Festa dhe EventeLajmi i funditPërditshmëriShqipëria

Shqiptarët festojnë sot Ditën e Flamurit, 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

Share

28 Nëntori është festa që bashkon të gjithë shqiptarët anë e kënd botës pa asnjë dallim. Sot Shqipëria feston 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe nisjen e rrugëtimit si një shtet më vete, i shkëputur nga Perandoria Osmane. Kjo datë shënon dy ngjarje historike: shpalljen e pavarësisë më 1912 dhe çlirimin e Krujës nga Skënderbeu më 1443.

Të dyja këto ngjarje kanë të bëjnë me ngritjen e flamurit të arbrit, ndaj edhe 28 Nëntori quhet ndryshe Festa e Flamurit.

28 Nëntori festohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, shumica absolute e popullsisë të së cilës është etnikisht shqiptare. Kjo ditë festohet edhe në trojet shqiptare në Maqedoni e në Malin e Zi.

Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali u deklarua në Kuvendin e Vlorës ku morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Menjëherë pas saj, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia.

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Shqipërisë dhe përcaktimi i kufijve shtetërorë të saj u bë në përfundim të Luftës Ballkanike, në Konferencën e Londrës, gjatë së cilës, për fat të keq, u kënaqën shumë nga synimet copëtuese dhe aneksuese ndaj trevave shqiptare të fqinjëve sllavo-grekë.
Gjithsesi, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran nga ana e Fuqive të Mëdha dhe dora-dorës, edhe nga shtete të tjerë, ishte një akt me rëndësi jetike për popullin dhe kombin shqiptar. Kjo ngjarje shënoi menjëherë një linjë demarkacioni në historinë shqiptare. Ajo ishte fryt i emancipimit të shqiptarëve si komb dhe i përpjekjeve të pareshtura të tyre për të qëndruar të lidhur me familjen europiane të kombeve të emancipuar./balkanweb.com/

Një kafe nga ju!

Back to top button