PërditshmëriPersonalitetePolitikëShqipëria

Shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë

Share

Propozimi nga ministri Çuçi, pritet emërimi i drejtorit të ri

Ardi Veliu është shkarkuar nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Televizioni Klan ka mësuar nga burime zyrtare se ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ia ka përcjellë vendimin e tij Këshillit të Ministrave.

Bashkë me shkarkimin, mësohet se qeverisë i është propozuar edhe emri i ri që do të drejtojë policinë. Sipas të njëjtave burime, Kryeministri Rama pritet ta firmosë nesër emërimin e drejtorit të ri.

Nuk dihen arsyet e shkarkimit të Veliut, por ky vendim i ministrit Çuçi vjen në përfundim të afatit 100-ditor që Kryeministri Rama i kishte lënë policisë që të ndryshonte gjendjen e kriminalitetit dhe për të rritur sigurinë në vend.

Po ashtu, shkarkimi përkon edhe me ngjarjen kriminale të ndodhur mbrëmjen e të hënës në Elbasan, ku dy persona me precedentë penalë mbetën të vrarë në një atentat mafioz.

Ardi Veliu u emërua në këtë detyrë në Shkurt të vitit 2018, 1 muaj pas largimit të Haki Çakos, me propozim te ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj.

Me shkarkimin nga detyra, Ardi Veliu nuk do të jetë më as pjesë e policisë. Sipas ligjit për policinë, pas përfundimit të afatit të qëndrimit në detyre, drejtori i policisë nuk rikthehet më në strukturat e policisë, por mund të kryejë funksione të tjera këshillimore ose pedagogjike.

I njëjti ligj përcakton se drejtori i ri i policisë duhet të ketë gradën “Drejtues i lartë” ose “Drejtues i parë” apo të ketë të paktën 15 vjet përvojë në polici, nga të cilat të paktën 10 vjet në pozita të larta drejtuese në strukturat e Policisë.

Ai qëndron në detyrë për një periudhë prej 5 vjetësh me të drejtë riemërimi edhe për një mandat tjetër, çka nuk u aplikua në rastin e Ardi Veliut

TV Klan

Një kafe nga ju!

Back to top button