Lajme nga DibraPërditshmëriShqipëria

Rama: HEC Skavica nuk është më një ëndërr dhe as premtim elektoral

Share

TIRANË 14 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se problemi me energjinë do të zgjidhet kur Skavica të jetë në punë dhe tashmë është një realitet, një projekt me SHBA që është në proces.

Në fjalën e tij në Kuvend, duke iu përgjigjur kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për energjinë, Rama tha se “ju thoni ‘zbrazët’. Çfarë zbrazëm? Dhe vazhdoni me të njëjtin avaz duke u përpjekur t’i bëni shqiptarët për budallenj. Dhe gjithmonë bëni të njëjtin gabim, dhe gjithmonë merrni të njëjtën përgjigje. Dhe çdo të hënë pas zgjedhjeve zgjoheni të habitur: si ka mundësi dhe pastaj filloni me masakrat. Çfarë masakrash? Cilat masakra? Dhe u thoni shqiptarëve ‘këta e shesin lirë dhe e blejnë shtrenjtë’. Po sigurisht, ky nuk është sekret. Ky është fakt publik jo vetëm në këtë kohë, por dhe në atë kohë, por në të gjitha kohët qysh ku ne kemi nisur rrugën e ndërtimit të demokracisë pas shembjes se komunizmit, për një arsye shumë të thjeshtë se ne nuk kemi ende sot kapacitet për të mbajtur rezerva hidrike përtej limitit të lejuar nga siguria e digave dhe kur uji vjen nga qielli më shumë sesa ç’mban limiti i sigurisë, ne duhet ta derdhim. E keni derdhur ju, madje keni bërë katastrofa paaftësie, por ndryshe nga ju Skavicën e nxorëm nga sirtari dhe sot Skavica nuk është më një ëndërr, as një premtim elektoral që e keni dhënë sa herë keni dalë nëpër fushata, po është një projekt me SHBA që është në proces”, theksoi Rama.

Rama tha se ne kemi planin tonë për zgjidhjen e problemit të energjisë deri kur të ndërtohet Skavica.

“Ndërtimi i Skavicës dhe krijimi i kapacitetit për rezervë do na bëjë ne që pastaj të vendosim ne dhe kushdo që të jetë pas nesh se ku e shet energjinë. Jo nga halli, jo se s’ka ku të çojë ujin dhe duhet ta çojë pastaj deri në Nënshkodër, por duke ndjekur momentin kur kërkesa është më e lartë. Natyrisht, se kur ne shesim energjinë jemi në kushtet kur kërkesa është e ulët se rreth e rrotull ku blihet energjia jonë, moti është i njëjtë. Dhe kur ne duam ta blejmë energjinë kërkesa është shumë e lartë, se është piku i thatësirës dhe kjo nuk varet nga ne dhe nuk është diçka e parashikueshme në mënyrë të qëndrueshme në vite. Megjithatë në planin tonë edhe për këtë kemi zgjedhur një zgjidhje të ndërmjetme deri kur Skavica të jetë ndërtuar”, tha ai.

Huazuar nga https://ata.gov.al/

Një kafe nga ju!

Back to top button