Lajme nga DibraPërditshmëriPolitikë

Ndërtimi i Skavicës duhet të shoqërohet me një paketë investimesh strategjike në rajon

Share

“Ndërtimi i HEC-Skavicës, faktor i imponuar, i dëshiruar apo i padëshiruar nga një pjesë e banorëve që preken drejtpërdrejt prej tij, projekt që askush nuk ka mundësinë ta zmbrapsë dhe as nuk duhet ta pengojmë, duke arsyetuar mbi rëndësinë e madhe për sigurinë energjetike dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare e zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.”

    
Grafikë nga Bulqizaime.al

Nisma për rrugën “Lidhja e Prizrenit” është shpallur në maj të vitit 2019, në Konferencën e organizuar nga LID, me objekt zhvillimin e rrjetit lokal rrugor, në rrethet Bulqizë – Dibër dhe mban logon e shoqatës “Nisma për Zhvillim e Kulturë Rajonale – Nisma Dibrane, Peshkopi”. Shoqata “Nisma” nuk është grup interesi me mision të ngushtë e të përcaktuar për mbrojtje sipërmarrjesh apo e interesash ekonomike.

Nuk ka synime, përcaktime e kufizime politike, por bashkon njerëz që kanë ide e vizione për zhvillim social-ekonomik e kulturor të rajonit të Dibrës. Shoqata jonë është grup ndikimi në vendimmarrjen politike të qeverive në vijimësi, për tejkalimin e prapambetjes së thellë dhe degradimit që po pëson rajoni i Dibrës, si një nga rajonet që kontribuon ndjeshëm me pasuritë e tij në zhvillimin e ekonomisë kombëtare, ku në rend të parë janë kromet, gipset, pyjet, ujërat, kontribut të vlerësueshëm në të ushqyerit e popullsisë me produkte të shëndetshme bujqësore e blegtorale.

Formalizimi i Nismës dhe vënia e saj në lëvizje nisej nga vlerësimi i ndikimit të faktorëve të rinj, nga realitetet e reja që krijoheshin në mbarë rajonin, posaçërisht në Luginën e Drinit të Zi (në pjesën nga Gjorica deri në Bushat-Kukës, ku Drini i Zi, derdhet në ujërat e Liqenit të Fierzës), me përfundimin në territorin shqiptar të Rrugës së Arbrit (ndërsa në vështrimin tonë, Rruga e Arbrit konsiderohet e plotë dhe e përfunduar vetëm kur të kyçet me Korridorin e Tetë, në Kërçovë (Izvor) në Maqedoni), me ndërtimin e pjesshëm dhe vënien në shfrytëzim të autostradës Durrës-Kukës-Morinë-Prishtinë, e ashtuquajtura Rruga e Kombit, me përparimin e punimeve për zgjerimin dhe vënien në përdorim si aeroport civil të aeroportit të Kukësit, tashmë i hapur dhe që mban emrin Aeroporti Zyed – Flatrat e Veriut.

Në këtë kontekst kohor, edhe pse ishte folur e flitej vazhdimisht, jo pak, por që prej 50 vitesh për ndërtimin e HEC-Skavicës, si një vepër e munguar që do të plotësonte projektidenë fillestare të sistemit kaskadë të HEC-eve mbi lumin Drin, në kohën kur ne shpallëm dhe vumë në lëvizje nismën nuk ishte evident ndërtimi i HEC-Skavicës dhe, përveç çfarë ishte folur e flitej vazhdimisht prej vitesh në opinion, nuk kishte plane të shpallura nga qeveria apo punë konkrete në terren, që të mendoje se ky projekt do të realizohet.

Nënshkrimi i kontratës për fazën e parë të HEC Skavicës, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe kompanisë amerikane Bechtel. Foto: KESH

Kjo kushtëzohej edhe me situatën dhe pamundësinë financiare të shtetit shqiptar dhe mospranimi prej qeverisë shqiptare i ofertave dhe mbështetjes financiare nga shtete jo mike për Shqipërinë dhe partnerët tanë strategjik. Faktori HEC- Skavicë është futur më vonë në kontekstin e faktorëve që ne kishim vlerësuar, ndaj nuk ka qenë premisë fillestare për ndërmarrjen e nismës nga shoqata, për ndërtimin e rrugës “Lidhja e Prizrenit”.

Pra, nisma për ndërtimin e rrugës “Lidhja e Prizrenit” ka lindur jashtë dhe e pavarur, e pakushtëzuar nga ndërtimi apo mosndërtimi i Hec-Skavicës. Kjo është një e vërtet që mbështetësit apo kundërshtarët e saj për ndërtimin e kësaj rruge duhet ta mbajnë fort parasysh. Ne nuk kemi pasur synim as të nxisim, të shpejtojmë dhe as të bllokojmë projektin për ndërtimin e HEC-Skavicës. Çdo interpretim e koment se Shoqata është ndikuar e përdorur nga qeveria si mbështetëse, ndikuese apo vegël e qëllimeve të saj, është dashakeqëse, thjesht shpirt e mendjengushtësi.

Por, pohojmë gjithashtu se e çmojmë të dobishëm dhe investim të domosdoshëm për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike kombëtare, ndërtimin e HEC-Skavicës, pavarësisht dhimbjes që na krijon transformimi rrënjësor dhe i përjetshëm i Luginës, e cila nuk do të jetë dhe as nuk mund të jetë më kurrë si më parë. Por, dikotomia e mirë – e keqe, pozitive – negative, e gëzueshme dhe hidhëruese, e dobishme, por dhe me pasoja…, është determinante dhe e pazhbëshme.

Ne, sipas optikës sonë, e kemi vlerësuar si projekt të domosdoshëm lidhjen me një rrugë nacionale të standardeve bashkëkohore, (rrugë të kategorisë C2), të Rrugës së Arbrit me autostradën Durrës-Kukës-Prishtinë, Rrugën e Kombit. Rruga aktuale Peshkopi-Kala e Dodës (Vasije 1150m)- Bushtricë- Lusën- Qafë Resk- Kolesjan- Kukës (75 km) është një anormalitet i papranueshëm, një zgjidhje e sajuar, një kompilim midis rrugëve të ish-kooperativave malore të Kukësit e Dibrës me rrugët ushtarake të ndërtuara gjatë kohës së fortifikimit në brezin kufitar në rrafshat e Korabit.

Ne e kemi quajtur këtë një “gjalm rrugor”, sfilitës e i rrezikshëm, me ritëm qarkullimi tepër të ngathtë, tërësisht të papërshtatshëm jashtë kohe (si në fillim shekullit të kaluar). Qëllimi i projektidesë për rrugën “Lidhja e Prizrenit” është eliminim sa më parë i këtij anormaliteti në rrjetin rrugor kombëtar në rajonin e Dibrës.

Mungesa e një korridori rrugor, që do të bashkonte e do të optimalizonte lidhjen e infrastrukturës rrugore midis dy nukleve të qarkullimit e të transporteve, rrugore e aeroportuale, do të funksionalizonte gjithë Luginën e Drinit të Zi me qarkullim normal bashkëkohor, duke sjellë efekte të mëdha pozitive në të gjitha aspektet e jetës e veprimtarisë për banorët e Dibrës mbarë, e më gjerë të fushëgropës Kukës-Prizren Gjakovë dhe nga ana tjetër Dibër e Madhe – Strugë – Ohër, si dhe Prizren-Kukës Dibër – Tiranë. Pra, lugina “e thellë”, “e errët” dhe “e mbyllur” e Drinit të Zi, (siç e cilëson V.Vaina) do të hapej dhe lëvizshmëria e lartë në të dy senset do të krijonte një realitet të ri, me më shumë dritë zhvillimi.

