AktualitetAktualitet i ditësDiaspora DibraneLajme nga DibraPolitikëShqipëria

Hidrocentrali i Skavicës “po” apo “jo”?

Hidrocentrali i Skavicës “po” apo “jo”?
Nga Alban Daci

Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës, pa dyshim është çështje kombëtare, por më parë është çështje e Dibrës.

Ndërtimi i këtij hidrocentrali është një çështje mjaft e rëndësishme, sepse praktikisht ndryshon në pjesën më të madhe hartën e Dibrës, duke zhdukur e mbuluar me uji shumë fshatra e zona.

Sigurisht, ky hidrocentral ka efekte afektive, sepse dibranët shquhen për lidhjen që kanë me territorin. Bashkë me këto fshatra do të mbulohen me uje edhe varrezat e të parëve, e kaluara dhe pse jo edhe një pjesë e rëndësishme e traditës, që lidhen me këto zona që do të mbulohen njëherë e përgjithmonë nga uji.

Edhe vetë lugina e Drinit të Zi, nuk do të jetë më ajo që jemi mësuar ta dimë nga historia, gojëdhenat e po ashtu nuk do të jetë më ashtu jemi mësuar ta shikojmë me sytë tanë.

Lugina e Drinit të Zi, njihet edhe si hambari i Dibrës, për shkak të prodhimeve të bollshme bujqësore. Duhet theksuar se, Dibra e Potshme, e cila do të mbulohet me ujin e hidrocentralit,është kryesisht vendi malor dhe pjesa e vetme më pjellore e saj është zona e luginës së Drinit dhe të zonave për rreth.

Ndërtimi i këtij hidrocentrali, përveç faktit, se do të zhduk nga historia fshatra, qendra banimi e zona të tëra, bashkë me ta do të zhduk historinë, kulturën, traditën, dialektet folklorin që janë pjesë e rëndësishme e mozaikut kombëtar, ai do të krijoi “muhaxherr” të rinj, si ranë të rinj, emigrant, përsëri pa tokë e pa “atdhe”.

Dibra është goditur vazhdimisht nga eksode për shkak të lufterave, por në rastin e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës do të ndodh eksodin më i madh i dibranëve.
Ky hidrocentral do të ketë efekt të madh e të jashtëzakonshëm në klimën dhe mjedisin e kësaj zone. Kjo çështje kaq shumë e rëndësishme duhet të kishte hapur një debat të madh publik mes dibranëve, por, siç duket edhe në këtë histori, frika nga pushteti, interesat për politikën e kanë bërë që ndërtimi i këtij hidrocentrali të konsiderohet si një çështje e vogël dhe e parëndësishme.

Nuk jam për “jo” të prerë, por as për “po” pa kushte!
Ndërtimi i këtij hidrocentrali është studiuar si opsion që në kohën e regjimit dhe thuhet se vlen për të rregulluar ujerat e kasades së Drinit!
Para se të themi “jo” janë disa pyetje që duan pergjigje:
1. Ky hidrocentral është interes ekonomik i oligarkëve apo është interes kombëtar?
2. Ndërtimi i këtij hidrocentrali është opsioni i vetëm?
3. Çfarë do të ndodh me banorët e këtyre zonave dhe me varrezat e të parëve?
4. Çfarë efektesh ka dhe do të ketë për klimën dhe mjedisin e zonave përreth?
5. Pse duhet të sakrifikohen dibranët për ndërtimin e këtij hidrocentrali?

Gjithashtu, që të themi “po”, përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet të na bindin dhe të jenë sa më të sinqerta, ose sa më afër sinqeritetit!
Nuk duhet të harrojmë faktin se , lumenjtë dhe ujërat janë pasuri e të gjithëve dhe janë pasuri e të gjithë brezave që do të vijnë. Reagimi, ose sjellja jonë, do të jenë ose një qëndrim burrëror ose një njollë turpi, që do të kujtohet përgjithmonë.

Ka një histori interesante që mund të merret si shembull, ose mund të interpretohet si model.
Një kompani fitoi garën për të ndërtuar një dig të madhe mbi lumin Yangtze në Kinë. Disa fshatra të vogla në numër banorësh, por të vendosur kundërshtuan këtë projekt. Projekti po avanconte, edhe pse banorët ishin kundër, atëherë një grup i vogël marrin peng për disa ditë inxhinierin kryesor.

Autoritetet ndërmjetësojnë me banorët dhe arrihet marrëveshja: banorët do e lëshonin të lirë inxhinierin dhe autoritete kineze do të bënin një referendum, nëse shumica e banorëve të prekur nga ndërtimi i hidrocentralit do të shpreheshin kundër, atëherë projekti do të ndalohej!
Ashtu siç pritej, banorët votuan kundër, projekti u anullua dhe banorët shpëtuan tokat dhe gabimet e tyre. Tani jemi në prag të zgjedhjeve dhe ndërtimi i Skavicës duhet të jetë një argument që duhet të trajtohet nga kandidatët për deputet të Dibrës që, jo vetëm duhet të prononcohen personalisht në lidhje me ndërtimin e këtij hidrocentrali, por edhe duhet të japin zotimet e tyre personale. Kandidatët e sotëm dhe deputetët e mundshëm nesër, duhet të luftojnë e të insistojnë të mbrojnë më shumë të drejtat kontraktuale të banorëve, që do të preken nga ndërtimi i hidrocentralit.

Kandidatët e maxhorancës, kuptohet se e kanë të vështirë të mbajnë qëndrime personale, si dibran e kjo ndodh se:
1. Së pari, nuk kanë statur dhe personalitet të mbajnë qëndrime;
2. Së dyti, janë prodhim i listave të mbyllura dhe të Kryetarit të Partisë dhe ky i fundit ka avancuar më tej për ndërtimin e këtij hidrocentrali.

Gjithashtu, kandidatët për deputet në Dibër pjesë të premtimeve e po ashtu program elektoral dhe qeverisës duhet të ketë çështjet që dalin dhe lindin nga realizimi i hidrocentralit.
Kultura e referendumeve, dihet se është histori e keqe e pluralizmit tonë, por mendoj se zgjidhja e vetme për ndërtimin e hidrocentralit eshte referendumi popullor.

Admini webit

Menaxher i rrjeteve sociale në Dibër dhe jo vetëm ! Guider turistik Fotograf i lirë ...! Bloger

Related Articles

Back to top button
Open chat
%d bloggers like this: