Aktualitet dhe LajmePërditshmëriPolitikëRajoni

Për herë të parë një kryeministër shqiptar në Maqedoni të Veriut??

Ëndra e shqiptarëve

Share

Për herë të parë shqiptarët do të kenë postin e Kryeministrit në Maqedoni, kur do votohet Qeveria e re

Një marrëveshje historike është arritur të martën në Maqedoninë e Veriut, mes LSDM-së dhe BDI-së për qeverinë e re, në të cilën do të ketë në 100 ditët e fundit të mandatit, për herë të parë, një Kryeministër shqiptar.Screenshot_3-5

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, kishte premtuar se nuk do të hynte në një koalicion qeveritar nëse nuk do të kishte postin e Kryeministrit për një kandidat shqiptar, por kreu i LSDM-së, partia e parë në zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut, tha se posti i Kryeministrit do të ishte i LSDM-së, në 4 vitet e ardhshme. Duke i lejuar BDI-së të mbante pjesërisht premtimin e saj elektoral, Zaev tha se do të shfuqizojë qeverinë e Përzhinos, duke e quajtur jofunksionale, dhe se do të lejojë që në 100 ditët e fundit të mandatit, BDI-ja të propozojë një kryeministër shqiptar. Për herë të parë, në mandatin katërvjeçar, një shqiptar do të jetë edhe zëvendëskryeministër i parë.

DEKLARATA E AHMETIT

Ahmeti, në një deklaratë për mediat i shoqëruar nga Zaev, tha se kjo është një ditë e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut. “Jam shumë i bindur që ky vendim që marrim sot, mirëpritet nga çdo qytetar i vendit. Sigurisht që mirëpritet edhe nga partnerët tanë, të cilët kanë ndihmuar që vendi ynë të jetë në rrugë të mbarë integruese”, tha Ahmeti. Për premtimin e bërë gjatë fushatës për zgjedhjen për herë të parë të një kryeministri shqiptar në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Ahmeti tha se është rënë dakord që kjo të realizohet vetëm për 100 ditë gjatë qeverisës LSDM-BDI. “Çështja e kryeministrit është një çështje që na ofron dhe ne marrim përgjegjësi që të kemi një republikë më të fortë dhe më të qëndrueshme me qytetarë të bashkuar. 100 ditë do të jetë një shqiptar i propozuar për kryeministër të vendit nga BDI-ja”, deklaroi Ahmeti duke shtuar se:

“Jam shumë i bindur se ky koalicion, ky partneritet për katër vitet e ardhshme do të jetë më i suksesshmi deri tani. Ideja ishte rivendosja e marrëdhënieve miqësore, një mesazh i marrjes së përgjegjësisë për një vend të përbashkët. Duhet ta përgëzoj Zaevin për kurajën e tij dhe vlerësoj vendimin për një kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të këtij koalicioni”, tha Ahmeti. Ai i uroi sukses qeverisë dhe koalicionit.

“Është e rëndësishme që koalicioni i sotëm është i bazuar në themele të shëndosha dhe do të kontribuojë në progres të mirë për të gjithë qytetarët e vendit. Jam shumë i bindur se sot ne bëmë një punë të mirë për të gjithë qytetarët”, theksoi Ahmeti.

DEKLARATA E ZAEVauto_Zaev-i-Ahmeti-2-750×4301597749745

Kreu i LSDM-së, Zaev, tha se do të jetë Kryeministër me mandat të plotë katërvjeçar, duke bërë kështu të ditur se ky post nuk do të ndahet në rrotacion me BDI-në. Dy liderët nuk prezantuan planet e tyre për ndarjen e posteve qeveritare. Por Zaev njoftoi se Kryetar i Kuvendit do të vazhdojë të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja. Gjithsesi mediat lokale kanë prezantuar një listë me postet që pritet të marrë BDI-ja, ku janë disa nga ministritë kryesore të vendit. Zaev tha se me BDInë janë pajtuar që gjatë mandatit katërvjeçar bashkërisht të punojnë në ndarjen e përgjegjësive sikur dhe përbërjes së qeverisë së re.

Zaev ka shtuar se ai do të drejtojë qeverinë në katër vitet e ardhshme. Lideri i LSDM-së tha se ishte veçanërisht e rëndësishme të arrihej një marrëveshje e shpejtë mbi një koalicion qeveritar, për shkak të nevojës për të pasur institucione kyçe në veprim të plotë në vend sa më shpejt të jetë e mundur, për të përballuar efektet shëndetësore dhe sfida të tjera të COVID19. Por pohoi se me BDI-në janë pajtuar që në 100 ditët e fundit të qeverisë, kryeministri do të propozohet nga BDI-ja. “Qeveria e Përzhinës nuk do të funksionojë më për shkak të problemeve në të kaluarën.

Por, kur vijnë zgjedhjet, të gjitha partitë duhet të ndjehen të barabarta, kështu që LSDM-ja do të pranojë që 100 ditë para zgjedhjeve, me propozim të BDI-së, të zgjidhet një kryeministër i ri”, tha Zaev.

POSTET E BDI-SË NË QEVERINË E RE (sipas “TetovaSot”)

Kryeministër shqiptar
ZëvendësKryeministër i parë
dhe Ministër për sistem politik
Ministër i Financave
Ministër i Punëve të Jashtme
Ministër i Shoqërisë Informative
dhe Administratës
Ministër i Ekonomisë
Ministër i Ambientit
Kryetar Kuvendi

DEPUTETËT SIPAS PARTIVE
LSDM – 46 deputetë
VMRO-DPMNE – 44 deputetë
BDI – 15 deputetë
Aleanca dhe Alternativa – 12 deputetë
E majta – 2 deputetë
PDSH – 1 deputet

Ja cilat do të jenë principet e qeverisë së re

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka paraqitur disa nga principet e koalicionit qeveritar. Sipas tij, të dyja partitë do të prezantojnë individë cilësore, të përgjegjshëm dhe të përgatitur, të gatshëm për të zbatuar plotësisht premtimet e programit dhe principet e marrëveshjes së koalicionit. “Nuk do të ketë ministra pa portofol në qeveri, me përjashtim të zëvendëskryeministrave. Ne qëndrojmë të unifikuar për një luftë joselektive dhe gjithëpërfshirëse ndaj krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet”, theksoi Zaev. Ai shtoi se bashkë me Ahmetin kanë rënë dakord që të pastrojnë gjyqësorin dhe të inspektojnë origjinën e financave dhe aseteve të mbajtësve të posteve, nëpërmjet një sistemi për të cilin duhet të bien dakord bashkërisht. Zaev tha se marrëveshja e koalicionit është arritur edhe për mbrojtjen e ambientit, ajrit, tokës dhe ujit. LSDM-ja dhe BDI-ja kanë rënë dakord që të jetë prioritet zbatimi i të gjitha reformave në termat e anëtarësimit në BE. “Ne do t’i përkthejmë këto principe në një program të përbashkët qeveritar që do të vazhdojë të ndjekë plotësisht rrugën e anëtarësimit të vendit në NATO, që është rruga e vendosur me Marrëveshjen e Prespës, Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë, dhe Marrëveshjen e Ohrit. Kjo është rruga europiane, rruga e drejtësisë dhe barazisë”, tha Zaev.

Kur do të votohet qeveria e re

Kreu i LSDM-së, i cili mori mandatin nga Presidenti Stevo Pendarovski pesë ditë më parë, si kreu i partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e fundit, duhet të paraqesë sa më shpjet kabinetin e tij. Në rast se brenda 20 ditëve LSDM-ja nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë fituese, VMRO-DPMNE-së, e cila ka 44 ulëse në Kuvend. Sipas Kushtetutës, qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duhet të marrë minimumi 61 vota të deputetëve. Por në këtë rast, LSDM-ja ka 46 deputetë, BDI-ja ka 15, PDSH-ja ka një. Me bashkimin e tyre në një koalicion qeveritar, gjë për të cilën është rënë dakord, shumica bëhet me 62 deputetë. Nuk dihet nëse Zaev do të vazhdojë bisedimet me partitë e tjera të vogla që kanë arritur të hyjnë në Kuvend për të forcuar shumicën, por votat që i duhen ai tashmë i ka të siguruara dhe qeveria pritet të votohet brenda javës.

 

Një kafe nga ju!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button