viteve 1961, ‘62, ‘63, punuan në këtë studim mbi 70 specialistë të lartë të fushave të ndryshme (Topolog, Gjeolog, Hidrolog, ing, Hidroteknik, mekanik, elektrik etj..) Me Petritin kemi bërë 3 rikonjucione gjatë rrjedhës së Drinit. Në përfundim mbas 12 varianteve zgjodhëm 4 variante dhe nga këto të katërta u zgjodh varianti 3, i cili u miratua në organet përkatëse të kohës. Merita e këtij studimi madhështor qëndronte, në investimin dhe argumentimin e tij për krijimin e liqeneve me rregullin 1-vjeçar dhe shumë vjeçar. Këto rezervuare mund të krijoheshin me diga të larta. Në këtë version parashikohej ndërtimi i 5 H/C prej të cilëve Fierza me digë 167 m. të lartë dhe Skavica me digë 220 m. të lartë. Në atë kohë, deri më 31 dhjetor 1962, ishin ndërtuar 10 diga të larta mbi 160 m. në gjithë botën (6 në Amerikë, 1 në Francë, 1 në Itali dhe 2 në Zvicër). Argumentet e Petritit ishin shumë bindëse për nevojën e digave të larta që krijonin liqene me rregullin vjetor si Fierza 2.8 milionë m3 dhe rregulli shumë vjeçar si Skavica 6.7 milionë m3. Parametrat e sigurisë së tyre u morën nga më të lartat. Përballimi i prurjeve të lumit me probabilitet 1 herë në 10000 vjet dhe kontrollin ndaj tërmeteve në 9 ballë. Kjo ishte një aventurë shumë e fuqishme për kohën, por besimi ishte shumë i lartë për ta realizuar. Puna ishte konkrete dhe zbatimi u bë perfekt. Fierza dhe sot është e sigurt vetëm të zbatohet rregullorja e sigurimit teknik.”
Nga sa sipër nënvizova:
Fierza me digë 167 m të lartë dhe Skavica me digë 220 m. të lartë…
…Liqene me rregullin vjetor si Fierza 2.8 milionë m3 dhe rregulli shumë vjeçar si Skavica 6.7 milionë m3.
Nga nënvizimi del se Skavica është konceptur (dhe konceptohet) si hidrocentral i rregullit “shumë vjeçar” gjë që e përkthyer në gjuhën popullore do të thotë që Skavica do të jetë një gjol i madh me 6.7 milionë metra kub ujë ose 2.4 herë më shumë se sa Fierza.
Një hurdhë e tillë gjigande do të mbyste tërësisht ultësirën e Dibrës, nga Reçi në Gjoricë, tokën që i ka dhënë dibranit në mijëvjeçarë bukë e qumësht, tokën ku historia e saj, ndër të tjera me 18 betejat Skënderbejane dhe atë të Gjoricës 1844 kundër hordhive të Hajredin Pashës, shkëlqen…
Skavica në pesëdhjetë vjet diktaturë nuk u ndërtua, megjithëse shteti i asaj kohe e kishte në dorë edhe “kakrrukun” edhe “teskën”, ishte i aftë të ndërtonte një “Dibër tjetër” ashtu siç ndërtoi një “Kukës” tjetër, një “Ulzë” tjetër, një “Banjë”tjetër…
Pse nuk u ndërtua? Këtë pyetje e kam bërë edhe unë në rreshta e midis rreshtave në librin në qarkullim. Me të drejtë e bën edhe z. Vesel. Mua më vjen keq që ndërsa arkivat e shtetit janë hapur edhe për individë të veçantë (mirë është bërë) për një trevë të tërë me kokën në trungun e gijotinës, nuk janë hapur (më saktë do të ishte mirë të thosha se nuk ka shkuar njeri që ti hapi dhe ti bëjë publike) ndonëse Dibra ka intelektualë me potencial akademik që i dinë të gjitha labirintet e dosjeve të Arkivit Kombëtar. Unë e quaj emergjente hapjen e tyre për transparencë ndaj hapit që është hedhur nga politika e të dy krahëve për mbytjen e Dibrës si mospërmbytje të Shkodrës.

* * *

“Që në fillim të këtij shkrimi, do të përgjigjesha pozitivisht për ndërtimin e tyre në Lumin e Drinit të Zi”. – E nis opinionin e tij z. Vesel Hoxha, “Por…Veç problematikave që lidhen drejtpërdrejt me lëvizjen ose shpërnguljen e popullatës, kemi të bëjmë edhe me shumë aspekte të tjera të karakterit të sigurisë, historisë, arkeologjisë, bujqësisë, mjedisit, pyjeve, gjeologjisë etj. etj.. Dhe ajo më e rëndësishmja, e thënë me pak fjalë, fillon tek bashkëpunimi me komunitetin e zonës që do të përmbytet, me popullatën, tek marrëveshja paqësore me to, e kënaqëshme, e levërdisëshme dhe e sinqertë midis palëve. Pa një marrëveshje të tillë me të zotët e truallit që do të përmbytet, nuk mund të ndërtohet as një dhe as më shumë se një hidroçentral në zonën e Dibrës, në luginën e lumit Drini i Zi, pasi nga kufiri i saj verior e gjerë në kufirin e saj jugor me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ajo ka të zotërit e tokës, të zotërit shekullorë të saj.”
“Bashkëpunim me komunitetin e zonës që do të përmbytet…” një kërkesë iluministe, kërkesë që në kushtet e kapitalizmit dhe të pronës private, për më tepër të një prone private ku secili dibran trashigon pronat e të parëve shekullorë, është i pamundur. Një bashkpunim me shtetin kundrejt një gjysmë euroje për metro katrorë, kur tokat ku ai do të shpërngulet janë të paktën 100 euro metri katrorë, është çmenduri.
Por ndërsa me popullatën “teorikisht”, “në instancë të fundit” mund të arrihet “bashkpunim”, me historinë, me arkeologjinë, me vlerat e jashtzakonshme të Dibrës si krahinë qendrore gjeografike dhe historike e shqiptarëve pyes a ka burrë nëne ti mbledhë njerëzit e trurit dibran për të rënë në ujdi për mbytjen e përhershme të vlerave?
Për z. Vesel Hoxha: “Varianti me një digë do të ishte shkatërrim total i trevës së Dibrës së Poshtme në veçanti dhe i gjithë Dibrës në tërësi.”
Me kulturën gjeodezike që kam (Gjeodezinë e kam dhënë si provim universitar) nuk i heq asnjë presje mendimit të z. Vesel për kuotat që jep ai në rrjedhën e lumit Drini i Zi nëpër Dibër. I quaj të mirëqena por nuk quaj të mirëqënë mendimin e tij për ndërtimin e tri digave mbi shtratin e lumit, njera prej të cilave është në Skavicë, tjetra midis “Kodrës së Bitrit (me lartesi mbi nivelin e detit 428 m) dhe Kodrës ose Majës se Thekanushit “ dhe e treta “mbi Katundin e Ri, aty ku lumi Drini i Zi fillon e ngushtohet”.
Në variantin e parë: “diga duhet të ketë një lartësi të tillë që kuota maksimale e liqenit të mos i kaloj 365 m maksimumi 370 m mbi nivelin e detit, duke mos e përmbytur ose duke e përmbytur shumë pak, në periferitë e tij, fshatin Fushë Alie. Më konkretisht, Ura e sotme e Lushës e ka kuotën perafërsisht 368 m. Pra liqeni i ardhëshem që formohet nga diga e Skavicës, ose diga e parë, do ta ketë pasqyrën e ujit, për mbushje maksimale, përafërsisht të barabartë me kuotën absolute të Urës së Lushës.”
Nga sa e njoh unë zonën bujqësore nga Reçi tek Ura e Lushës i bie që ultësira e Drinit nga Zall-Reçi në Zall-Kalis, Lugje, Zall-Dardhë dhe Fushë Çidhën, hambare bujqësore dhe blegtorale të kësaj zone, mbytet. I bie që me kuotat që na jep z. Vesel të mos mbytet vetëm fshati Blliçe, vendlindja e tij (!)