Ne e gjykojmë tërë këtë prapambetje infrastrukturore, këtë mungesë vëmendje dhe mungesë investimesh në luginë, si mungesë vizioni, dritëshkurtësi në vlerësimin e prioriteteve dhe strategjive të zhvillimit në vend apo dhe mungesë vullneti e sektarizëm në shpërndarjen e të ardhurave dhe investimeve kombëtare. Kjo nyje gordiane urgjent duhet të pritet, të shpërbëhet, sepse i është lidhur në grykë jo vetëm luginës së Drinit të Zi, por zhvillimit në tërësi, rajoneve lindore nga Dibra e Madhe e deri në Prizren.

Këto pjesë të tërësisë tokësore të kombit tonë janë cilësisht një njësi unike kombëtare, jo pse këtë e themi apo e dëshirojë ne, por e gjithë historia jonë e vjetër dhe e re e dëshmon këtë, që nga përhapja e zhvillimi i qytetërimeve të vjetra brigjeve të dy Drinave, në kohën e qëndresës kundër perandorisë otomane, në vitet e lavdishme të Lidhjes së Prizrenit e deri në kohën e luftërave kundër invadorëve serbë në shekullin e kaluar.

Strategët e mbretërisë serbe, punuan me të gjitha mjetet; politike, ushtarake e represive, diplomatike, të blerjes së disa krerëve e diversionit, që këtë rajon ta fragmentonin, ta ndanin, ta mbanin të përçarë, sepse si një i tërë përbënte një fuqi të rrezikshme për qëllimet e tyre. Ata përdorën të gjitha mjetet dhe aleancat që të mbetej e ndarë Dibra e Madhe nga Dibra e Poshtme (Dibra e Vogël), që Kukësi e Luma të ndaheshin nga Prizreni dhe i gjithë rajoni të mbahej i përçarë e i copëtuar. Projekti ynë është menduar si një mjet integrimi fizik të këtyre krahinave, si faktor që mund t’i shërbejë rikthimit të komunikimit intensiv dhe përtëritjes e forcimit të unitet të thyer e të munguar.

Nëse nuk shkojmë e nuk vijmë, nëse nuk shihemi e nuk takohemi, nëse nuk japim e marrim, nëse nuk ndjehemi, lidhja jonë zbehet, shuhet dhe shpejt në kohë, nuk jemi asgjë… Ndarja e izolimi i kanë kushtuar shumë veçanërisht dy Dibrave, Kukësit e Prizrenit, Tropojës e Gjakovës. Ta aktualizojmë arsyetimin, të kthehemi në situatën e tanishme, ku po punojmë për promovimin e Nismës, për të fituar mbështetjen e banorëve të Dibrës e Kukësit dhe vëmendjen e qeverisë, për ndërtimin sa më të shpejt të korridorit Lidhja e Prizrenit, pra, t’i japim zë të fortë domosdoshmërisë së bashkimit sa më parë të Rrugës së Arbërit me Rrugën e Kombit dhe aeroportit, përmes rrugës “Lidhja e Prizrenit”.

Tani është shtuar edhe një faktor i ri, ndërtimi i HEC-Skavicës, faktor i imponuar, i dëshiruar apo i padëshiruar nga një pjesë e banorëve që preken drejtpërdrejt prej tij, projekt që askush nuk ka mundësinë ta zmbrapsë dhe as nuk duhet ta pengojmë, duke arsyetuar mbi rëndësinë e madhe për sigurinë energjetike dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare e zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Pas nënshkrimit me 3 tetor 2020 të memorandumit të mirëkuptimit midis SHBA dhe Shqipërisë për HEC Skavica, si dhe nënshkrimit të kontratës për studimin dhe ndërtimin e saj nga kompania Bechtel, ne nuk mund të jemi symbyllur e mendjeshkurtër për të mos marrë në konsideratë realitetin dhe kushtet e reja të krijuara.

Në këtë kontekst të krijuar, rivlerësuam dhe ridimensionuam propozim-idenë tonë, duke konceptuar atë si një Paketë Investimesh Strategjike, ku bosht është ndërtimi i rrugës “Lidhja e Prizrenit”, por që përmban edhe investime për elemente të tjerë të paketës. Paketa e Investimeve Strategjike synon të ketë efekte të thella transformuese mbi të gjithë Luginë e Drinit të Zi, duke vlerësuar e marrë në konsideratë pasojat dhe ndikimin e HEC-Skavicës, jo vetëm për banorët nën kuotën 443, (pra nën kuotën e ujit) që do të detyrohen të zhvendosen, por edhe të të gjithë banorët e rrethit të Dibrës ku ko të shtrihet ujëmbledhësi.

Ne propozojmë me paketën tonë investime të gjithanshme dhe afatgjata në të mirë të të gjithë Dibrës, jo vetëm të atyre nën kuotën 443, pasi dhe pasojat nuk janë vetëm mbi ata që zhvendosen, por edhe mbi banorët e fshatrave dhe qytetit Peshkopi, në të dy shpatet e vargmaleve, që konturojnë luginën e Drini të Zi.

Dibra shumë shpejt do të kenë në prehër një ujëmbledhës aq të madh, nga më të mëdhenjtë në rajon, prej të cilit nuk duhet të vuajë vetëm pasojat, por të gëzojë edhe dobitë, të mirat, madje të shumëfishuara. Pse ne e quajmë projet-propozimin tonë “Paketë Investimesh Strategjike”?

Dikujt fjala “strategjike” i duket e madhe, teprim, barrë e rëndë për qeverinë dhe shtetin. Asnjëra prej këtyre nuk qëndron, madje mund të themi se si gjithmonë njerëzit tanë janë përmbajtur në kërkimin e të drejtave të tyre, të asaj çfarë u takon. Paketa, së pari, kushtëzohet të jetë “strategjike”, për shkak se detyrohet të realizohet si pasojë e një vepre apo projekti strategjik kombëtar, siç është HEC- Skavica. Ndikimet dhe pasojat e tij tejkalojnë disa herë zgjidhjet e thjeshta e të lehta operative apo zgjidhje të shpejta dhe afatshkurta.

Një vepër strategjike si Skavica, për shkak të pasojave e problemeve shumë e të mëdha sociale-ekonomike, mjedisore, emocionale etj., detyrimisht kërkon mendim e zgjidhje strategjike. Ujëmbledhësi i madh pushton tokat, banesat, trojet, varret, rrugët, madje edhe rrugën e parë automobilistike të lidhjes Kukës-Peshkopi, rrugën historike, Rrugën e Rinisë, ndërtuar me aksion në vitin 1946. Ujëmbledhësi vë nën vete brigje, ranishte, livadhe, pyje e gjallesa, peizazhe që konfiguracionin larmishëm, bukur e madhështor shtratit të Luginës, të papërsëritshëm e unikal, në të cilin breza e breza njerëzish kanë parë për të parën herë dritën e diellit, kanë endur jetesën e ëndrrat e tyre nga lindja në vdekje, duke ju krijuar një brengë e një pezëm të madh prej të cilit nuk do të shpëtojnë sa të jenë gjallë.

Lugina e Drinit të Zi, Dibër. Foto: Sami Curri

Këta njerëz, në këtë mjedis kanë mbrujtur kuptimin e fjalës atdhe dhe dashurinë për të. Se Atdheu është shtëpia, ara, livadhi, mali, përroi, lumi, ferra, lisi, pylli, zogu, bulkthi, bilbili, qukapiku, ujku, dhelpra, ariu, vesa e barit, krifat e pishave, rrahja e zemrës për të parën vajzë, netët ëndërrimtare për të parin djalë, përkëdhelitë e nënës dhe loti për të, malli për babain, gëzimet dhe trazimet nga lindja në vdekje… Të gjitha këto janë ajo pasuri, ajo pronë e paçmueshme, për të cilën nuk ka kurrë shlyerje nga asnjë bankë nga asnjë thesar…

Këta njerëz të gjitha këto do t’i japin, do t’i bëjnë theror në themelet e një ujëmbledhësi, të një vepre prej të cilës i gjithë vendi do të marrë dritë dhe kjo është një sakrificë aq e madhe, që nuk mund të shlyhet me asnjë paketë investimesh sado e madhe e strategjike që mund të jetë. E bëmë këtë enumeracion të asaj çfarë japin e sakrifikojnë këta njerëz për dritën, për të kuptuar se ata nuk mund të lihen në errësirë, në brengë e në dëshpërim, të nëpërkëmbën e të mashtrohen me thërrime, të përçahen e t’i nënshtrohen arbitraritetit.

Ata që planifikojnë ndërtimin e veprës për të gjitha këto duhet të mbajnë shënime e të bëjnë llogari, sepse vepra është një investim për fitim, për të mirën dhe interesin afatgjat kombëtar, ndaj nuk mund t’i hyjë në hak asnjë qytetari e jo më një rajoni, një krahine. Për këta banorë, një Paketë Investimesh Strategjike, që do të përmbante ndërtimin e rrugës “Lidhja e Prizrenit”, përqendrimin në një qytezë, me emër domethënës, Kastrioti i Ri apo qyteti Gjergj Kastrioti, të të gjithë atyre që u pushtohen shtëpitë dhe trojet, një qytezë ku ata do të fitonin një mënyrë jetese urbane më të mirë, me shkolla, spitale, qendër kulture, siguri… (duke lënë pas mënyrën rurale të jetesës), duke ruajtur njësinë komunitare aktuale, duke mos e shpërndarë organizimin e sotëm sipas lagjes, fshatit etj., dhe më e rëndësishmja, duke mos i përzënë nga Dibra, por duke ju krijuar mundësi joshëse për të vazhduar në Dibër.

Ndërtimi i rrugës “Lidhja e Prizrenit” do të jetë një faktor që do të ofrojë investitorë që do të kenë interes të përdorin krahun e punës në këtë qytet, duke bërë investime në industri të lehtë etj. Në thelb, nisma jonë, me Paketën e Investimeve Strategjike, synon një marrëveshje të përgjithshme të të gjithë banorëve që u preket prona dhe mënyra e jetesës nga HEC-Skavica, të mos kërkojnë shlyerje apo kompensim të pronave dhe pasurive që humbasin me para në dorë, por të gjithë të bien dakord dhe të kërkojnë kompensim apo shlyerje të çdo njësie pasurie me njësi pasurie fizike, d.m.th për shtëpi që humbasin të marrin shtëpi sipas kurorëve në qytetin e ri, për tokat produktive, atyre që duan të ruajnë marrëdhëniet me tokën, t’u jepet toka nga tokat e ish NB-ve, aktualisht toka të braktisura, të njohura si publike, t’u jepen grante e mbështetje për t’i kthyer këto toka në prodhuese, të kompensohen e të mbështeten ata që duan të merren me blegtori, ata që duan të merren me bletari, peshkim etj…

Kjo mënyrë shlyerje mendojmë se mund të maksimalizojë kompensimin e këtyre njerëzve për sakrificën që do t’ju duhet të bëjnë dhe vetë Paketa Strategjike e Investimeve do të jetë një dobi e madhe jo vetëm për ata, por për të gjithë Dibrën, e cila përfiton një rrugë dhe një aeroport. Paketa e Investimeve Strategjike duhet të studiohet, të integrohet e të realizohet njëkohësisht me fillimin e përfundimin e ndërtimit të HEC- Skavicës. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe mirëpresim çdo vërejtje, propozim, por edhe kritikë për këtë skicë të idesë dhe të nismës sonë për Paketën Strategjike të Investimeve, me bosht ndërtimin e rrugës “Lidhja e Prizrenit”.

Huazuar nga Bulqizaime.al

Një kafe nga ju!

Back to top button