Arsim dhe KulturëLOKALEPersonaliteteVisit Diber

Nga Abdurahim Ashiku “Rrafshina e Dibrës-Rashnapoja”

Meditimin për Rashnapojën

Share

Nga Abdurrahim Ashiku

Meditimin për Rashnapojën ma ngacmoi një vajzë e re, një bijë e Salkurteve, Ana. Ajo më shkruan:

Përshëndetje z. Abdurahim. Uroj të jeni mirë dhe me falni që po ju shqetësoj. Po ju drejtohem pasi dikush më orientoi tek ju si një person që mund të më ndihmoni në lidhje me diçka. Jam një studente dhe po bëj një studim për fshatin Rashnapojë, por puna është se s’kam gjetur të dhëna as në komunë dhe as në qark. Doja t’ju pyesja nëse keni ndonjë informacion rreth këtij fshati, çfarëdolloj qoftë, do t’ua dija shumë për nder nëse ma tregoni. Duke iu uruar gjithë të mirat, Ana Salkurti.

Përgjigja ime ishte:

Përshëndetje Ana dhe faleminderit për respektin. Unë jam larg, jam në Athinë dhe letrat e shënimet e mia kanë mbetur në Shqipëri. Megjithatë kujtimet i kam me vete edhe pse paksa më janë zbehur nga mosha. Do të mundohem të gjej ndonjë të dhënë apo të të orientoj ku të kërkosh…

Po i përcjell kujtimet e mija për Ana Salkurtin, studenten që kërkon rrënjët e fshatit të vet, rrënjët e të parëve të saj. Po i përcjell publikisht me dëshirën që brezi i ri që ka ardhur në jetë, një brez i shkolluar dhe i kulturuar të shkruajë për vendlindjen, të kërkojë në arkivat e shkruara por mbi të gjitha në “Arkivin e gjallë” tek gjyshërit dhe gjyshet, te baballarët dhe nënat, t’i shkruajë fjalët e tyre, jetën dhe përjetimet e tyre, të regjistrojë në magnetofon kujtimet e tyre, ti fotografojë dhe filmojë, t’i fusë në kujtesën kompjuterike, t’i botojë në gazeta e në libra.

Kam me vete shumë libra me histori e kujtime për Dibrën dhe dibranët. Kam “Isuf Karasanin” e Ilias Kacës, “Thatina e Dibrës” të Qeram Cibakut, “Origjina Dibrane e Skënderbeut” të Besnik Këbejt, “Golloborda” të Velo Cfarkut, “Gollobordasit e Dibrës” të Hilmi Sadikut, kam “Kanunin e Dibrës” dhe disa libra të Xhaferr Martinit, kam “Dibra në prag të historisë” (Dorëshkrim) të Haki Stërmillit, kam (së fundi) librin e Kristo Frashërit “Historia e Dibrës”, një libër që duhet të bëhet disiplinë studimi duke dhënë edhe provim, në Universitetin e Dibrës…Kam një raft si një “ograde” historike e letrare e Dibrës, “ograde” që më ngjall kujtime, që e “punoj” në krijimtarinë time publicistike…larg e kam Ana Salkurtin që më mbushi mbrëmjet e ftohta të emigrimit me kujtime të bukura për Rashnapojën dhe njerëzit e saj, sido e sado që shumë gjera tashmë janë në kufij të harresës në rrethin e kujtimeve të mija…

* * *

Rashnapoja është katundi, rrugët dhe rrugicat e të cilit i kam shkelur më shumë se sa rrugët dhe rrugicat e vendlindjes time, Brezhdan-Zdojanit. Kjo jo vetëm për dy vjetët e rrugëtimit tim të përditshëm, viteve 1952-1954 si nxënës në shkollën shtatëvjeçare Peshkopi, por edhe në vitet e mëvonshme dhe veçanërisht vitet 1960-1961 kur si agronom i lokalitetit të Qendrës hyra jo vetëm rrugëve dhe rrugicave dhe ngastrave të mbjella me bimë të arave por edhe odave mikpritëse të rashnapojasve. Rashnapoja hyri dhe mbeti në jetën time, në kujtimet e mija, po me atë bukuri e shpirt njerëzor sa katundi im i lindjes, sa mëhalla ime në krye të katundit e shtëpia ime në fund të mëhallës së Ashikëve.

Kjo për vetë pozicionin gjeografik që zë Rashnapoja në udhëkalimin e gjerë që lidh Peshkopinë, luginën e Drinit të Zi me Muhurrin e Malet e Dibrës. Ndonëse ky arter i madh rrugor u anashkalua nga udhët e kalldrëmta automobilistike, ai mbeti kryesori në rrugën e pazarit të Peshkopisë, i vetmi në tërë Dibrën e Poshtme.

Rashnapojën e kam përshkuar, verës dhe dimrit, në dy rrugëkalime. Verës rrugës kryesore, e gjerë sa mund të kalonin dy pendë qe dhe dimrit në atë që e quanim ”Rruga mbas Rashnapoje”, një rrugë këmbësore, vende-vende me shkallasija, (gardh i thurur me thupra me dy shkallëza druri në të dy krahët).

Rruga këmbësore degëzohej tek “Shenjat e Rashnapojes”, linte majtas shtrazën e mullirit të vjetër, shtëpitë e katundit, përshkonte mes për mesi tokat e bukës, Kuçlat e Sopotëve dhe Ashikëve dhe bashkohej me rrugën kryesore poshtë varreve të Kecit, varrezë e përbashkët e lagjeve Ashike, Sopote dhe e Zdojanit. Ishte një anashkalim i detyrueshëm këmbësorësh për shkak të asaj që në fjalorin dibran ka hyrë me nofkën “Baltat e Rashnapojës”, të pakalueshme veçanërisht tek mulliri i katundit. Aq të lodhshme ishin për kalimtarët “Baltat e Rashnapojës” sa thonë se në Stamboll jetonte në gojën dhe kujtesën e mërgimtarëve pyetja “A janë tharë Baltat e Rashnapojës”?

Rashnapoja në kujtesën time ka qenë katundi më i mbledhur, një grusht shtëpish bashkë njëra me tjetrën e njëra pranë tjetrës. Ajo kufizohej midis “dy mullinjve”, njeri, ai në perëndim, ishte “mulli i gjallë” që nuk pushonte së bluari drithë verë e dimër, ditën dhe natën. Tjetri, ai në lindje, ishte “mulli i vdekur”. Mbaj mend shtrazën e tij që niste që nga “Shenjat”, plepat në degradim dhe gurët e blojës zhytur pingul mbi tokë. Mbaj mend edhe shembjen e shtrazës së mullirit dhe tabanin e tij të shndërruar në rrugë në një kthesë të butë.

Rashnapoja lidhej me dy rrugë të tjera, njëra prej të cilave zbriste në përroin e Zdojanit për tu ngjitur në Pilafe kurse tjetra zbriste në përroin e Ushtelencës për tu ngjitur në Pollozhan e për të vijuar në Dohoshisht e më tej…

Tokat e Rashnapojës shtriheshin mbi një rrafshulët nga të dy anët e përroit të Zdojanit nga ana veriore dhe përroit të Ushtelencës nga ana jugore, përrenj që lidheshin me tokat e Pilafe nga njëra anë e Pollozhanit nga ana tjetër. Në lindje tokat e Rashnapojës i ndante rruga automobilistike nga tokat e Tominit kurse në perëndim ndaheshin me tokat e Sopoteve pak para kodrës së Kuçlave.

Pjesën perëndimore po e shoqëroj me një foto të vitit 1957 ku katër pendarë të kooperativës bujqësore Zdojan me në krye bujkun e dalluar Can Demiri plugojnë tokat e katundit pikërisht në kufi me tokat e Rashnapojës. Një foto tjetër po e kësaj periudhe tregon plugimin e tokave të Pollozhanit nën kujdesin e bujkut të rendimenteve të larta për kohën, Ymer Doda.

Pjerrësia nga ana e përroit të Ushtelencës, shullani, për shkak të ngrohtësisë nga rrezet e diellit mbulohej nga vreshtat, ku më të gjerat kanë qenë “Vreshtat e Argaçit” që shtriheshin nga degëzimi i rrugës që zbriste për në Gropën e Brezhdanit deri në shullanin e Sopoteve, edhe ai i mbushur me vreshta.

Pjerrësia nga ana e përroit të Zdojanit, tokë usur, e ftohtë për shkak të pozicionit verior ishte djerr ose me ndonjë zabel të vogël gështenjash.

Tokat në të dy krahët e Rrugës së Madhe, rrugë që i ndan thuajse simetrikisht, zbrisnin shkallë – shkallë drejt perëndimit, në brezare shekullore, fryt i një kulture pune të bujkut rashnapojas.

Në Dibër nuk njoh ndonjë katund me toka kaq të rrafshëta, toka që i rrethojnë shtëpitë siç rrethon e bardha e vezës të verdhën e saj gatuar e vënë në pjatë, ndaj u quajt edhe “Rrafshina e Dibrës”

Ujitja e tokave bëhej me “Vijën e Malit” siç quhej vija që e merrte ujin nga burimet mbi Llixha. Rashnapoja kishte pjesërisht të drejtën e një brazhde uji, përdorimit të saj vetëm disa ditë të muajit. Ditët tjera brazhda kalonte për ujitjen e tokave e Zdojanit e Brezhdanit. Gjatë gjithë vitit mbi këtë vijë bluhej drithë në mullirin e Çengës në Tomin, në mullirin e Rashnapojës si dhe në pesë mullinj të fshatrave Brezhdan-Zdojan (Mullirin e Dik Ashikut, të Hilmi Karasanit, Rexhep Kolës -dy mullinj- dhe të Maliq Hakores). Me ujin e kësaj vije në vjeshtë të vitit 1955 u ndërtua hidrocentrali i Brezhdan-Zdojanit që u jepte dritë më se 300 shtëpive.

Në tokat e Rashnapojës kultivohej misër, fasule në përzierje me misrin, grurë, perime, elb, tërshërë, urof, thekër, këta të fundit në sipërfaqe të vogla. Vreshtat në shullanin e tokave me ekspozim jugor dhe gështenjat, mollët, arrat, dardhët, kumbullat, qershitë etj, mes shtëpive dhe në usurin me ekspozim verior, gjenin kushte të përshtatshme për kultivim. Rashnapojasit ishin bujq shumë të kujdesshëm dhe rendimentet e tyre shquanin midis më të mirëve të Dibrës.

Rashnapoja nuk ka pas asnjë burim uji të pijshëm në qoftë se përjashtojmë këtu një burim “me shtupë” që mblidhte në një rezervuar të vogël shumë pak ujë. Për ujë të pijshëm gratë rashnapojase detyroheshin të shkojnë në Pilafe, Tomin apo Peshkopi.

Rashnapojasit për të respektuar ritet e myslimanizmit shkonin në xhaminë e Tominit ose në atë të Peshkopisë. Katundi nuk kishte xhami të vetën. Rashnapoja, pak para se të shkosh tek “Shenjat”, në krah të mullirit të vjetër, ka pas një “Varr të Mirë”, shumë i respektuar dhe i nderuar nga vendasit dhe nga udhëtarët e shumtë drejt Peshkopisë. Njëkohësisht një “Varr të Mirë” ka pas edhe në rrugën që kalonte bri varrezave të fshatit dhe të çonte në Pilafe.

Rashnapoja nuk ka pas shkollë të sajën. Fëmijët shkonin në shkollë në Peshkopi dhe në Tomin. Interesimi për shkollimin 7-vjeçar i prindërve dhe i fëmijëve të Rashnapojës, ka qenë i paktë. Në kohën kur unë vazhdoja shkollën 7-vjeçare (1952-1954) nuk mbaj mend që të ketë pas ndonjë djalë apo vajzë që e ndiqte atë.

Rashnapoja ka pas dy pika pushimi të udhëtarëve në drejtim të Peshkopisë.

I pari ishte tek “Shenjat”. Dy shenja me moshë gati shekullore, me rrënjë në vijën e ujit dhe një jeshillëk çlodhës, ishin një vend i këndshëm për pushim, një vend ku udhëtari në vapë gjente freski, madje duke futur edhe këmbët në ujin gurgullues.

I dyti ishte tek “Vorret e Deli Hasanit”, ku udhëtarët preheshin në hijen e një plepi shekullor që i kishte hapur krahët mbi disa dynymë toke, nën gurgullimën e ujit. Plepi, me sa mbaj mend, u pre në “zinë e të ftohtit”, në dimrin e egër të vitit 1954, kur rezervat drunore për banorët ishin në mbarim dhe të ftohtit solli edhe viktima. Nën plepin legjendë të Varreve të Deli Hasanit, janë zhvilluar kuvende historike dhe takime me rëndësi lokale e kombëtare të parisë së Dibrës. Fatkeqësisht ajo hapësirë e bukur, e të gjithëve, sot është mbushur me shtëpi banimi, shtëpi mbi varre.

Rashnapoja, sipas të dhënave demografike të vitit 1979 ka pas 48 familje me 329 frymë prej të cilëve 157 femra. Nga këta në moshë pune kanë qenë 157 vetë kurse kanë punuar 145 vetë. Sipas të dhënave të vitit 1989 Rashnapoja ka pas 85 familje me 414 banorë prej të cilëve 200 meshkuj dhe 214 femra. ( Flamur Cena- vjetar statistikor- dorëshkrim)

Për të dhëna më të hershme për popullsinë e Rashnapojës dhe lëvizjet e saj duhet të shfrytëzohet arkivi i shtetit-dega Peshkopi si dhe arkivi i gjendjes civile me të dhëna para vitit 1938 dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Rashnapoja me ligjin e datës 5 maj 1938 shpallur në Fletoren Zyrtare Nr. 34, datë 11 maj 1937 dhe vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 753, datë 6.7.1938 botuar në Fletoren Zyrtare Nr.64, datë 26 gusht 1938, faqe 8-9 riemërtohet me emrin Rrafshinë-a ( Qeram Cibaku, “Thatina e Dibrës dhe shpirtra në qiell” faqe 78)

Rashnapojën në histori do ta gjesh në “Historia e Dibrës” të Kristo Frashërit. Personalisht Rashnapojën e kam hasur në gazetën “Përlindja e Shqipënies” ku “Nga një raport zyrtar” janë përshkruar “Barbarizmat e mizorinat e serbëve kundër shqiptarëve” ku theksohet se “Gazeta Korierere delle Puglie botoi këto ditë, gjer e gjatë, mizorinat e barbarizmat të vepruara nga ushtria sërbe në Dibrën e Sipërme e në Dibrën e Poshtme dhe në Lumë…” (Përlindja e Shqipëniës Nr.35, 25/7 dhjetor 1913, e mërkurë f. 4-5). Barbarizmat serbe në Dibër janë shkruar edhe në “Kalendari kombiarë 1914” dhe në “Dibra në prag të historisë” – libër në dorëshkrim i Haki Stërmillit si dhe në disa libra të autorëve dibranë. Unë po citoj vetëm botimin më të fundit, atë të Kristo Frashërit “Historia e Dibrës”.

“Në Rashnapojë – Nuk mundën t’i digjnin tërë shtëpitë e fshatit, por i plaçkitën. U vranë me bajonetë 6 krerë të fshatit: Bajram Mehmeti, Maliq Rakipi, Behxhet Beluli, Osman Azemi dhe Hajredin Maliqi. U morën me vete 20 qe.”

Në Rashnapojë kam njohur dhe u kam ngrënë bukën e dashurisë shumë familjeve por midis tyre dua të veçoj familjen e Vehbi Salkurtit, një burrë që të krijonte respekt me pamjen dhe bisedën e tij dhe Xhaferr Cerjanit, një prej specialistëve më të vjetër të bujqësisë dibrane që për shumë vite ka punuar në laboratorin e analizave të farërave pranë Komitetit Ekzekutiv të Peshkopisë.

Në bllokun e shënimeve të mia nuk e gjeta Rashnapojën në ditën e krijimit të kooperativës bujqësore. Shënimet e mia janë një konspekt i shkurtuar i studimit që asokohe ka pas bërë Basri Muskurti, studim i cili duhet të jetë në arkivin e rrethit të Dibrës, ashtu si duhet të jenë edhe të dhënat demografike të gjendjes dhe lëvizjes së banorëve të Rashnapojës në regjistrin e gjendjes civile si të kohës së mbretërisë po ashtu edhe të viteve të mëvonshme, deri në migrimet brenda vendit dhe emigrimet jashtë vendit në vitet ’90-të, studimi i të cilave i jep vlera Rashnapojës në rrugën e zhvillimit të saj në kohë dhe hapësirë.

Të studiosh të kaluarën dhe të sotmen e katundit tënd siç po bën Ana Salkurti është një detyrim intelektual dhe kulturë.

Huazuar nga https://bulevardionline.com/

Një kafe nga ju!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button