Aktualitet dhe LajmeLajme nga DibraLajmi i funditPërditshmëriShqipëria

ME TRUP NË AMERIKË, ME MENDJE NË DIBËR! Gazeta KOHA mes dibranëve në Arizonë

Share

Familja Ollomani nga Dibra poashtu jeton në Feniks. Takuam vëllezërit Abedin dhe Sadik Ollomani. Kjo familje nga Dibra ka migruar para katër dekadave dhe ka bizneset e tyre. Ata thonë se edhe pse jetojnë në Amerikë në familjet e tyre frymohet shqip

Vjollca SADIKU

Dibër, 17 mars – Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë afro 20 mijë mërgimtarë dibranë. Këtë për gazetën KOHA e deklarojnë përfaqësuesit të shoqatës atdhetare “Dibra”, me seli në Nju Jork. Dibranët jetojnë në mbi 20 shtete të SHBA-ve, kurse koncentrimi kryesor është në shtetin e Nju Jorkut e sidomos në State Island. Por, ata jetojnë edhe në Nju Xhersi, Floridë, Pensivali, Kaliforni, Arizonë, Alaskë, etj.

Këto ditë vizituam dibranët të cilët jetojnë në Arizonë. Edhe në këtë shtet ku kryesisht temperaturat janë të larta duke marrë parasysh pozitën gjeografike, mërgimtarët tanë janë prezent në shumë sfera të jetës por pjesa dërmuese e tyre punon apo kanë piceri të veta. Dibranët në këtë shtet kryesisht jetojnë në kryeqytetin – Feniks, dhe janë të kënaqur nga jeta e tyre, por edhe pse jetojnë atje, gjithmonë mendimet i kanë në Dibër. Atje takuam Adrian Klloboçishtën i cili nga Dibra ka migruar para 25 vite. Adriani jeton në Feniks së bashku me familjen e tij, bashkëshorten Anitën dhe fëmijët Almën e Jonin. Ai është pronar i një ndër piceritë më të vizituara në kryeqytetin e Arizonës.

“Si shumë dibran të tjerë edhe unë lash vendlindjen dhe në moshën 17 vjeçare erdha në Amerikë. U vendosa në Shtetin e Arizonës meqë pikërisht këtu kam patur edhe dajallarët e mi të cilët shumë vite më parë kishin ardhur në Amerikë. Këtu para disa viteve meqë punova në disa piceri vendosa që të hap picerinë time. Jam shumë i kënaqur nga puna dhe përfitimet. Amerikanët preferojnë të ushqehen në piceri”, thotë Adrian Klloboçishta dhe shton se disa nga punëtorët e tij janë nga Dibra por edhe nga disa vise të tjera shqiptare.

“Në Dibër çdo verë jemi prezent dhe atje mbetemi më se një muaj. Kemi banesat tona dhe normalisht jemi të mendimit se kur do të pensionohemi do të kthehemi në Dibër”, shprehet ai.
Shumë suksese si pronar i një picerie tjetër të vet ka edhe dibrani Dine Ambari. Ai thotë se këtu në Arizonë ka takime të shumta me dibranët mërgimtar dhe shton se hapja e picerisë i ka mundësuar profit të mirë. “Këtu punojë së bashku me djalin e vogël, ndërsa djali më i madh Faiku ka hapur edhe një piceri tjetër me bashkëpunëtorë. Punë ka dhe përfitojmë, por gjithmonë mendimet tona jenë në vendlindje ku duam ta kalojmë pleqërinë, por nuk besoj se do të kthehen fëmijët tanë”, thotë Ambari. Familja Ollomani nga Dibra poashtu jeton në Feniks. Takuam vëllezërit Abedin dhe Sadik Ollomani. Kjo familje nga Dibra ka migruar para katër dekadave dhe ka bizneset e tyre. Ata thonë se edhe pse jetojnë në Amerikë në familjet e tyre frymohet shqip.

“Traditat tona kombëtare dhe fetare dominojnë në familjet tona. Dibra ka shumë tradita të mira dhe normalisht që ata i mbajmë edhe këtu. Festat kombëtare dhe fetare i festojmë si në shtëpitë tona por edhe së bashku me dibranët e tjerë”, thotë Abedin Ollomai. Edhe vëllai i tij Sadiku potencon se me fëmijët e tyre flitet gjuha shqipe. Në pyetjen rreth shkollimit të fëmijëve, ai potencon se gjenerata më e re shkollon fëmijët e tyre deri në shkollimin superior.

Aspekti kombëtar shqiptar është kryesor tek familjet dibrane që jetojnë në Arizonë. “Edhe pse jetojmë në SHBA, respektivisht në Arizonë, ruajmë me fanatizëm gjuhën amnore, traditat shqiptare dhe ata fetare. Kështu është jo vetëm në familjen time por edhe në familjet e tjera dibrane. Gjithmonë tentojmë të jemi së bashku si dibran këtu në Arizonë”, thotë dibrani Amit Musai. Në familjen të Amitit flitet shqip, gatuhet si në Dibër dhe gjatë takimit tonë në shtëpinë e tij dukshëm ishte prezent edhe atmosfera dhe muhabeti dibran. Bashkëshortja e Amitit, Suzana thotë se para disa viteve edhe në vendlindjen e tyre në Dibër kanë blerë banesë meqë disa herë gjatë vitit së bashku me vajzat Elsën Laurën dhe Aurorën vizitojnë vendlindjen.

E njëjta atmosfer ishte edhe në familjet Spahiu. Këtu ishim mysafir dhe biseduam me Qerimen, Kadrien, Bjondinën, Besartin, Besfortin, Arditin, etj. Biseda me ta kaloi me shumë emocione. Ata na pyetën për gjakun e tyre në Dibër, por edhe për Dibrës se si jetohet në vendlindjen e tyre. Dukshëm ishte se pritja e jon ishte e mirëseardhur meqë në tryezat para nesh kishte shumë gatime tradicionale dibrane. Duke marrë parasysh se në Arizonë dominojnë gjatë vitit temperaturat e larta, kafen na e përgatitën në oborrin e tyre të bukur me plotë gjelbërim dhe lulishte. Biseda kaloi në një atmosferë tipike dibrane. Dëshira e të gjithë atyre që biseduam ishte që ata edhe këtë verë që e kemi para të vijnë në Dibër. “Shumë të afërmit tonë këtë verë në Dibër do të kenë dasma dhe kemi dëshirë që edhe ne të jemi në këto gëzime familjare. Katër vitet e fundit në Feniks ka arritur edhe familja e Gazmend Lleshit. Gazmendi mbi tre dekada ka jetuar në Çikago”, thonë ata.
Biseduam me Gazmendin i cili mes dibranëve dhe shqiptarëve në SHBA është i njohur si një patriot i madh për kauzën shqiptare. “Jetova një kohë të gjatë në Çikago dhe viteve të fundit kam ardhur këtu në Arizonë. Jetoj në kryeqytetin e Arizonës- Feniksin. Është kënaqësi në Amerikë të takosh gjakun tënd. Jemi të kënaqur nga jeta dhe familja e ime respektivisht vëllezërit dhe motrat janë të gjithë në Amerikë”, thotë Gazmend Lleshi. Me Gazmendin biseduam edhe rreth angazhimit të shqiptarëve në mbrojtjen e kauzës kombëtare meqë ai është i njohur në Amerikë për angazhimin e tij kombëtar. “Po, kam ndihmuar dhe ndihmoj të gjithë aktivitetet kombëtare. Kontributi i im ka qenë në vazhdimësi dhe si i tillë ia ka arrit qëllimit”, thotë ai dhe potencon se pothuajse të gjithë shqiptarët në Amerikë kanë kontribuar për kauzën shqiptare, pavarësisë së Kosovës dhe aktiviteteve kombëtare.

Gjatë vizitës tonë në SHBA në qytetet atraktive siç janë Los Anxhellos, San Francisko etj, takuam dibran por edhe shqiptar nga trojet e tjera etnike. Ata na informua se jetojnë në Nju Jork, Boston, Majami, San Diego etj, por që gjatë vitit vizitojnë edhe qytet atraktive. “Standardi i jonë na mundëson që të vizitojmë vendet atraktive të SHBA-ve”, thonë ata duke shtuar se kontinuiet lexojnë nëpërmjet internetit gazetën KOHA për reportazhet e bëra sidomos për Dibrën. (koha.mk)

Një kafe nga ju!

Back to top button