Diaspora DibraneDibër të MadheFesta dhe EventeGuida dhe guiderInformacion TuristikLajme nga DibraPërditshmëriPersonalitetePeshkopiProdukte DibreSocial KulturoreVisit Diber

Shpallet ideja e një feste mbarëdibrane

Nga Abdurahim Ashiku

Share

13 DHJETORI SI DITË E MADHE MBARËDIBRANE

Nga Abdurahim Ashiku

Njëzet e tetë vjet të shkuara, saktësisht më 13 dhjetor 1992, u hap zyrtarisht Pika Kufitare e Bllatës, u përqafuan për të mos u shkëputur më kurrë burra e gra të moshuar që 45 vjet të shkuara ishin ndarë dhimbshëm, me lot në sy, me brengë në zemër, të rinj e të reja që nuk e kuptuan (dhe nuk e kuptojnë) pse në vitin e egër 1913 i ndanë për palce fuqitë e mëdha në Londër, pse 45 vjet i ndau ideologjia e mbjellë në një tokë shterpë që as e ujiste, as e prashiste, as e ushqente…
Më 13 dhjetor 1992 u thye kufiri shqiptaro-shqiptar…
Një precedent pak ndryshe nga thyerja e Murit të Berlinit…
I Dibrës, megjithatë mbeti. Mbeti si një litar i kalbur që nuk mban peshën e një varbeci…
Çdo vit në Gjermani, në ditën e rënies së Murit të Berlinit, bëhet festë e madhe edhe tej tri dekadave të ngjarjes.
Çdo vit…
Pse, asnjëherë, nga 13 dhjetori 1992, nuk është bërë asnjë festë popullore, nuk kanë vërshuar në të dy krahët dibranët për tu gëzuar e festuar?
Nuk e di por ngjarje më të madhe midis dibranëve të kësaj e asaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar… NUK KA.
Pse Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Peshkopisë dhe Këshilli Komunal i Komunës së Dibrës së Madhe nuk janë mbledhur bashkërisht në Bllatë e të caktojnë 13 Dhjetorin ngjarje të madhe e FESTË POPULLORE?
E përsëris edhe njëherë:
NGJARJE MË TË MADHE SE KJO DIBRA NUK KA PASË…
E mbase nuk do të ketë…
Sigurisht, PO QE SE E HARROJMË ATË DITË…
Për të ardhë ajo ditë, 13 dhjetor 1992, u desh që një ditë të fillimit të erës së re të shkuleshin gardhet e të rrafshohej kloni, u desh një udhëtim prej më se 480 kilometrave (kur mund të udhëtoje vetëm 8 kilometra) i dy skuadrave me të njëjtin emër, me të njëjtin gjak, me të njëjtën gjuhë, skuadrave të “Korabit” të Peshkopisë” dhe “Korabit” të Dibrës së Madhe, udhëtim që e kam ndjekë me reportazhe e skica dhe me fotografi.
U desh një udhëtim masiv në këmbë në Ditë Bajrami drejt Dibrës së Madhe dhe Dibrës së Vogël për tu gëzuar, për tu çmallur…
U desh pena e gazetarëve për ta bërë publike e për ta shpejtuar hapjen zyrtare të kufirit midis “Dy Dibrave”, ndarë dhunshëm nga Londra 1913…
Personalisht, por edhe kolegët e mi Sami Selishta në Peshkopi, Nefail Spahiu, Ramadan Telqiu, Kujtime Kica në Dibër të Madhe dhe në Shkup, punuam me penë të fortë, me kamerë televizive dhe me mikrofon radiofonik, duke sensibilizuar qeverinë e Shkupit dhe Tiranës për të përshpejtuar rrugët e bashkimit, për të mbushur me zhavorr e beton përroin natyror të ndarjes, për ndërtimin e pikave përkatëse kufitare…
Dhe dita e kalimit zyrtar të njerëzve erdhi…
Erdhi me një protokoll zyrtar…
Erdhi me një vërshim popullor pa doganë, pa leje kalimi, thjesht si njëherë e një kohë kur nuk ishte vënë gurë kufiri, tela me gjemba e rrjeta elektrike.
Ishte një festë e madhe popullore…
Nga dhjetëra shkrime e fotografi (të mjaftueshëm për një libër) që kam bërë në kërkim të kësaj dite por përcjell, një…
“SHËNUAR NË BLLATË, MË 13 DHJETOR 1992”
Këto shënime, së bashku me shënimet e asaj dite ia përcolla, Kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Dionis Ymer…
Më premtoi se do të bisedonte me homologun e tij në Dibër të Madhe.
Më kërkoi edhe mendimin tim se si mund të organizohej festa, FESTA
E MADHE E BASHKIMIT TË DIBRËS…
Po përcjell emocionet e 13 dhjetorit 1992…
Po përcjell edhe një letër drejtuar kryetarit të bashkisë së Dibrës, Dionis Ymeri me dëshirën që një ditë të jem një meditues i thjeshtë në një festë që do të jetojë në shekuj.
SHËNUAR NË BLLATË, MË 13 DHJETOR 1992
Meditim ‘92
Bllatë. E diele 13 dhjetor 1992…
Pas asaj nate me shi e borë e atij mëngjesi të ftohtë me mjegull, pason një ditë e bukur.
Një pamje e mrekullueshme fiksohet në retinën e syve të gëzuar, në objektivin e qelqtë të aparateve fotografikë e televizivë. Kërçini dhe dorë për dore me të Malet e Dibrës, të Dibrës së Sipërme dhe të Dibrës së Poshtme, janë veshur në të bardhë.
Kronika zyrtare e 13 dhjetorit 1992 është kjo: Në orën 12 delegacioni shqiptar i përbërë nga Safet Zhulali, ministër i mbrojtjes, Mentor Bunguri, kryetar i këshillit të rrethit, Kadri Rrapi, kryetar i bashkisë së qytetit të Peshkopisë, deputetë, përfaqësues të partive politike etj. kalon Bllatën.
Para kompleksit doganor të sapondërtuar delegacioni pritet nga Beqir Zhuta, nënkryetar i qeverisë së Maqedonisë, Vllado Popovski, ministër i mbrojtjes Qemal Xhafa, kryetar i këshillit komunal të qytetit të Dibrës, deputetë, përfaqësues të partive politike etj.
Përshëndet Qemal Xhafa, kryetar i komunës së Dibrës. Në fillim në maqedonisht e pastaj në shqip.
Përshëndet Mentor Bunguri, kryetar i këshillit të rrethit të Dibrës.
Fjalimi i oratorëve në esencë është një: 13 dhjetori 1992, hapja e pikës së kalimit kufitar të Bllatës (bashkë me të edhe i dy pikave të tjera që hapen në të njëjtën ditë) është një ngjarje e shënuar, një ëndërr 45-vjeçare e realizuar.
Pritet shiriti i përurimit. Delegacionet vizitojnë kompleksin e ri doganor.
Shqiptarët e të dy krahëve të kufirit, pas marrëveshjes së palëve për takim masiv (për atë ditë) “pa rregulla doganore” shpërthejnë drejt njeri tjetrit. Pleq e të moshuar, gra, të rinj e të reja, fëmijë takohen me njeri tjetrin me gëzimin e njerëzve të një gjaku në zemër, me lotin e përmallimit në sy. Drejt Maqellarës e Peshkopisë, drejt Dibrës së Madhe e fshatrave të saj, udhëtojnë njerëz me krahët e hedhur supeve të njeri tjetrit. Arteriet e vjetra të shqiptarëve zgjerohen e në to rrjedh gjaku i pastër i vëllezërve…
Jashtë kronikës zyrtare është e domosdoshme të shënojmë:
Vonë, në mbrëmje teksa nata kishte rënë, magjistrali i Bllatës ziente nga lëvizjet e ndërsjella…
Në shënimet e mija të 13 dhjetorit 1992 dua të përcjell kontributin e gazetarëve, luftën e tyre me penë, valë radioje e figurë televizive që kjo ditë të vinte sa më shpejt.
Nefail Spahiu, gazetar i “Flaka e Vëllazërimit” në numrin 4431 të 13 dhjetorit 1992 shënon: “Sot në Bllatë të Dibrës hapet kalimi i rregullt me Shqipërinë. dhe vazhdon “Pas shumë kërkesave dhe negociatave më në fund 13 dhjetori i këtij viti do të shënojë datën kur Bllata merr statusin e vendkalimit të rregullt ndërkombëtar kufitar…”
E takoj Nefailin i cili thotë: “Maja a lapsit të gazetarëve e shpoi murin dibran. Tani duhet të punojë për ta shembur, për ta shkulur…”
Ramadan Telqiu më kujton një moment nga kalimi i dibranëve të Dibrës së Madhe nëpër Bllatë në maj 1992: “Tek kalonim kufirin, thotë ai, emisioni shqip i Radio Shkupit përcillte një reportazh të “Zërit të popullit” për kalimin masiv të 15 prillit për Bajram të Madh. Zëri i spikeres Kujtime Kica i jepte reportazhit emocion të fortë. Për një moment ai ndërpritet dhe pak sekonda më vonë në efir përhapet zëri i Lutfi Turkeshit…
“Kujtimja, tregon Lutfiu të nesërmen e asaj dite në Peshkopi, nga emocionet u bllokua. Ia mora nga dora gazetën dhe vijova leximin…”
Marr nga kujtesa (i kthehem edhe bllokut të shënimeve) diçka nga kujtesa në maj 1991, kur “Korabi” i Peshkopisë dhe “Korabi” i Dibrës së Madhe takohen në “kryeqytetin” e trevës së moçme, në Dibër.
Atëherë Lutfiut e Ramadanit për të përcjellë në radio informacionin, iu desh të ndiqnin linjën telefonike Peshkopi- Tiranë- Athinë- Beograd-Shkup…
Tani këto distanca janë shkurtuar. Nga Peshkopia mund të lidhesh e të bisedosh me linjë të drejtpërdrejt me Dibrën e Madhe nëpërmjet linjës Peshkopi-Maqellarë-Bllatë-Dibër në çdo kohë të ditës.
Midis dy Dibrave ka edhe një pengesë që duhet shembur: detyrimet doganore, taksa e kalimit të kufirit. Për xhepin e grisur të dibranit (të të dy anëve të kufirit) taksa e vënë është një pengesë në rrugën e afrimit të vëllait me vëllanë.
Më 14 dhjetor 1992 në mesditë, nga Peshkopia përcolla Nefail Spahiun. Nxitonte për ti dhënë “Flakës së vëllazërimit” reportazhin e vet me mbresa të dibranëve në të dy anët e kufirit arbitrar të viti 1913…
DIBRA, E MADHJA DHE E VOGLA, NË NEVOJËN PËR BASHKIM
Një letër publike…
Kryetarit të Bashkisë Dibër
Zotit Dionis Ymeri
Peshkopi
E kam jetuar vrullshëm jetën në Dibër, ku linda një ditë maji 1941, ku punova me përkushtim e dashuri, ku brodha nga Llanga në Draj Reç e Mërkurth të Lurës, ku derdha shpirtin tim në shkrime që do të desha ti mbledh një ditë bashkë në libra, ku fiksova në celuloid mijëra e mijëra pamje, njerëz e evenimente historike, ku më se dhjetëmijë prej negativëve kam arritur ti fusë në një arkiv vetjak. Dibra ku ika prej dhunës të forcave të egra që erdhën në pushtet, ka qenë edhe në këtë një çerek shekulli mërgim, në mendjen time, në shpirtin tim, në krijimtarinë time.
Po jo vetëm ajo, edhe “koka e ndarë” e saj, Dibra e Madhe, qendrën e së cilës e kanë pas në pronësi me troje të lashta paraardhësit e bashkëshortes sime, Sheh Hysen Kuçi, shoqërues i Amdyl Frashërit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me rastin e 100 vjetorit të saj, pushkatuar nga serbi më 22 shtator 1913 si pjesëmarrës dhe organizator i kryengritjes popullore dibrane…
Kërkimet në shtypin e kohës dhe në arkiva më afruan me Dibrën, ma bënë ëndërr të jetës sime për të shkuar një ditë…
Dhe shkova një ditë maji 1991, si gazetar shoqërues i skuadrës së futbollit “Korabi”…
Dhe shkova një “Ditë Bajrami” masivisht me mijëra dibranë…
Më pritën bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët njerëz të një gjaku…
I prita me dashuri e respekt në kthimin e tyre masiv në Peshkopi…
Ajo që nuk do ta harroj kurrë është 13 dhjetori i vitit 1992, Dita e Bashkimit Shpirtërorë të dy Dibrave, vendosja e pikë kalimeve përkatëse kufitare.
Nga ajo ditë nuk ka dhe nuk do të ketë udhëtim “480 kilometra” por vetën “8 kilometra” për të shkuar e për të ardhë nga Peshkopia dhe Dibra e Madhe.
Ajo thënia popullore e “zierjes së jufkave në Peshkopi dhe ngrënia të nxehta me njerëz të gjakut në Dibër të Madhe,” atë ditë u bë realitet.
Atë ditë e përcolla në shtyp në një reportazh që më doli nga shpirti…
Më vjen keq që filmin ku fiksova fotografitë e asaj ditë të shënuar nuk e gjej midis dhjetëmijë negativëve që kam skanuar. Mbase ka humbur përgjithnjë së bashku edhe me shumë negativë të tjerë.
Por ngushëllohem me mbi 100 fotografi që kam fiksuar në ndeshjet e “Dy Korabëve” në Peshkopi dhe në Dibër të Madhe.
13 DHJETORI 1992, SI NJË FESTË E PËRHERSHME POPULLORE
MBARËDIBRANE
Për mendimin tim 13 dhjetori 1992 mund e duhet të shndërrohet në një FESTË E PËRHERSHME POPULLORE MBARËDIBRANE.
Mbase mund ta quajmë “BASHKIMI DIBRAN”, nisur edhe nga një shoqatë dibrane me të njëjtin emër e vitit 1921, statuti i së cilës gjendet në bibliotekën e Peshkopisë.
Vendimi mendoj se duhet të dalë nga mbledhjet e këshillave bashkiake e komunale të Dibrës (Peshkopi) dhe Dibrës së Madhe (Maqedoni) mbase në një mbledhje të përbashkët pikërisht në pikë lidhjen e dy Dibrave.
Vendimi duhet të gjejë përkrahjen e pushtetit në Shqipëri dhe në Maqedoni për të qenë si detyrim e mbështetje zyrtare.
Vendimi duhet komunikuar në masmedie të të dy vendeve.
Në vijën e kalimit kufitar, pikërisht në lartësi të përroit që ndante dy Dibrat (e që u mbush me zhavorr e tokë të virgjër, një gjë e bukur dhe domethënëse kjo) të vendoset një memorial i lartë që të simbolizojë atë ditë por edhe të flasë me gjuhën e bashkimit përfundimtar të dy Dibrave e të shqiptarëve nën Maqedoni.
Në ditën e caktuar të mblidhen mijëra banorë dibranë të të dy krahëve dhe të kalojnë lirshëm drejt Peshkopisë e Dibrës së Madhe, si një herë e një kohë, si atë ditë të 13 dhjetorit 1992.
Atë ditë të organizohet nga të dy anët “PANAIRI DIBRAN” me prodhime bujqësore, blegtorale, industriale, artizanale etj. dhe mallrat me pakicë të kalojnë në të dy krahët pa doganë.
Atë ditë grupet e përbashkëta kulturore të zhvillojnë veprimtari të gjera kulturore e artistik, në kufi por edhe në pallatet përkatëse të kulturës në të dy qytetet.
Ajo ditë duhet të shoqërohet me një ekspozitë të arteve figurative e fotografike.
Atë ditë në Dibër ose në Peshkopi duhet të bëhet një ndeshje midis dy skuadrave futbollistike respektive.
Atë ditë dy skuadra alpinistësh duhet të ngjiten nga të dyja anët e maleve dhe të takohen në kufi ose në manastirin që ndodhet atje.
Unë do të përgatis një ekspozitë fotografike me pamje nga takimi futbollistik i “Dy Korab-ëve”.
Po mu krijua hapësirë kërkimi mund të përgatisë edhe një libër kushtuar bashkimit.
Atë ditë të ndahen çmime simbolike për persona që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për zhvillimin e mëtejshëm të Dibrës mbarë.
Në Këshllanë e Dibrës së Madhe, në ditën e kryengritjes dibrane kundër serbit, më 22 shtator 1913 janë pushkatuar 5 vetë nga paria e Dibrës. Emrat e tyre janë përmendur nga gazeta “Përlindja e Shqipnies” ( “Më parë se të vijnë luftëtarët në Dibër, – shkruan gazeta “Përlindja e Shqipërisë” Nr.13 Vjeshtë e Parë -1913 ushtria serbe burgoi tetëdhet veta nga parësia e vendit, me qëllim që t’i vrasin dhe të nesërmen. Kur u rradhuan për me i plumbos, i arritën Malësorët, andaj s’munden me i vra të gjithë, por veç pesë shpirt.
Këta janë ata që ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruaj emënat e tyne për një kujtim të përjetshëm: Sheh Hyseni, Sadullah Strazimiri, Ramiz beu, Karafil beu, Numan Efendiu. U ndrittë shpirti”) dhe në shumë gazeta të kohës. Për nder të tyre të planifikohet ngritja e një memoriali ku të përjetohen betejat dibrane për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Një shkollë apo institucion në Peshkopi apo Dibër të marrë emrat e tyre.
Këto janë mendimet e mija shkruar “me vrap”. Shpresoj që ata të zgjerohen në procesin e vënies në jetë të nismës.
Koha e shkurtër, koronavirusi mbase për këtë vit nuk mund të bëhet një festë e madhe popullore.
Një festë me përmasa të mëdha duhet të organizohet në dhjetorin e vitit tjetër por hapat duhen nisur pa humbur kohë.


Abdurahim Ashiku, 23 shtator 2020

Back to top button