Diaspora DibraneFetarePersonaliteteSocial Kulturore

Hoxha Bekim Alimi: Atëherë kur natyra zemërohet

Një këndvështrim tjetër

Share

Bekim Alimi

KUR VDESIM, A THUA VALLË NE PUSHOJMË NGA KJO BOTË, APO KJO BOTË PUSHON NGA NE!?
KUR TË NA JEPET DIÇKA SI AMANET , DUHET ATË TA REALIZOJMË MË BESË, APO TA TRADHTOJMË?
NËSE NUK DIMË TË VOZISIM MIRË DHE NDODH AKSIDENTI, A ËSHTË MIRË QË KËTË PAAFTËSI TONËN T’IA GJUAJMË ZOTIT, DUKE E PËRZIER PAAFTËSINË TONË ME CAKTIMIN E ZOTIT?
E KUR LUMI TË NA I SJELLË NË OBORR MBETURINAT QË I BARTËM ME TRAKTOR NËPËR MALE, VALLË KË DUHET TA FAJËSOJMË PËR KËTË?
THEMI, MOS KI FRIKË NGA VIRUSET, POR NGA ALLAHU.
ZOTI E KA CAKTUAR TË SËMUREMI, KINSE ZOTI NUK E PASKA CAKTUAR EDHE TË JETOJMË SHËNDETSHËM!!!
Miq të nderuar,

Sikur shumë të tjerë, edhe unë, në këto kohëra të përqëndrimit nëpër zyra apo banesa, marrim lapsin dhe hedhim mbi letër pak ngjyrë, në vija të caktuara. Këto vija të zeza në letrën e bardhë reflektojnë mendimet tona të fshehura në mendjen dhe fiqirin e çdonjërit nga ne.

Allahu i madhëruar krijoi atë që Ai deshi dhe ashtu si Ai deshi, e krijimi i Tij, me dashjen apo pa dashjen e krejtë njerëzimit, u titullua perfekte. Në ditën që Ai krijoi gjithçkanë, Ai vuri edhe kanune[1] të mirëvajtjes dhe funsionalitetit të gjithë asaj që Ai fali, Atij i qofshim falë!

Të gjithë dijetarët e fizikës, të astronomisë, të biologjisë, të anatomisë e të tjerë e mbështesin dijen e tyre në bazë të asaj se si funsionon bota. Po e marrim një shembull nga mjeksia, ku përmes një vaksine mjekësia e forcon imunitetin (qelizat e bardha të organizmit) që vetë organizmi t`a luftojë sëmundjen (bakteret) përkatëse në trupin e njeriut.

Në anën tjetër, lëvizja e erës dhe pllenimi i natyrës përveç që mban gjallë gjithë botën, merret edhe si sistem mësimor në biologji.

Le të marrim si shembull edhe hedhjen (apo mbjelljen) e farrës në tokë dhe furnizimin e saj me mjete (ujë etj.) të nevojshme, që bën të dalë nga toka ushqim për njerëzit, kafshët, shpezët dhe të ngjashme.

Deri më tani shohim se natyra funksionon në formë perfekte dhe se nuk është vetëm një shtrat për njerëzit, por edhe një kuzhinë ku prodhohet dhe përgatitet ushqimi, madje edhe një fortifikatë dhe kështjellë për ta.

“A nuk jua kemi bërë Tokën si shtrat? E malet si shtylla?! Ne ju kemi krijuar në çifte. Dhe gjumin jua kemi bërë për prehje. Natën jua kemi bërë mbulesë, ndërsa ditën e kemi caktuar për të punuar. Mbi ju kemi ndërtuar shtatë qiej të fortë, dhe kemi vënë kandil (diell) të shndritshëm! Nga retë Ne ju lëshojmë ujëra të bollshme, për rritjen e drithërave, bimëve dhe të kopshteve të dendura”.[2]

Nëse njeriu do të vazhdojë t’i përdorë këto mirësi, ai do të vazhdojë të hajë mirë e shëndetshëm, të pijë mirë e shëndetshëm dhe të jetë i sigurt në të, përderisa njeriu do të mundohet që këtë ciklus mos ta dëmtojë me veprat e tij, me sjelljen e tij dhe me pakujdesin e tij, ndaj asaj që njeriu nuk e prodhoi, por e gjeti të gatshme, do të vazhdojë t’i gëzojë e shijojë ato.

Dihet se nga krijesat e llojllojshme që Zoti krijoi, njeriun e dalloi me mendje dhe me aftësi, që nuk u janë dhënë as engjëjve. Zoti e titulloi krijimin e njeriut, për shkak të mendjes dhe aftësisë së tij për të logjikuar, si formim dhe krijim më të bukur [3].

Zoti, krijuesi i gjithçkahit, përmend se e ka nderuar njeriun, dhe e ka vlerësuar nga të gjitha krijesat e tjera.

“Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar“.[4]

Pas këtij nderi, Zoti i ofroi atij vendstrehim dhe vendbanim të bukur dhe mahnitës. Ajo ishte toka.

“Ai ju krijoi nga toka dhe ju vuri të jetoni në të (ju bëri të zotët e saj); andaj, kërkoni falje nga Ai dhe kthehuni me pendim tek Ai! Pa dyshim, Zoti im është afër dhe u përgjigjet (lutjeve).”[5]

Nga këto citate kur’anore shohim qartë se meqë natyra dhe banimi në të nuk është një projekt irritues apo diçka e rastit dhe meqë kemi pranuar (edhe jemi të lumtur me) banimin në të, atëherë të drejtën tonë për ekzistencë e paskemi pranuar me vullnet. Dikush që na ka krijuar, na ka dhënë edhe të drejtën për të jetuar. Na ka plotësuar kushtet për jetesë.

Sikur që e dimë të gjithë ne, e drejta ime për të jetuar, është detyrim për ty, sikur që edhe e drejta jote për të jetuar, është detyrim për mua. Pra, nga ky kontekst del se njeriu në jetën e tij ka të drejta dhe detyrime.

Pasiqë jemi dakord që ne e morëm të drejtën e jetës dhe po kënaqemi me të drejtat tona, atëhërë në formë automatike futemi në principin tjetër, pra, ta ruajmë të drejtën e tjetrit për jetë, pra detyrohemi ndaj tjetrit me kujdes. Në këtë formë u krijuan dy principet bazë në natyrë, të drejtat dhe detyrimet ndaj njëri-tjetrit.

A mundemi këtë parim ta zbatojmë edhe për “nënën” natyrë?

A është e vërtetë se ajo i plotëson obligimet e saja (me lejen e Allahut) ndaj nesh edhe atë në mënyrën më të mirë të mundshme?

A është e vërtetë se ne edhe sot mund ta punojmë tokën dhe të presim prej saj bereqet?

A është e vertetë se dielli edhe sot na ngrohë dhe hëna edhe sonte na zbut terrin e natës?

Tani, ajo që pritet është që edhe ne t`i kryejmë detyrimet tona ndaj nënës natyrë, në bazë të asaj që i Madhi Krijues na ka porositur.

Amanetin e kemi pasur gjithmonë traditë të mirë në popullin tonë. Atë ne nuk e kemi nëpërkëmbur, por e kemi konsideruar si të shenjtë. Këtë na e ka thënë Zoti në Kur’an[6], por ama edhe lokja disa herë. Ne e kemi amanet mirëmbajtjen dhe mirëvajtjen e natyrës. Ne duhet të shohim se çka e dëmton natyrën dhe kanunet e funkcionalitetit të saj, në mënyrë që të garantojmë jetëgjatsinë e saj dhe kualitetin në të. Kjo do të thotë me automatizëm, se përmes këtij kujdesi, ne kontribojmë për mirëqenien e jetës sonë në të dhe të shëndetit tonë në të.

Nëse nuk dimë ta udhëheqim e ta menaxhojmë një projekt, atëherë jemi të obliguar ta mësojmë këtë, ashtu siç na porositi Zoti në fjalinë e parë që na u drejtua ne njerzëve[7]. Por, në qoftë se ngulim këmbë dhe nuk mësojmë, për pasojë edhe e keqmenaxhojmë madje edhe e keqpërdorim atë, atëherë duhet të kërkojmë falje dhe të mos e përsërisim më; ta pranojmë mosdijen tonë, pa mos ia gjuajtur kujt fajin tonë për këtë.

Shpesh dëgjojmë në këtë kontekst gjëra që nuk përshtaten, për shmebull, kur njeriu nuk di ta drejtojë (ngasë) veturën dhe e dëmton vetveten, veturën dhe të tjerët, për ta zbutur fajin pastaj, e ndërfut aty edhe caktimin e Zotit dhe shpejt tenton të largohet nga përgjegjësia personale.

Është e pakontestueshme se njeriu kohërave të fundit dëmton nënën natyrë në shumë më shumë mënyra, sesa na e merr mendja ne. Nganjëherë ajo reagon shpejt dhe pak, e nganjëherë pret deri sa të mbushet kupa dhe reagon ngadalë, por shumë.

Njeriu është konsumator i rryer dhe nga ky konsum krijohen edhe mbeturina dhe njolla në natyrë. Nëse këto mbeturina do të kanalizoheshin e do të strukturoheshin, njollat dhe dëmi nga to do të ishte asgjësuar apo gati edhe eliminuar, përndryshe, do të duhet t’i gëlltisim vetë.

Ne sot flasim vetëm për mbeturinat tona që me anë të traktorëve dhe mjeteve të tjera i gjuajmë në male apo zabele[8], të cilat me vërshimin e parë të shiut lumi na sjell nëpër shtëpi, në mjedise të tjera si dhe në mes të qytetit.

Si duket, ky lloj reagimi i natyrës është ai i kategorisë së parë që u përmend më lart. Si qëndron puna me 300 milion tonelata plastikë që prodhohet për çdo vit dhe 8 milionë nga to përfundon në det[9], prej ku ne furnizohemi me ujë dhe me ushqim? Caktimi i Zotit?!

Nësë ky ujë do të ndotet nga ana jonë me derdhjen e ujërave të zëza në të, si do të jetë reagimi i nënës natyrë kur do të na sjellë ujin në çezmat tona? Edhe ky është caktimi i Zotit?!

Shtetet që duan të ecin përpara ekonomikisht, e shtypin pedalën e gazit aq shumë, saqë nuk e kuptojnë se çka lënë mbrapa. Ata janë të fokusuar të shikojnë vetëm përpara.

Si shembull, përmendim kryeqytetin Delhi të Indisë. Çdo 5 min. vdes një njeri nga ndotja e ajrit. Ky qytet ka 25 milionë banorë dhe çdo ditë futen 30’000 vetura të tjera në komunikacion.[10]

Ndotja e ajrit arrinë në 466 mikrone, pra 46 herë më shumë sesa mesatarja, sipas WHO[11]. Kjo është e barabartë sikur të thithësh 30-40 cigare në ditë.

Mund të paramendojmë se kjo buron vetëm nga gazrat e veturave dhe nga disa fabrika në një qytet të vetëm. Si do të mund ta krahasonim këtë numër, nëso do i fusnim edhe mijëra qytete të tjera dhe miliona e miliona fabrika të tjera?

Si do ta komentojmë gjithë këtë elektro-smoke[12] në natyrë dhe gjithë ato kombinime elektrike.