Në variantin e dytë ku: “aksi i digës mund të përputhet me tubacionet e ujit të kanaleve vaditëse që kalojnë aty.” – vend i njohur ky nga të gjithë për shkak të sifonit që kap dy kodrat më krah të Drinit na del që “Ura e Muhurrit nuk do të përmbytet, pra pasqyra e liqenit të ardhëshën në kuotë maksimale do të jetë poshtë urës në fjalë…”
Ura e Muhurrit nuk u mbytka por mbyten të gjitha tokat bujqësore të Kastriotit, Kandrrit, Kishavecit, Zall-Sinës, Vajmëdhejt, Muhurrit, Çapi i Brezhdanit, fusha e Ushtelencës, Cetushit dhe Katundit të ri…, tokat më pjellore të tërë luginës së Drinit të Zi.
Varianti i tretë: “mbi Katundin e Ri, aty ku lumi Drini i Zi fillon e ngushtohet”, me “përroi i Vesharsit”, “Perroi në perendim të Kodrës së Cuculit” më vjen pak si i ngatërruar gjeografikisht, megjithatë ultësirat që kanë mbajtur me bukë dhe qumësht në hapësirën Selane, Fushë-Dohoshisht, Hotesh e deri në Gjoricë dhe në ultësirën në pjesën e fshatrave të Dibrës së Madhe në kufirin shiptaro-shqiptar, mbyten përjetë.
Në tërë këtë linjë dige apo digash, “Rruga e Rinisë”, ndërtuar në vitin 1946 (dhe lënë në harresë) nga Muhurri e deri tek Ura e Dodës mbytet duke bërë izolimin total të fshatrave. Askush, deri tani, nuk ka folur për këtë izolim rrugor, izolim që i çon këto fshatra në kufij mesjetar lidhjesh me njeri tjetrin. Në botën evropiane ku punoj e jetoj prej 15 vjetësh, shteti, para se të japë lejen për ndërtimin rëndom edhe ndonjë lagjeje të re deri edhe shtëpi të vetmuar, merr masa për të çuar deri në themelet e shtëpive rrugën e asfaltuar, ujin dhe energjinë elektrike pa ndërprerje. Dibranëve në fshatrat Përtej Drinit nuk është folur asnjëherë se si do të lidhen e si do të vazhdojë jeta…
Z. Vesel, në ndërtimin e dy digave mbi Drin, përveç asaj të Skavicës ku mendoj se ka studime edhe për materialet mbushëse të digës, nuk na flet fare se ku do të merren materialet inerte për mbushjen e digës në ngushticat për të cilat flet. Mua më ngjan se për ndërtimin e digës mbi Fushë të Çidhnës do të duhet që jo vetëm Suka e Arrasit dhe kodrat e Përgjegjegje por edhe kodrat e Sinës dhe të Rrenzit e Kastriotit do të duhet të rrafshohen. Të njetën gjë do të thosha edhe për digën e tretë, mbi Katundin e Ri, ku kodrat e Smollaviçit, Cuculit, Hoteshit etj. do të sheshohen.
Në ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, nga vëzhgimet e mia, del se të gjithë autorët llogaritë i bëjnë në metra kub ujë dhe në kilovatorë energji elektrike, përkthyer me mospërmbytje në zonën e Shkodrës në raste reshjesh të mëdha, në siguri për kaskadën e Drinit në raste thatësie dhe në vlerë leku apo valute, për interesa kapitaliste.
Midis 70 specialistëve të angazhuar 50 vjet më parë për studimin e kaskadës së Drinit -Topolog, Gjeolog, Hidrolog, ing, Hidroteknik, mekanik, elektrik etj… (shih Emin Musliu) nuk përmenet asnjë specialist mjedisi: agronom, zooteknik, inxhinier pyjesh, biolog, histortian, arkeolog etj. Nuk merret mundimi dhe sot të pyeten askush prej tyre, a thua se jeta ekziston vetëm në saj të energjisë elektrike.
Xhemal Mato, i njohur për mbrojtjen e mjedisit shqiptar, pas njohjes me problemet ekologjike që vinin si pasojë e mbytjes së Dibrës nga ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës më shkruante:
“E lexova shkrimin tuaj dhe problemi mu duk shumë i rëndësishëm dhe kompleks. Unë vetë mësova shumë gjëra dhe kuptova që pak e njoh problematikën që do të sjellë ndërtimi i Skavicës. Mendoj se intelektualët e zonës së Dibrës duhet të kërkojnë vlerësimin mjedisor që është bërë për këtë projekt (është e drejta e tyre dhe detyrim ligjor i Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Kulturës). Gjithashtu me ligj ata kanë të drejtë ta anulojnë, në se nuk janë dakord dhe argumentojnë ato që ju përmendni me të drejtë. Kjo është rruga ligjore por si e dini dhe ju, ligjet shpërfillen në këtë drejtim në Shqipëri, kështu që ngel hapi i dytë gjyqi, i cili gjithashtu nuk fitohet kollaj dhe s’e merr përsipër ta bëjë një grup i pa bashkuar, shpesh i pamotivuar në ndërgjegje. Se fundi është gjyqi publik të cilin ju jeni duke e bërë por këtu të gjithë që janë dakord me ju duhet ta bëjnë dhe unë tashmë rreshtohem pas jush.
Te fala, Xhemali”
(Po Dibrës!, Jo Skavicës! f. 7)
Argëtim Fida, kryetar i komunës së Dibrës së Madhe nën Maqedoni më shkruante:
“Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës dhe hidrocentralit të Shpiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet pos humbjes të rreth 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane.
Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria
maqedone që nuk do të ja dijë nëse këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën.”
(Po Dibrës!, Jo Skavicës! f.6)

* * *

Në hulumtimet e mia empirike kam kërkuar që në vend të Skavicës të ndërtohen një sërë hidrocentralesh të mesëm mbi degët e Drinit në Mallë, Veleshicë, Setë, Gramë, Gjalagjosht, Murrë, Okshtun… dhe qindra hidrocentralë të vegjël mbi degëzime më të vogla e mbi kanale ujitës. Kam përmendur një studim të viteve ’80-të ku vetëm nga ngritja e hidrocentraleve mbi kanalet ujitëse dhe ujësjellsin e Peshkopisë prodhimi i energjisë elektrike rritej nga 15 milionë kilovatorë në 220 milionë që, siç thuhej atëherë, “Dibra ngrohej dhe gatuante me enerji elektrike”.
Tash, nga publikimet mediatike, më duhet të shtoj një lajm të ri, rrjedhur nga “sherret e politikës”.
“Janë dhënë me koncesion për 35 vjet hidrocentralet – “Borovë”, “Sebisht Nr. 2”, “”Prodan Nr. 4”, “Prodan Nr. 5”, “Okshtun Nr. 6”, “Okshtun Ekologjik”, “Tërnova Nr. 7”, “Lubalesh Nr. 9”, “Lubalesh Ekologjik”, dhe “Gjoricë Nr. 10″, pra në total plot 10 hidrocentrale me prodhim vjetor prej 153 milion e 786 mijë e 127 Kilovat Orë”-
Kjo e dhënë zyrtare është të paktën vetëm për një të katërtën e territorit të Dibrës. Shifrën që jepet po ta shumëzojmë me katër na del që në prodhim energjie, nga burimet ujore malore të Dibrës, të kemi DY në mos më shumë Skavica.
Për mendimin tim, i dashur Vesel, si me një digë, si me tri diga, Dibra në rrënjë të saj shuhet. Dhe, po qe se me të vërtetë, luginën e bukur e pjellore të Drinit të Zi do ta zhysyn në ujë, atëherë TROKË SE TROKË LE TË BËHET OKË.
Le të ndërtohet Skavica!
Në fund të fundit, në qoftë se do ta arrij atë ditë, unë nuk humbas asgjë. Trojet e babait tim do të zgjaten si një ballkon mbi ujërat e liqenit të Skavicës.
Kundërshtimet e mia janë të lidhura me interesa të gjera të Dibrës e jo me interesa të ngushta vetjake.

Abdurahim Ashiku
Athinë, dhjetor ‘10

Një kafe nga ju!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button