Social KulturoreVisit Diber

Kuvendet e Maleve në Dibër

Nga Kanuni i Dibrës

Share

Në kuvendet ma me randsi të nji Mali marrin pjesë: “Burrë për shpi” e kreu i Malit.
Për raste ma pak të randsishme marrin pjesë: kreu i Malit, Pleqtë, Stërpleqtë e Kryetarët e Pleqsisë së katundeve. Ka shumë lloj kuvendesh. Ato varen nga karakteri e detyrat që kanë me zgjidhë. Kuvendet për nga madhsia i kemi:
– kuvend fisi,
– kuvend katundi,
– kuvend Mali,
– kuvendi i Nandë Maleve të Dibres.
– kuvendi i Burrave të Dheut.
Kuvendet për nga karakteri janë:
– kuvende për probleme ekonomike,
– kuvende për probleme politike,
– kuvende për probleme ushtarake,
– kuvende për probleme të qetsisë publike etj.

Kuvendet e fisit mblidhen me urdhën të kryetarit të fisit. Ato merren me probleme që i interesojnë nji fisi.
Kuvendet e katundeve mblidhen me urdhën te kryetarve të Pleqsisë së katundeve. Në to marrin pjesë “Burrë për shpi”.
Shqyrtohen e zgjidhen probleme që kanë të bajnë me kret katundin.
Kuvendet e katundeve shpesh kanë përmbajtjen e itifaqeve, ku betimi bahet i përbashkt e për të ardhmen. Kuvendet e katundeve ma së shumti mblidhen me vu rregull për shfrytzimin e ujnave, te bjeshkve, të malit; për ndërtime publike, si: çezma, xhamia, kisha, shkolla, rrugë, ura etj.; për me shue ngatrresa mrena katundit ja të katundit me katund.
Itifaku ka karakterin e nji beslidhjeje.
Qëllimi i tij asht parandalimi i të kqijave që damtojnë interesin e përbashkët. Itifaqet lidhen me ngjarje të pritshme në jetën e katundit ja të Malit. Itifaqet bahen për zgjidhjen e shumë problemeve: mos me ba vrasje të mcefta e të hapuna për nji kohë të caktueme; me dhanë besë atyne që janë në gjak; mos me shkatrrue malin, meranë, zabelet, bjeshkën; mos me vjedh’ e mos me ba keq kërkund etj.
Ai që udhheq itifakun thotë para të gjithve: “Për k’të e të Perëndisë, si bafsha ma shpërbleftë, un’ e familja ime as hapun e as mçeftas nuk kemi me shkelë mbi itifak; me pa e me ndigjue kand që po i shkel k’to vendime, kemi me e kallzue
para pjesmarrsve të këtij itifaku”. Pastaj ai pyet të pranishmit:
“Ai rrini kësaj beje?”. Kur të gjithë përgjigjen: “I rrimë!”, itifaku ka sosun.
Kur dikush nuk mban “Besën e gjakut” që asht dhanë në itifak, pushkatohet nga katundi pa dhimbje e pa përgjegjsi personale.

Një kafe nga ju!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button