Nëse formula H2O është formula e ujit, dhe ne e njohim si të tillë, e njëjta është kanun (dhe caktim) i Zotit që funksionon me miliarda vite në këtë sistem dhe mirëmban gjallesat në këtë botë, atëherë pyetja do të ishte: çka ndodh nëse ne si njerëz me veprat tona, me dijen apo padijen tonë, ndërhyjmë në këtë formulë dhe e ndryshojmë në bazë dhe na del një rezultat i rrezikshëm, a thua vallë ky nuk është më caktimi i Zotit? Po, edhe ky është caktimi i Zotit, por ana tjetër e asaj që na bën mirë!

Para se të hynte në Damask, halifi i dytë Omer bin Hattabi u informua se atje është përhapur një epidemi dhe iu kërkua mos të hynte në qytet, por të kthehej sërish në Medine. Pas konsultimit me shokët, ai vendosi të kthehej. Dikush i tha: “O halif i muslimanëve, a po ik prej caktimit të Zotit?”, Omer bin Hattabi ia ktheu: “Po iki prej caktimit të Zotit në caktimin tjetër të Zotit. Si është puna me ty, nëse ke të zgjedhësh midis dy luginave për kullotjen e deveve, njëra është me gjelbërim e tjetra e thatë, dhe ti e zgjedh gjelbërimin, a nuk është caktimi i Zotit edhe ky?”.

Kësaj bisede iu bashkangjit Abdurrhaman ibn Aufi r.a.[13], cili tha se e ka dëgjuar Muhamedin s.a.w.s.[14] të ketë thënë:

“Kur të jeni jashtë një vendi me epidemi, mos u futni në të dhe nëse jeni brenda tij, mos dilni nga ai”.[15]

„Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja, madje qofshi edhe në kështjellat më të forta!” Sa herë që u vjen ndonjë e mirë, ata thonë: “Kjo është nga ana e Allahut”. Por, nëse i godet ndonjë e ligë, ata thonë: “Kjo është prej teje (o Muhamed)!” Thuaju: “Të gjitha janë prej Allahut”. Ç’është kështu me këtë popull, që nuk kupton asgjë?“[16]

Të dashur miq, kjo thënie kur’anore dhe rasti i halifit Omer r.a., na tregojnë se edhe ana tjetër, për të cilën nuk folin dy debatuesit, është po ashtu caktim i Zotit.

Andaj, nëse jetojmë shëndetshëm dhe kontribojmë për këtë çështje, është caktimi i Zotit, por ama, edhe nëse jetojmë në kushte të dobëta, me arsim të tradhtuar, me ekonomi të korruptuar etj., edhe kjo është caktimi (kanuni i funsionimit të botës) i Zotit, të cilit caktim i kontribojmë ne më shumë dhe pastaj përgjegjsinë ia lëmë Zotit.

Po vij aty ku edhe e nisa!

Nëse vazhdojmë të jetojmë kështu, duke e dëmtuar natyrën, ajrin, ambientin, gjegjësisht veten, shtrohet pyetja: nëse vdesim, a thua vallë ne pushojmë nga kjo tokë, nga kjo botë, apo bota pushon nga ne?

Ishim duke qëndruar me Pejgamberin e Zotit dhe aty para nesh kaloi një varg njerëzish që bartnin një kufomë. Pejgamberi a.s. tha: “Ky i vdekuri ose është një musterih ose musterahun minhu. I thamë, çka do të thotë kjo o Pejgamberi i All-llahut? Tha: “nëse i vdekuri ka qenë njeri i mirë, është liruar (ka pushuar) nga kjo botë, nëse ka qenë i keq, kjo botë ka pushuar nga ai. Janë çliruar njerzit nga ai, janë çliruar bimët po edhe kafshët.”[17]

Këto që po i përjetojmë sot dhe dje, apo ndoshta edhe nesër e pasnesër, a janë rezultat i sjelljeve dhe veprimeve tona?

Si mendoni, a thua vallë nëna natyrë është bezdisur me ne dhe nuk e përmban dot veten, ndaj edhe na i përplas në fytyrë mbeturinat tona?

Një Zot e di më së miri.

Huazuar nga IRILIANEWS.MK

Një kafe nga ju!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button