Agjensi turistikeGuida dhe guiderInformacion TuristikPersonaliteteShqipëriaVisit Diber

Korabi: gjeneza dhe sfida.

Nga Enisa Gordani 

Share

Kur Korabi zbuloi kryet dhe hoqi tutje atë re ashtu sikurse i hiqet duvaku një nuseje.
Një përballje që kaq shumë e prisja, ku largësia të duket e shkurtër, pritja një premtim dhe heshtja një mundësi.
Mu duk sikur Korabi përshpejtoi metamorfozën e tij, në pak minuta u shndërrua në një i moçëm hijerëndë, por që nuk të imponohet me madhështinë e tij.

sdr

Tek ai rrënjët e mija gjarpërojnë, ai që ndër shekuj është simbol i lirisë.
Gjurmët e mia mbi supet e tij shpejt era do t’i fshijë, kurse ai me zemërgjerësinë e tij më përcolli duke më dhënë më vete atë ç’ka njerzit modern harrojnë të të japin: lirinë!

Për herë të parë pashë Korabin nga fqinji i tij Kallabak (2174m) dhe për këtë isha informuar paraprakisht, aq sa nuk e gëzova mjaftueshëm arritjen time të radhës.
Ai i përthithi të gjitha emocionet e mia, entuziazmin tim … Isha tërësisht e magnetizuar prej tij.
Një skenë gati, gati surreale, tutje çdo lloj pritshmërie për nga madhështia e bukurisë.
Do të përshkonim më pas Shtegun e Ngjyrave  i cili është pjesë e Parkut Natyror Korab-Kortinik.
Ky shteg kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit.
Përshkuam rreth 7 orë ecje ku vazhdimisht ishim të rrethuar nga një natyrë mbresëlënëse. Mendohet që këto hapësira të jenë ndër kullotat alpine më të mëdha në Evropë.

Kjo verë e gjeti turizmin shqiptar të penalizuar rëndë prej pandemisë, ndaj më shumë se kurrë kontributi ynë ekonomik (dhe ai pak promovim personal që mund të kryejmë) duhet të mbetet në atdhe. Personalisht kjo është dhe zgjidhja ime për këtë verë, eksplorim nga jugu në veri. Strukturat, agjensitë turistike dhe guidat lokale ofrojnë çmime vërtetë të arsyeshme. Asnjë shpenzim marramendës, por pushime nën çmim … jua siguroj.
Më mjafton bukuria e pashoq e vendit tim dhe dashamirësia e mikpritjes sonë.
Shqipëria është kaq e bukur dhe e larmishme në kaq pak km katrorë, ajo ofron gjithçka: që nga alpet, canyonet, detin, lumenjtë e egër, lëndina etj.


Një gjë të fundit do ju kërkoja, madje më tepër, do t’ju lutesha: mos krahasoni rëndom veriun e saj me Aplet e Zvicrës dhe jugun me Sardenjën apo të tjera plazhe të Mesdheut.
Shqipëria nuk ka nevojë, ajo është e pakrahasueshme! Bukuritë e saj qëndrojnë shumë më lartë.
Ngjitja ime në Korab parashikohet në fund të këtij muaji, ajo nuk është thjeshtë një maj për tu arritur por një sfidë me vetveten sepse aty është gjeneza ime. Origjina thërret gjithmonë, sa do larg të jesh, sa do breza të kenë kaluar.
Ndaj vizitoni Shqipërinë sa më shpesh të mundeni, në kërkim e në njohje të një identiteti kombëtar e shpirtëror.
Nëse nuk do dimë se nga vijmë, vështirë do të dimë se ku do të shkojmë.

Enisa Gordani 

7 gusht 2020

 

Një kafe nga ju!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button