Diaspora DibraneInformacion TuristikPërditshmëri

Tregim nga Dibra: “Duhet dalluar hajduti nga nevojtari”!

Zoti i shpërbleftë të gjithë që janë të vëmendshëm me njerëzit !

Share
Ishte vit zie. Xhemal Topuzi nga lagjja Topuzej e Lugjeve, shkon natën ke nje katundar në Kishavec të Dibrës me vjedhë misër në koshar. Sa fillon me e nxjer misrin e me e fut në thes, i zoti i shpisë e dikton e zgjon tre djemtë që i kishte në moshë të armëve. Puna e parë që deshën me ba ata, ishte kapja e armëve me vra hajdutin. Mos shtini, – u thotë i ati. – Duhet dalluar hajduti nga nevojtari që ka fëmijët pa bukë. I zoti i shpisë, hapi deren, doli jashtë dhe i shkoi Xhemalit tek koshari.
I tha:
Puna e mbarë, or birazer.
– E mbara të gjett, – i tha Xhemali pa e prishur terezinë.
– Çfarë po bën në koshar të huaj?
– Kam fëmijët pa bukë, – tha Xhemali dhe e la të nxjerrmen e misrit.
– Himë mrena, e shikojmë ma vonë këtë punë, – i tha i zoti i shpisë e hynë në konak të burrave.
Xhemalit i vunë bukë e ai hëngri pa merak si të ishte në shpi të vetë. Ndërkohë, i ati i kishte porositë djemtë që atë natë të mos flinin, po të bënin gati dy kuaj me drith për nesër. Xhemali ra
me fjetë bashkë me të zotin e shpisë. Të nesermen në mëngjes i zoti i shpisë i tha Xhemalit:
-Ti erdhe me vjedhë nji thes me misër kalli, unë po të japë dy kuaj me drith. Në shpi do të ta bien djemt e mi, se ti nuk ke kalë me vete.
– Faleminderit shumë, ta paça borxh, – tha Xhemali.
Po i ati u kishte thanë djemve: “Kur të shkoni në Lugje, shikoni ke Xhemal Topuzi: po qe se ai ka miell ja misër, do t’i bini kuajt k’tu pa i shkarkuar. Po nuk pati, do të shkoni në mulli, do ta blueni drithin e miellin do ja çoni në magje”.
Xhemali nuk e dinte se çfarë u kishte thënë ai djemve, por kur shkuan tek shtëpia e tij, i çoi drejt e tek magjja: “Shikoni se sa bukë ka Xhemal Topuzi!”. Në magje nuk ndodhej asnji pupël miell. Djemtë, simbas porosisë së babës, shkuan në mulli, bluejtën misrin e ja derguan Xhemalit në shpi. Me vonë u hipën kuajve për me u kthye në shpi të vetë. Xhemali doli me i përcjellë. Ata i thanë të ndalej, por ai tha se do ti nxirrte deri tek kodra me dushk. Aty Xhemali u tha dy djemve:
– Unë isha ngusht për bukë e ju më dhatë. Dru në Kishavec nuk ka. Ky që shikoni këtu, asht zabeli im. Ka dru për dyzet dimna. Mbushni kuajt, sa mund të mbajnë, që të mos i çoni pa ngarkesë në Kishavec.
Atyre iu bë qejfi shumë se vërtet në Kishavec bukë kishte, por dru nuk gjeje per besë. Që prej asaj dite Xhemal Topuzi mbeti birazer me atë shpi. I çonin Xhemalit bukë, e ai u jepte dru, se nganjëherë buka e druni janë afër e afër….!
#Shperndajeni
Burimi  i ketij shkrimi: Libri Kanuni i Dibres i autorit Xhafer Martini

Një kafe nga ju!

Back to top button