Lajme nga DibraMatPërditshmëriPersonaliteteShqipëria

Historia frymëzuese/ Edhe pse në pension, mjeku nga Mati pranë pacientëve nëpër fshatra

Share
Sot mjeku Adem Koka feston 74-vjetorin e lindjes, por dita nisi dhe u ngrys pranë pacientëve të fshatrave Muzhakë, Frankth, Gërman, Batër e Midhë, në Njësinë Administrative Komsi në rrethin e Matit.

Ishte 24 vjeç kur autoritetet e kohës, në vitin 1973, e caktuan të shërbente në lokalitetin e Derjanit, zonë që kishte 17 fshatra, nga Uraka në Macukull.

“50 vjet më parë më emëruan në spitalin e Derjanit. Aty pak para meje ishte caktuar edhe mjeku Ramiz Palluçi, nis rrëfimin e tij mjeku Adem Koka. Ishte një zonë me fshatra malorë. Vigu, Macukulli, Lami i Madh, Gjoçaj, Zallë Gjoçaj ishin shumë larg qendrës spitalore. Unë dhe Palluçi vendosëm të jemi një ditë në javë në çdo fshat. Ai kishte për detyrë tu shërbentë banorëve të Laç-Bruçit ndërsa unë atyre të Derjanit e Macukullit”, tregon Koka.

Ai kujton se në Derjan në gjysmën e dytë të vitit 1973 u hap reparti i pediatrisë dhe materniteti, mjaft të domosdoshëm për këtë krahinë larg qytetit të Burrelit. Ndërkohë dy mjekët e njohur, Ramiz Palluçi dhe Adem Koka do t’u ndodheshin pranë pacientëve për gjithçka, që nga mjekimet për aksidentet deri te lindjet.

“Në vitin 1974 ne kishim shtëpi lindje në fshatrat Gjoçaj, Macukull e Shëlli, ndërsa tani nuk kemi as në Burrel. Po ashtu atë viti nisi vaksinimi masiv i fëmijëve 0-16 vjeç. Realizuam me përgjegjësi dhe korrektësi vaksinimin në çdo fshat. Banorët na mbështesnin vazhdimisht. Nuk mund ta harroj bujarinë dhe besnikërinë e tyre”, tha mjeku i palodhur.

Kujtimet e tij janë të shumta, drithëruese, ta paharruara. Dy-tre prej tyre Adem Koka i veçon gjatë intervistës së tij. Kujton se aksidentet në ish kooperativat bujqësore kanë qenë të shumta dhe të frikshme.

“Në Derjan e Rremull, thotë Koka, kam përballuar dy ngjarje të rënda. Një traktorist u rrëzua dhe pësoi dëmtime serioze. Po ashtu një banori të Rremullit i përlau këmbën makina shirëse e grurit. Të dy ishin në gjendje kritike për jetën. Ambulanca nuk vinte te spitali. Mbi 2 kilometra transporti kryhej me barrelë ndërkohë pacientët duhet të mbaheshin në jetë me serum dhe medikamente të kohës. Tani jam i lumtur se shpëtuam dy jetë njerëzish”. Ndërkohë i pezmatuar Koka kujton lindjen e një gruaja në Rukaj. Nëna ka humbur jetën ndërsa fëmija është shpëtuar nga ai dhe stafi ndihmës.

Prej vitit 1977 e këtej mjeku është emëruar në Komsi dhe u shërben fshatrave Batër e Vogël, Frankth, Batër e Madhe, Midhë, Muzhakë, Gërman, Kodër Çerre. Vazhdimisht u është ndodhur pranë bashkëqytetarëve të tij.

Në memorin e mjekut është ngjarja tragjike e 29 prillit 1998, kur në Selixë shpërthyen tunelet e municioneve dhe 23 banorë të fshatit malor humbën jetën. Adem Koka asokohe ka përballuar grumbullimin e eshtrave të të vdekurve por u ka dhënë ndihmën e parë edhe familjarëve dhe të afërmëve të viktimave.

Dy vitet e fundit përsëri të vështira për mjekun Adem Koka. Ai nuk e kishte menduar se në këtë moshë do të ishte përsëri pranë pacientëve për të përballuar pandeminë.

Ai shprehet për tirananews.al se u ka shërbyer pacientëve të prekur nga Covid-19, madje në shtëpi, pasi e kanë pasur të pamundur të udhëtojnë drejt Qendrës Shëndetësore. Energjik, fjalëpak, profesionist në punën e tij mjeku Adem Koka. Thotë se ka kryer 5-12 mijë vizita çdo vit, ose mesatarisht 7 mijë të tilla.

Në gjysëm shekulli Koka ka kryer më shumë se 350 mijë vizita mjeksore në Derjan, Macukull, Komsi e gjetkë.

Mjeku tani u gëzohet jo vetëm fëmijëve por edhe nipërve e mbesave dhe familja e tij gëzon respekt në çdo zonë të Matit.

Huazuar nga tirananews.al

Back to top button