BulqizëLajme nga DibraPërditshmëriShqipëria

Tërmeti lë pas dhjetra ndërtesa të dëmtuara në Bulqizë

Share

    
Banesë e dëmtuar në Shupenzë. Foto: D. Karaj

Ditën e premte një tërmet i fuqishëm me magnitudë 4,4 shkalla Rihter dhe epiqendër në Shupenzë të bashkisë Bulqizë, lëkundi verilindjen e Shqipërisë. Lëkundjet sizmike u ndjenë në disa qytete të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut, por dëmin më të madh tërmeti e shkaktoi në Bulqizë, kryesisht në plasaritje muresh të shtëpive, dëmtim të orendive shtëpiake dhe të disa çative.

Ministria e Mbrojtjes shpërndau një njoftim për mediat, ku bënte me dije se ishin 14 banesa të dëmtuara në bashkinë Bulqizë, kryesisht në çarje muresh, dëmtime tavanesh etj.

“5 banesa në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, 3 banesa në njësinë administrative Ostren, 3 banesa në njësinë administrative Gjoricë, 1 banesë në njësinë administrative Shupenzë, 1 banesë në njësinë administrative Bulqizë dhe 1 banesë në njësinë administrative Zerqan.” thuhet në njoftimin e MM.

Flamur Jella, drejtues i Emergjencave Civile në Bashkinë e Bulqizës në një bisedë telefonike u shpreh se deri më tani ka dëmtime të tilla si plasaritje apo ndonjë dëmtim tjetër të vogël, por jo dëme të konsiderueshme apo që mund të jenë kërcënim serioz për jetën e banorëve:

“Shpijat që janë dëmtuar më së shumpti kanë qenë ato të amortizuara që një lëkundje tërmeti sado e vogël, sjell një sërë dëmesh. Informacioni që Ministria e Mbrojtjes ka sjellë ka qenë ai orës 11:00 që ne kemi dërguar nga të dhënat paraprake. Në të dhënat e mbledhura në terren nga grupi i punës që ne kemi ngritur, por edhe nga kryepleqtë dhe njësitë administrative, rezulton se në total janë 33 banesa të raportuara si të dëmtuara. Ditën e hënë nis edhe verifikimi i plotë në terren nga grupi i punës që përbëhet nga 5 persona, ku do të përgatiten edhe dosjet e plota për çdo banesë të dëmtuar.” tha Jella.

Sipas të dhënave EMSC, Bulqiza u godit një sërë tërmetesh ditën e premte. Tërmeti i parë ishte 3.3, tërmeti i dyti 2.7 ndërsa tërmeti i tretë ishte me magnitudë 4.4 ballë i shkallës rihter dhe epiqendra e tërmetit më të fuqishëm, ka qenë në një thellësi prej 11 km, shënuar në orën 08:10. Pasdite pati gjithashtu një sërë lëkundjesh më të vogla sizmike.

Në një deklaratë në profilin e tij në rrjetet sociale, Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla bëri me dije se janë shënuar disa dëme materiale, kryesisht në çarje të shtëpive në disa njësi dhe fshatra të ndryshme. “Fatmirësisht nuk ka humbje jete dhe dëmtime të rënda banesash ku të kërkohet evakuimi i banorëve.” deklaron Alla.

Lajm nga Bulqizaime.al

Një kafe nga ju!

Back to top button