Guida dhe guiderHistori dhe TregimeInformacion TuristikPërditshmëriVisit Diber

Historia e lashtë e Dibrës

Share
Historia e lashtë e Dibrës asht e errët, sikurse asht e errët edhe etimologjija e emnit të “Dibrës”. Kemi bërë studime dhe kërkime mjaft për me gjetë burimin e fjalës “Dibër”, por mjerisht s’kemi mundur me diktuar gjë. Turqit e flisnin “Debre”, dhe gojëdhana thotë se, kalorsit të parë turk që hyni në Dibër ju lodh kali dhe kalorësi i briti: “de bre!”
Sllavët i thonë “Debar”. Kjo fjalë sllavisht don të thotë “koder”, “gremine”, “grykë”. Por as kjo mënyrë shqiptimi nuk na vërteton se kjo fjalë nuk asht shqip. Bile kur shohim se edhe në Mirditë ka nji bajrak që e ka emnin “Dibër”, na peshon mendja që kjo fjalë duhet të jetë shqip. Mirdita këtë fjalë e përdor në gjini mashkullore, “Dibri”.
Sidoqoftë ne na e kanda ta themi se “Dibra” e ka etimologjinë “Di bera” don me thanë “dy berra”, e ndofta kjo e fundit duhet të jetë ma afër menç, pse edhe kunora e Skënderbeut ka pas dy brina. E tue qenë se Skënderbeu e ka origjinën prej Kastriotit të Dibrës, duhet të ketë nji lidhje të ngushtë midis emnit “Dibër” e kunorës me dy brina të Skënderbeut.
Në historinë e Ilirjanëve nuk e gjejmë kurkund emnin “Dibër”. Në atë kohë, sipas mendimit të Sami Frashërit, “Dibra” duket ka qenë quejt “Emathija” e prej kësaj fjale duket se ka burue edhe fjala “Mat”.
Edhe Murat Toptani asht në këtë mendim, e bile, ky guxon me thanë se edhe “Dinastija e mbretënve të Maqedonisë” e ka origjinen prej Emathije, prej Lure. Këtë mendim e ushqeu Murat Toptani, duke u mbështet në faktin se kryeqyteti i Maqedonisë ka qenë “Pela”, emën i përshtatun për atë fushë të gjanë, ku ishte qendra e pelave dhe e kuajve.
Një emën të këtillë e gjejmë edhe në Lurë, ku ndigjojmë fjalën “fusha e Pelës” që, simbas gojëdhanës së popullit të vendit, u quejt kështu ajo fushë, sepse ndërkohë që s’mbahen mend, luftëtarët e moçëm, aty, në atë fushë, kanë pas ba ushtrim e stërvitje tuej hypun nëpër pelat e egra që rriteshin nëpër bjeshkët e Lurës.
Historia e Dibrës në kohë të romakëve, të barbarëve e të sllavëve asht e errët për popullin.
Historia e Shqipnisë na jep qytetin “Damastion” me minierat e arit në Dibër. Ndoshta ky qytet ka qenë në katundin “Sllatinë” në lokalitetin e sllovës. Fjala Sllatinë vjen prej fjalës sllavishte “sllato” që don të thotë “ar” dhe kuptohet se edhe sllavët e kanë shfrytëzue këtë miniere.
Në popull flitet se në bjeshkën e Gramës, paska pas nji lloj metali, të cilin e kanë shfrytëzue të huejt. Hala edhe sot janë gropat e gurorëve të çeluna, ku kanë nxjerrë metale, e gojdhana e popullit këtyne guroreve ju thotë “Gropat e Gjenevizit”.
Kur ndigjojmë dialektin e Dibrës, shofim se në këtë dialekt disa zanore shqyptohen në gjasim të zanoreve Gjermane, si përshembull: majre, majk, traj, krajpë, shtëpaj, majëll, krajë, ngoushtë, shaum, polloum, ouk, hau, haundë, saj, krahnaur, moullë etj., për mirë, mik, tri, kripë, shtëpi, miell, kryp, ngushtë, shumë, pollum, uk, hu, hundë, sy, krahnuër, mullë etj.
Kjo gja na ban të besojmë se, kur kanë kalue barbarët gjerman, vizigotët e ostrogotët, nëpër Dibër, malsorët e dibrës u kanë vu prita, i kanë plaçkitë e ju kanë mbajt edhe gra e vajza, të cilat pastaj janë asimilue, por u kambet gjurma e pronuncimit të zanoreve të tyne, e këtë gja u kanë lanë trashëgim edhe fëmijëve të tyne.
Ky informacion eshte huazuar nga libri HISTORIA E DIBRES
SHARE

Një kafe nga ju!

Back to top button