AktualitetAktualitet i ditësLajme nga DibraNë PeshkopiPolitikëShqipëriaTurizëmVisit Diber

Rabdishti turistik por pa rrugë…!

Tre muaj pas afatit të fundit, përgjatë së cilit duhet të rilindnin “100 fshatrat turistikë”, 4 ministritë përgjegjëse e kanë të vështirë të rendisin arritjet e premtuara. Heshtjen e tyre e thyejnë, rrugët e pashtruara, mbetjet urbane, dhe braktisja financiare në këto zona rurale si fakte të pamohueshme të një dështimi qeverisës. “Vetting” ka udhëtuar, në disa prej këtyre fshatrave, si Rabdishti i Peshkopisë, ku banorët që prej 30 vitesh presin shtrimin e një rruge 6 kilometrike, kanë vendosur që të mos u japin politikanëve atë që më shumë lakmojnë, votën dhe mundësinë e riciklimit të premtimeve të gënjeshtërta.

 

Emisioni i plotë VETTING

Sapo kapërcen Peshkopinë, një hapësirë e madhe të shfaqet me bukuritë e rralla. Vargmali Deshat- Korab të duket sikur sfidon veprat monumentale më të arrira të njerëzimit, e bashkë me Bjeshkët, prej së largu, bëhen busull për syrin e kalimtarëve që duan t’i prekin nga afër. Si për kontrast të kësaj panorame magjike, rruga e amullt, e ngjashme me premtimet e politikanëve, shton pritjen për të mbërritur në destinacion. 6 km prej Peshkopisë, Rabdishtin, nuk e ka shpëtuar nga bataku i infrastrukturorës rrugore, as përfshirja në programin e 100 fshatrave turistikë.

Shtegu i “Luginës së Shërimit”, prej nga kalohet për në fshatin e “gurtë”, pavarësisht ujërave termalë të llixhave nga të cilat përshkohet, duket se e humbet forcën kurative përballë ritualit të gënjështërt të qeverive që shkojnë e vijnë. Të përpiktë, siç thonë banorët  që kanë mbetur në 80 shtëpitë e banuara të Radishtit, politikanët njëherë në katër vjet i takojnë për t’u kënduar të njëjtin refren; Rrugë, ujë, drita, zhvillim, e në fund Rilindje totale rurale…  Ajo çka ndodh në të vërtetë është që Rabdishti, lihet si një vend eremit, por kësaj here kupa e durimit ka nisur të derdhet. Prej vitit të kaluar banorët kanë vendosur të bojkotojnë atë çka më së shumti politikanët lakmojnë, votën.

Historia e Rabdishtit, nuk është e zakontë. Ata i kanë rezistuar 3 masakrave serbe, të cilët e dogjën fshatin dy herë radhazi në vitet 1913 dhe 1915. Por Rabdishti rezistoi, edhe për të dëshmuar … Bijtë e këtij vendi e ngritën fshatin e gurtë, për ta ruajtur me sqimë edhe sot arkitekturën unike, shtëpitë tradicionale… E tillë është edhe bujtina “Sabriu”, që tri vite më parë priti politikanët e radhës, për marrë premtimin se kohë t e vështira për banorët e Rabdishtit iu kish ardhur fundi. Sepse Rabdishti ishte klasifikuar në projektin 100 fshatrat.

Prej asaj kohe, pak gjëra kanë ndryshuar. Uji dhe ndriçimi për fshatit është një investim i rëndësishëm por nuk vjen nga qeveria, sepse banorët thonë se investimi është kryer nga një kompanie holandeze. Sabri Sahini, thotë se e transformoi biznesin e tij falë një projekti gjerman dhe sakrificave të tij në emigracionit. Pas 15 viteve në Itali, me shpresën e mbajtur gjallë edhe nga këto premtime, ai u kthye për ta ndërtuar të ardhmen në vendlindje.

Ekonomia e këtij fshati, nuk mbështetet në turizmin e premtuar, por çapitet në mbledhjen e bimëve mjekësore e boronicave. Banorët e këtij fshati shkojnë bjeshkëve të Marovës në kërkim të bukës, sepse kultivimi pa kriter në malet e tyre ka bërë që të mos prodhohen më boronica. Sabriu ndjehet i zhgënjyer, sepse është lënë i vetëm në përpjekjet e tij për t’i treguar turistëve vendlindjen me bukuri të rralla natyrore. Po i vetëm i duhet të përballojë edhe kostot për t’u siguruar turistëve mjetin e udhëtimit, për ti mikpritur më pas në bujtinë.

Shtëpitë e kalldrëmet e gurta, pemët e ahut e pishat që rrethojnë zonën si ruajtës besnikë të gjelbërimit, gatimet tradicionale pas të cilave vizitorëve magjepsen, i bëjnë banorët të ëndërrojnë, e ti shndërrojnë shtëpitë në bujtina. Por, ajo çka i mbyll këto shtigje shprese, janë premtimet e pambajtura, për një rrugë të shtruar e zbatimit të projektit “100 fshatrat”.

Sokakët e qëndisur me kalldrëm, këtë vit ka gjasa të mos shkelen nga asnjë politikan për fushatë, nëse më parë nuk nis rehabilitimi i rrugës.  Banorët e Rabdishtit, duken të vendosur ta çojnë deri në fund rrugën dhe të lënë pas shpresën nga qeveria shqiptare.

Zemërimi i tyre, ushqehet nga çdo takse që zbrazin në xhepin e shtetit. Një pjesë e këtyre të ardhurave siç rrëfejnë, shkojnë edhe për të paguar disa punëtorë që të mirëmbajnë rrugën, por ata në këto vite nuk kanë lëvizur asnjë gurë. Në këto kushte s’u mbetet tjetër veç ti dalin fshatit të tyre për zot, e lopatë pas lopate, të mbushin gropat e premtimeve për një rrugë prej 6 kilometrash.

Banorët e Rabdishtit i mbajnë shpresat në Maqedoninë e Veriut…. Bjeshkëve të Marovës, ku u duhet të ngjiten sërishmi për tufën e radhës së luleve mjekësore. ..Edhe për t’i shitur shteti fqinjë ua lehtëson punën, ndërsa i yni siç rrëfejnë, i trajton si të ishin duke kultivuar kanabis sativa. Në këtë pikë, pas një shekulli rezistencë ndaj masakrave të serbëve, e talljes 30-vjeçare të qeveritarëve tanë, ata që kanë mbetur ndaj shumicës që kanë zgjedhur emigracionin, janë të gatshëm t’i dorëzohen Maqedonisë. Të ngulin në ato shpate flamurin e vendit fqinjë, si shenjë turpi për politikanët tanë.

Rabdishti është vetëm njëri prej 100 fshatrave pjesë e projektit të qeverisë, të prezantuar në 2 shkurt të 2018-ës. Do të emërtohej “100 fshatrat turistikë”, vizioni i kryeministrit për rilindjen Rurale, pas asaj që u quajt Rilindja Urbane. Për zbatimin e këtij projekti do të caktoheshin 4 institucione shtetërore; ministria e Bujqësisë,  e Turizmit, e Kulturës dhe ministria e Infrastrukturës.

Informacion i huazuar nga ABC news:

Source link

Admini webit

Menaxher i rrjeteve sociale në Dibër dhe jo vetëm ! Guider turistik Fotograf i lirë ...! Bloger

Related Articles

Back to top button
Open chat
%d bloggers like this: