Aktualitet i ditësLajme nga DibraPersonalitete

SA DIBRANË KA NË DIBËR, TIRANË, DURRËS…NË BOTË ?

 

Një pyetje për statisticenë: Agim Kasa, Flamur Cena…
Një pyetje për “Bashkësia Dibrane”, “Lidhja e Intelektualëve Dibranë”…

Nga ata që e quajnë veten “me origjinë dibrane” gjë që e tregojnë me rrjedhë gjaku, me mbiemra që mbajnë e janë të njëjtë me mbiemrat në “Dibrën” qytet e “Dibrën fshat” ndarë me hanxharin e “Londrës 1913” dhe nga ata që ende gjendjen civile e kanë në fshatrat e Dibrës e shkojnë atje me autobusë blu e rozë për votime, apo nga ata që kanë rrethuar me “rrathë” të hekurt Tiranën e Durrësin (mos harro Lezhën, Kurbinin, Fushë-Krujën…) e kanë ndërtuar “Dibra” si Bathorja, Kamza, Sauku, Këneta e Durrësit, Sukthi, Vora e deri në Gjirin e Lalëzit.
Ata që e quajnë veten “me origjinë dibrane” kanë një vendbanim me themele të hershme, kanë edhe një vendbanim me emër të përveçëm, madje kanë edhe një numër jetësh që është pranuar nga të gjithë ata që shkruajnë për ta.
Ata ikën nga serbi në vjeshtën e parë të vitit 1913 pasi Londra e preu shqipen për kurrizi e kryengritja e madhe popullore dibrane u mbyt me gjak e shtëpitë e tyre u shkrumbuan.
Në një shkrim të gazetës “Liri e Shqipërisë”, Sofje 30, vjeshtë e dytë 1913 dokumentohet:
“Sot në Mat, Çermenikë, në Tiranë e Elbasan janë afro 80.000 të ikur, gra, burra, të zbathur, të zhveshur, të pastrehë. Në Elbasan janë 4000. Këta i dhanë komisionit të kufisë një shkresë në të cilën i dëftejnë si ngjanë punët, ç’punoj serbi, dhe ç’po vuajnë. Këndimi i kësaj shkrese i ngjeth mishtë njeriut dhe na vjen keq që nuk e përkthejmë dot ashtu siç është, se duhet të mbetet në kujtimin tonë, të djemve dhe të nipërve si një zjarr i gjallë” (A. A. Blloku “Shënime historike” 1978)
Në Elbasan nuk ka ndonjë të dhënë se sa nga dibranët që ikën nga trojet e tyre në vitin 1913 (dhe deri në tetor 1921 kur serbi përfundimisht, pas betejës së madhe dibrane të Lanë-Lurës, u detyrua të mos hedhë më hap përtej kufirit “Londra 1913) u vendosën në qytet e në fshatra dhe sa është aktualisht numri i pasardhësve të tyre.
Në Tiranë ka një numër ashtu siç ka një pronë të ngushtë, një popullsi që edhe sot ruan dialektin e Dibrës, një lagje që quhet “Lagja Dibrane” me rreth 70 mijë banorë.
Llogaritur me numrin e banorëve në vitin 1990 dibranët zinin një të tretën e popullsisë së qytetit të Tiranës.
Nga ky komunitet dibran kanë dalë figura të shquara të artit, kulturës, letërsisë, politikës, studiues e shkencëtarë të fushave të ndryshme, personalitete që i bëjnë nder jo vetëm Dibrës por mbarë Shqipërisë.
Shoqata “Bashkësia Dibrane” është një zë i gjallë që përcjell të shkuarën e tragjedisë dibrane nëpërmjet “një duzinë” anëtarësh “Mjeshtër i Madh”, “Nder i Kombit” dhe fjalën e “Këshillit të të urtëve” për kohën që jetojmë…
Sot në Tiranë, Kamzë e në tërë fshatrat e bashkisë ka një numër të madh dibranësh me shtëpi, vila, tokë buke e kopshte.
Se sa është numri i tyre askush nuk e din. Një gjë dihet me siguri: Në Kamzë dhe në fshatrat e Tiranës në strukturën e popullsisë së ardhur dhe të vendosur atje pas vitit 1991 dibranët janë shumicë.
Në Tiranë komuniteti dibran i ardhur pas vitit 1991 e përcjell zërin e vet nëpërmjet shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë”.
Disa gazeta: “Rruga e Arbërit”, “Dibra”, “Bulqiza”, “Lura jonë”… i kanë dhënë dhe i japin zë e jehonë bëmave historike dibrane e portretizojnë figura atdhetarësh, intelektualësh e udhëheqësish popullorë, përcjellin të kaluarën dhe të sotmen.
Në qytetin e Tiranës dhe rrethinat bashkiake të saj, në Kamzë e fshatrat bashkiakë të saj, në Durrës e veçanërisht në “Këneta” është një “Dibër e dytë” ku dialekti i trevës shquan mbi dialektet vendore e të trevave të tjera shqiptare.
Dibra dhe dibranët në ngujimin në këtë hapësirë jetese, biznesi, shkollimi, pune intelektuale duket se është shpërngulur e tëra, një shpërngulje që krahasuar me atë të vitit 1913 dhe të nëntë viteve betejash të mëdha për mbrojtjen e trevës nga synimet serbe, bullgare etj. është e përmasave biblike.
Shkak i kësaj ikje biblike është se një mëngjes me diell Dibra u zgjua pa asnjë burim jetese, pa miell në magje, pa punë, pa pronë, pa dritë në tunel, pa, pa, pa…
Dhe zgjodhi të ikë…
Ikën jashtë vendit për “pagën e lypësit”.
Ikën tek maqedonasi…
Ikën tek greku…
Ikën tek italiani, gjermani, anglezi, francezi, amerikani, kanadezi, australiani…
Një Dibër tjetër është jashtë vendit…
Ikën natën me një “IFA” ngarkuar me anje e listela për të ndërtuar në fillim baraka e më vonë shtëpi e vila. Me punë, siç dinë të punojë dibrani, që siç thoshte një historian i Evropës “Po u dogj Stambolli Dibra e ndërton nga e para, por po u dogj Dibra Stambolli nuk çan kokën”. E ndërtuan me dhrahmitë, frangat, liretat, dollarët (amerikanë, kanadezë, australianë), lira sterlinat… me djersën e ballit.


Mbase, studiues të brezit të sotëm, do të hedhin dritë mbi demografinë dibrane të fillim shekullit XXI, mbi vlerat intelektuale dhe mirëqenien ekonomike, qëndrueshmërinë.
Dibranët janë një komunitet vital që në momente të caktuara historike kanë ditë të gjejnë vendin e duhur në hullinin historik.
Është koha që përsëri ta gjejnë, është koha që ti dalin zot vendlindjes dhe vend origjinës së tyre.
Skavica, hurdha që sipas krerëve të majtë e të djathtë (lexo “PO DIBRËS! JO SKAVICËS”) mbyt përfundimisht Dibrën për të shpëtuar Shkodrën, për tu hap e për tu mbyll si hurdhat tradicionale dibrane për ujitjen enjë gjysmë apo një dynim misër, për tu mbush e boshatis sa herë do të kenë nevojë hidrocentralet e kaskadës…e shuan Dibrën me gjithçka, me histori e kulturë, me ekonomi e mirëqenie e shndërron në një skelet malesh…
Mes dibranëve po bën rrënjë e lëshon dega një fjalë: “Unë kam tokë dhe vilë në Tiranë. Djali im ka tokë dhe vilë në Itali. Punë e madhe për shtëpinë, trojet dhe tokën e babait tim që mbyten”!!!
Dhe këtë po e përhapin ditë për ditë në fb dhe portale mjerisht intelektualë mbi katër këmbët e karrigeve të pushtetit e të shtetit të Edi Ramës, shoqata e tubime minorene, duke u bërë propagandues të zellshëm të mbytjes së Dibrës, patronazhistë që ndjellin kob.
Dibranët në Amerikë me Agron Damzin, Marjana Zeneli Bulku, Beqir Sina, Cezar Ndreu e të tjerë e ndezën përpara OKB, në Manhatan të Nju Jorkut pishtarin e betejës demokratike duke i thënë “YES DIBRËS” – “NO SKAVICËS”.
Është koha që këtë pishtar ta ndezin shoqatat dibrane, intelektualët dibranë, të gjithë ata, kudo që punojnë e jetojnë për ti thënë JO SKAVICËS, jo mynxyrës që po vjen.
Ta ndezin me forcën e fjalës argumentuese…
Ta ndezin me tubime masive demokratike publike…
Brezi para nesh derdhi gjak dhe e mbajti luginën e Drinit të Zi dibrane. Nuk ia la as serbit dhe as serbojugosllavisë.
Do të jetë turp historik po qe se Dibra nuk i del përballë korrupsionit qeveritar e ndërkombëtar dhe ta mundë.
Dibra është e madhe, ka djem e vajza që i dalin zot.

Abdurahim Ashiku
9 nëntor 2021

Admini webit

Menaxher i rrjeteve sociale në Dibër dhe jo vetëm ! Guider turistik Fotograf i lirë ...! Bloger

Related Articles

Back to top button
Open chat
%d bloggers like this: