Fetare

Haxhi Vebi Dibra

Share

Haxhi Vebi Dibra
Vehbi Dibra, ky personalitet i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, teolog dinjitoz
u shfaq në momentet vendimtare të historisë sonë dhe shumë shpejt zuri vend në
plejadën e patriotëve të rëndësishëm e më në zë të Rilindjes sonë.
 Ai hyri në skenën politike e shoqërore aty nga fundi i shekullit XIX, në vitet e
furishme të luftës së populit shqiptar për çlirim kombëtar, vite kur u ngjallën shpresa
të reja në përpjekjet e tij për të realizuar ëndrrën shekullore për të
pasur shtetin e vet të lirë e të pavarur.1
 Vehbi Dibrën e gjejmë pjesëmarrës të shumë mbledhjeve e kuvendeve të
rëndësishme të kohës, që lidhen me luftën e përpjekjet e popullit tonë për pavarësi,
përparim, kulturë e dije. Është e njohur pjesëmarrja dhe ndihmesa e tij në “Lidhjen e
Dibrës” të krijuar në dhjetor të vitit 1896.
 Në Kongresin e Manastirit ai mbështeti fuqimisht idenë , për një alfabet të ri të gjuhës
shqipe, dhe për mësimin e shqipes në shkollat e Shqipërisë. Më pas, atë do ta shohim
kryetar të Kongresit të Dibrës, do ta gjejmë në krye të luftës kundër atyre që
përpiqeshin të pengonin zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare dhe pranimin e
alfabetit arab si alfabet të gjuhës. Por ajo që merrte vlera të veçanta për vetë situatat
dhe problemet që kalonte vendi ishte këmbëngulja me të cilin Vehbi Dibra dhe
patriotët e tjerë shtronin çështjen e bashkimit të kombit shqiptar, kërkesën që
shqiptarët të administrojnë vetë punët në shtëpinë e tyre, ose domosdoshmërinë e
hapjes së shkollave shqipe.
 Pa dyshim ngjarja më e rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë patriotike të
Vehbi Dibrës është pjesëmarrja në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, që shpalli
Pavarësinë e Shqipërisë.
 Kulmin e veprimtarisë së Vehbi Dibrës në ngjarjet e rëndësishme historike të
Kuvendit të Vlorës e përbën dhënia e fetfasë për shpalljen e Pavarësisë.
 Më konkretisht: Një grup klerikësh konservatorë shqiptarë iu kundërvunë shpalljes së
pavarësisë dhe ngritjes së flamurit duke e justifikuar qendrimin e tyre me shpjegimet
dhe interpretimet që ata i bënin Kur-anit, kur deklaruan:
 Me që feja islame nuk kishte dhe nuk pranonte në simbolet e saj, në vendet e kultit
ose në botimet e ndryshme fetare figura e qenie të gjalla, njerëz, kafshë, shpendë etj.,
ata shtruan mendimin se nuk lejohej që në flamurin e një kombi mysliman të gjendej
ndonjë gjallesë.
 Sipas tyre, nuk mund të njihej e të ngrihej një flamur që në qendër të tij kishte një
shpend, shqiponjën dykrenare. Kështu, me interpretimin që i bënin librit të shenjtë,
Kur’anit, ata në fakt iu kundërvunë flamurit kombëtar, i cili si simbol i pavarësisë
kishte filluar të ngrihej, në prag e pas Kuvendit në mbarë Shqipërinë.
 Pikërisht në këto kushte, kur, nën petkun fetar, nisi një propagandë e tillë kundër
flamurit tonë kombëtar, Vehbi Dibra nuk mund të qëndronte indiferent.
 Prandaj, si një personalitet me autoritet i komunitetit musliman, e ndjeu të
domosdoshme të ndërhynte menjëherë dhe të vinte në vend, nga njëra anë, nderin e
kombit, por nga ana tjetër, edhe nderin e fesë, e cila me interpretimet e këtyre
pseudoshqiptarëve, jo vetëm nuk nderohej, por përkundrazi cënohej rëndë.
 Për të përligjur e mbrojtur praninë në fetfa të flamurit kuq e zi me shqiponjën
dykrenare Vehbi Dibra, veç të tjerash, shtronte pyetjen: Nëse gjatë historisë në
flamurin tonë është pranuar figura e njohur (shqiponja dykrenare) dhe duke marrë
parasysh se tash heqja e kësaj figure prish bashkimin dhe shkakton përçarje dhe
grindje dhe nga kjo ka shumë mundësi që edhe vendi të pësojë disa rreziqe.
 Kur Ismail Qemali në krye të delegacionit shqiptarë, shkoi në disa kryeqytete të
Evropës për të sensibilizuar opinionin evropian në favor të çështjes shqiptare, atij i u
besua detyra e kryesimit të Qeverisë së Përkohshme.Dokumentat dhe shkresat e kësaj
periudhe mbajnë firmën e Vehbi Dibrës.
 Kur analizojmë faktorët historikë e kulturorë, që patën rol në krijimin e harmonisë
fetare dhe vlerave të saj, nuk duhen lenë në harresë edhe faktorët subjektivë, ku do të
veçonim faktin, që, në krye të komuniteteve fetare, në përgjithësi, sidomos në
periudhën midis Dy Luftërave Botërore, qëndruan klerikë të mëdhenj patriotë, të cilët
me veprën dhe ndihmën e tyre, luajtën një rol të rëndësishëm në krijimin e ekuilibrit
të brendshëm shpirtëror te besimtarët e feve të ndryshme për t’a vënë atë në shërbim
të çështjes kombëtare shqiptare.
 Vehbi Dibra ishte një nga ata që asnjëhere nuk e pa fenë si një humnerë që ndante e
përçante shqiptarët, përkundrazi, ai mbronte idenë e uniteti të popullit pa dallim feje si
një faktor me rëndësi të madhe për ekzistencën e tij si komb.  Nga kjo pikëpamje ai ishte në pozitat e Rilindasve dhe i përmbahej asaj që thoshte
Vaso Pasha “Feja e shqiptarit është shqiptarija.
 Në përfundim do të theksonim edhe një herë se koncepti i Vehbi Dibrës mbi
karakterin unik dhe progresiv të kulturave, qytetërimeve, të tolerancës, mirëkuptimit e
të dashurisë midis popujve, pavarësisht nga dallimet kombëtare e fetare janë vlera që
në kushte aktuale rrisin besimin dhe optimizmin midis njerëzve, për triumfin e paqes e
të mirëkuptimit kundër luftës e dhunës si shkatërimtare e kulturave dhe e
qytetërimeve.

Një kafe nga ju!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button